Kërko

Takimi mbi mbrojtjen e të miturve në Vatikan Takimi mbi mbrojtjen e të miturve në Vatikan  Editorial

Katër ditë, që do të lënë shenjë

Nga 21 deri më 24 shkurt, Takimi në Vatikan për mbrojtjen e të miturve: ndërgjegjësim, dëgjim i viktimave, diskutim mbi përgjegjësinë e ipeshkvijve dhe transparencë.

R.SH. - Vatikan

Andrea Tornielli

Takimi për mbrojtjen e të miturve, që mbahet në Vatikan, është i destinuar të lërë shenjë. Më parë se thellimi në direktivat e domosdoshme konkrete mbi ç’duhet bërë përballë plagës së abuzimeve, do të lërë shenjë vetëdijësimi i gjithë Kishës për pasojat dramatike dhe të pashlyeshme mbi fëmijët, që i kanë vuajtur.

Zërat e fëmijëve dhe të të rinjve, viktima të pambrojtura të kësaj dhune të turpshme, nuk do të mbeten pa u dëgjuar. Britma e tyre është e destinuar ta thyejë barrierën e heshtjes, që, për shumë kohë, ka qenë pengesë për ta kuptuar çështjen.

Objektivi i parë, në vazhdën e dëshmisë personale të dy Papëve të fundit, që i kanë takuar sistematikisht viktimat, i kanë dëgjuar, kanë qarë e janë lutur me ta, është pra, ndërgjegjësimi se abuzimi i të miturve nga ana e klerikëve dhe e rregulltarëve është akt i neveritshëm. Një akt, që e shporon përgjithmonë shpirtin e djemve dhe të vajzave, që u janë besuar priftërinjve nga prindërit, për t’i edukuar në fe. Para së gjithash, nuk është çështje ligjesh e normash, as çështje bishtash burokratike e as statistikash. Bëhet fjalë për dëgjimin e viktimave, në përpjekjen për ta ndjerë dramën e tyre të dhimbshme, për t’i bërë tonat plagët e përgjakura, që kanë mbi vete. Kërkohet ndryshim mendësie, që askush të mos bëjë gjoja se nuk sheh, të mos fshehë, të mos mbulojë, të mos minimizojë.

Për herë të parë, tema do të trajtohet sipas një interpretimi global, sipas përvojave dhe kulturave të ndryshme. Në ditën e parë, tema kryesore është ajo e përgjegjësisë së ipeshkvijve për detyrat e tyre baritore, shpirtërore dhe juridike. Dita e dytë do të merret kryesisht me “llogaridhënien” (accountability), duke diskutuar zgjidhjet, që duhet të miratohen në përputhje me të Drejtën Kanonike, për të vlerësuar rastet kur barinjtë e Kishës nuk e kanë kryer detyrën dhe kanë vepruar me neglizhencë. Së fundi, dita e tretë do t’i kushtohet impenjimit për transparencë në procedurat e brendshme të Kishës, para autoriteteve civile, por sidomos, para Popullit të Zotit, kontributi i të cilit është thelbësor, për t’i bërë më të sigurta vendet e frekuentuara nga të miturit. Përfundimi i punimeve, të diel, pas meshës së kremtuar në Sallën Regia, i është besuar Papës Françesku.

Në Vatikan po mbahet, para së gjithash, një takim kishtar, dialog ndërmjet barinjve të Kishës në bashkim me Pasardhësin e Shën Pjetrit. Pikërisht, për këtë arsye, lutja e shoqëruar me dëgjimin e viktimave, do të karakterizojë çdo ngjarje. Tri ditët e para të punës do të kulmojnë në liturgjinë pendestare, sepse, përballë humnerës së mëkatit, sidomos, të një mëkati kaq të rëndë dhe të neveritshëm, besimtarët janë të thirrur të kërkojnë me përvujtëri falje për plagën e shkaktuar në korpin kishtar dhe në dëshminë ungjillore të tij.

Ky hap i ri është i fundit në kohë për Kishën, pas një serie të gjatë, filluar pak më shumë se njëzet vjet më parë, me emetimin e ligjeve gjithnjë e më të rrepta dhe më të frytshme në luftën kundër plagës së abuzimeve. Procedura, që kanë bërë të mundur uljen drastike të rasteve, siç tregojnë të gjitha raportet e publikuara kohët e fundit: në fakt, denoncimet, në shumicën dërrmuese, kanë të bëjnë me raste të shumë viteve më parë, para se të hynin në fuqi normat e reja.

Me takimin që u hap në Vatikan, Kisha i tregon udhën jo vetëm hierarkisë dhe bashkësive të veta, por jep edhe një dëshmi plot vuajtje e merr përsipër një impenjim të veçantë për gjithë shoqërinë. Sepse mbrojtja e të miturve është çështje, që i prek të gjithë, siç dëshmojnë shifrat mbresëlënëse mbi të miturit e abuzuar në botë.

21 shkurt 2019, 14:52