Kardinali Pietro Parolin në Lumsa Kardinali Pietro Parolin në Lumsa 

Kard. Parolin: Selia e Shenjtë në vijën e parë të frontit për mbrojtjen e njeriut

Sekretari i Shtetit të Vatikanit merr pjesë në konferencën “Selia e Shenjtë dhe Shtet-Qyteti i Vatikanit, në kuadrin e ri ndërkombëtar”, promovuar nga Shkolla e lartë e formimit në të Drejtën Kanonike, Kishtare dhe Vatikanase, me rastin e 90-vjetorit të nënshkrimit të Pakteve të Lateranit.

R.SH. - Vatikan

“Sfidat e sotme janë sfida për paqen. Në një botë kaq të copëzuar e kaq konfliktuale, ku duket se nuk respektohet më parimi i pjesëmarrjes shumëpalëshe, Selia e Shenjtë duhet të vazhdojë të japë kontributin e saj në mbrojtjen e dinjitetit të njeriut e në ndërtimin e shoqërive e të kombeve paqësore”. Këtë nënvizoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, duke folur në konferencën me temë “Selia e Shenjtë dhe Shtet-Qyteti i Vatikanit, në kuadrin e ri ndërkombëtar”. Kjo ditë studimore u organizua në Universitetin romak kishtar Lumsa, nga Shkolla e lartë e formimit në të Drejtën Kanonike, Kishtare dhe Vatikanase, me rastin e 90-vjetorit të nënshkrimit të Pakteve të Lateranit (11 shkurt 1919), akt, që sanksionoi fillimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Italisë dhe Selisë së Shenjtë.

Selia e Shenjtë, një neutralitet pozitiv

         Në relacionin, që mbylli takimin, prelati vuri në dukje rrënjët e Pakteve të Lateranit dhe nënvizoi detyrat e sotme të Selisë së Shenjtë. Në kuadrin ndërkombëtar, si dje, ashtu edhe sot, Selia e Shenjtë luan “rolin e lajmëtarit” në gjithë botën. Kumton Lajmin e Mirë të Krishtit, sidomos përmes “promovimit të të drejtave të njeriut”. Shteti i Papës është në lidhje të vazhdueshme me të gjitha vendet, për “t’i siguruar njerëzimit një të ardhme të denjë”, pavarësisht se mbetet në “neutralitetin e tij pozitiv”, siç nënvizoi kardinali Parolin. Pra, Selia e Shenjtë nuk qëndron thjesht në dritaren e botës, por kontribuon në dialogun ndërmjet palëve.

Paktet e Lateranit janë akoma jetësore

         Paktet e Lateranit përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në histori, pasi i dhanë fund konfliktit ndërmjet shtetit e Kishës në Itali, duke zgjidhur edhe problemin e katolikëve, që duhej t’i qëndronin besnikë si atdheut, ashtu edhe Kishës. Që nga 11 shkurti i vitit 1929, zgjidhjet e gjetura atëherë janë akoma të vlefshme e jetësore për mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

08 shkurt 2019, 14:50