Kërko

 Kardinali Marx Kardinali Marx 

Kardinali Marx: jo transparenca, por abuzimet dhe mbulimet e dëmtojnë Kishën

Relacioni i kryeipeshkvit të Munihut e Frisingës, kardinalit Marx, u përqendrua tek procedurat administrative: procese të tilla - nënvizoi - duhet të jenë në përkim të plotë me misionin e Kishës e t’u përgjigjen kritereve të trasparencës e të gjurmimit, përndryshe lind shpërdorimi i pushtetit, që mund të çojë në abuzime seksuale.

R. SH. - Vatikan

“Abuzimet seksuale mbi fëmijët e të rinjtë, në një masë jo të paktë, burojnë nga abuzimet e pushtetit në fushën e administrimit. Në këtë këndvështrim, administrimi nuk ka kontribuar për të kryer misionin e Kishës por, përkundrazi, e ka errësuar dhe diskredituar deri në atë masë, sa ta bënte të pamundur”. Ky, një nga fragmentet kryesore të relacionit, mbajtur nga kardinali Reinhard Marx, kryeipeshkëv metropolit i Munihut e Frisingës dhe kryetar i Konferencës ipeshkvnore gjermane. Duke folur në takimin kushtuar “Mbrojtjes së të miturve në Kishë”, që vijon në Vatikan,  e përqendroi relacionin e tij mbi temën “Transparenca, si bashkësi besimtarësh”.

Heshtja e detyruar e viktimave

Në relacionin e tij, kryetari i Konferencës ipeshkvnore gjermane, kujtoi se dramës së shpërdorimeve i shtohen edhe plagë të tjera të rënda: “Dosjet, që do të kishin mundur të dokumentonin aktet e tmerrshme e të tregonin edhe emrat e fajtorëve - shpjegoi kardinali Marx, i cili dje u takua me 16 viktima të abuzimeve - u shkatërruan ose nuk u hartuan kurrë. E në vend  të fajtorëve, e pësuan viktimat, që u detyruan të heshtnin.

Lutja, më e fortë se çdo procedurë

Kështu, të drejtat e viktimave u nëpërkëmbën. E u harrua se dashuria Zotit pasqyrohet në veprimet e tij të posaçme në ndihmë të njerëzve, jo në procedura administrative. Lutja është më e fortë se çdo procedurë. Sakramentet transmetojnë mëshirën e vërtetë, ndërsa administrimi mbetet një pjesë fare e vogël e kësaj bote.

E kjo pjesë e vogël, që mbetet, duhet të bazohet mbi drejtësinë - theksoi Kardinali Marx - duke pasur parasysh edhe se veprimtaria e Kishës nuk mund të jetë rigorozisht e thjesht shpirtërore”. T’i lësh mbas dore  aspektet  e Kishës, që kanë të bëjnë me botën e me ligjet e saj, nuk e ndihmon realitetin e Kishës. Duhen paguar pagat, duhen mbajtur ndërtesat kishtare, duhen respektuar kontratat, duhen ndërtuar sallat famullitare, duhet koordinuar bashkëpunimi, duhen respektuar kontratat, duhet shtypur materiali katekistik - një listë e pafundme, kjo...  Kisha, prandaj, ka nevojë për një administratë plotësisht funksionale, por që duhet të bazohet gjithnjë mbi parimin e drejtësisë.

E duke vijuar të flasë për administrimin e Kishës, kardinali theksoi se njerëzit duhet t’i besojnë njëri-tjetrit, të ndjehen të sigurt, të dëgjohen e të pranohen kritikat e tyre të ligjshme.

Shpërdorimi i pushtetit

Prej këndej, Prelati i lartë gjerman theksoi se administrimi mund të përdoret edhe keq. E për keqadminstrim mund të flitet kur drejtuesit mendojnë vetëm për vete e kur rregullat përdoren vetëm në shërbim të pushtetit të tyre. E ky quhet “shpërdorim pushteti nga ana e administratës”.

Në vijim kardinali Marx kërkoi që në administratë të ketë transperencë e gjurmim e të mos krijohen struktura pushteti anonim, duke theksuar se transparenca nuk e dëmton Kishën e se ajo dhe gjurmimi, janë faktorë vendimtarë.

Përcaktimi i kufirit të sekretit papnor

Kardinali gjerman foli, pastaj, edhe për masat më të rëndësishme që duhen marrë menjëherë. “Në epokën e mediave - kujtoi - kur informacionet mund të  merren menjëherë në facebook, Twiter e kështu me radhë, “duhet  ripërkufizuar  konfidencialiteti, sekreti e besueshmëria, duke i dalluar nga mbrojtja e të dhënave”. E kërkoi procedura më të përshtatshme, eskpozimin e fakteve në mënyrë më transparente, për të shmangur, kështu, rrezikun e teorive konspiracioniste, si dhe botimin e vendimeve gjyqësore.

23 shkurt 2019, 17:27