Kërko

 McCarrick McCarrick 

Selia e Shenjtë: McCarrick, i akuzuar për abuzime, shkarkohet nga gjendja klerikale

Kongregata për Doktrinën e Fesë bën të ditur se ish-kardinali McCarric deklarohet fajtor për ngacmim në Rrëfyestore dhe shkelje të Urdhërimit të Gjashtë të Dekalogut me të mitur e të rinj, duke shpërdoruar pushtetin. Papa e pranon si vendim përfundimtar.

R. SH. - Vatikan

Ish-kardinali amerikan Theodor Edgar McCarrick, 88 vjeç, u shkarkua nga gjendja klerikale. Njoftimi u dha sot, përmes një komunikate të Kongregatës për Doktrinën e  Fesë. Në vijim, teksti:

“Më datën 11 janar 2019, Kongresi i Kongregatës për Doktrinën e Fesë,  shpalli vendimin përfundimtar të procesit penal në ngarkim të Theodor Edgar McCarrick, kryeipeshkëv nderi i Washingtonit D.C (District of Columbia), me të cilin i akuzuari deklarohet fajtor për krimet e mëposhtme, kryer si klerik: ngacmim në rrëfyestore dhe shkelje e Urdhërimit të Gjashtë të Dekalogut me të mitur e të rinj, gjë që bëhet edhe më e rëndë, për shkak të pozitës së tij kishtare, prandaj dënohet me shkarkim nga gjendja klerikale. Më 13 shkurt 2019, Seksioni i Zakonshëm (Feria IV), i Kongregatës për Doktrinën e Fesë, shqyrtoi argumentet e paraqitura në kërkesën për prishjen e vendimit dhe vendosi ta konfirmojë dekretin e Kongresit. Ky vendim iu njoftua Theodor McCarrick më datën 15 shkurt 2019. Ati i Shenjtë e pranoi natyrën përfundimtare, sipas normës ligjore të këtij vendimi, i cili e bën çështjen res iudicata, domethënë, që nuk mund t’i nënshtrohet më asnjë kërkese për rishikim".

Rindërtim i ngjarjes

Në shtator 2017, kryedioqeza e New Yorkut  sinjalizon Selinë e Shenjtë për akuzat drejtuar kardinalit McCarrick nga një burrë, i cili e padit se kishte abuzuar me të në vitet ’70, kur ishte ende adoleshent. Lidhur me këtë, Papa vendos të bëjë një hetim të thellë në kryedioqezën e New Yorkut, në përfundim të të cilit dokumentacioni i përcillet Kongregatës për Doktrinën e  Fesë. Në qershor 2018 Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin, me porosi të Papës Françesku, jep udhëzimin që McCarrick të mos e ushtrojë më publikisht shërbimin meshtarak. Ndërkaq, me që gjatë hetimeve dalin prova të rënda, Papa, më 28 korrik 2018, pranon dorëheqjen e tij nga Kolegji Kardinalor, duke ia ndaluar ushtrimin e ministerit meshtarak publik, me detyrimin që ta kalojë jetën me lutje e pendesë.

Më 6 tetor 2018, një Komunikatë e Selisë së Shenjtë pohon me forcë: “Si shpërdorimet, ashtu edhe mbulimi i tyre, nuk mund të tolerohen e çdo trajtim tjetër për ipeshkvijtë që i kryen ose i fshehën, s’është tjetër, veçse  një formë e klerikalizmit, që nuk mund të pranohet kurrë më”.  Komunikata pohon me forcë edhe “ftesën e ngutshme të Papës Françesku që të bashkohen forcat për të luftuar kundër plagës së rëndë të abuzimeve brenda e jashtë Kishës si dhe për të  marrë masa parandaluese kundër krimeve të tilla në dëm të të pafajshëmve e të njerëzve më të ligshtë të shoqërisë”. Lidhur me takimin e kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore të mbarë botës në Vatikan, më 21 deri më 24 shkurt 2019, nënvizohen, më në fund, fjalët e Papës në Letrën drejtuar Popullit të Zotit: “E vetmja mënyrë që kemi për t’iu përgjigjur  kësaj së keqeje, e cila preku shumë jetë, është ta jetojmë si detyrë, që e përfshin e i përket mbarë Popullit të Zotit. Vetëdija se ndjehemi pjesë e një populli dhe e një historie të përbashkët, do të na mundësojë t’i pranojmë mëkatet dhe gabimet tona të së kaluarës e të bëjmë një pendesë të aftë për të na përtërirë shpirtërisht" (20 gusht 2018).

16 shkurt 2019, 16:17