Kërko

Kardinali indian Oswald Gracias në Takimin “Mbrojtja e të miturve në Kishë” Kardinali indian Oswald Gracias në Takimin “Mbrojtja e të miturve në Kishë” 

Kard. Gracias: Kishë kolegjiale, për ta zhdukur plagën e abuzimeve

Në relacionin e tij, në ditën e dytë të Takimit “Mbrojtja e të miturve në Kishë”, që po vijon në Vatikan, kardinali indian Osëald Gracias e përqendron vëmendjen në shoshitjen dhe në veprimet, që i parandalojnë abuzimet. Kurrë të mos minimizojmë, pohon, në dëm të viktimave.

R.SH. - Vatikan

“Kishë kolegjiale, që merr përsipër përgjegjësinë për të ardhmen”. Këtë kërkon kryeipeshkvi i Bombeit, kardinali Osvald Gracias, ish-kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Indiane dhe anëtar i Komitetit organizativ të Takimit për “mbrojtjen e të miturve në Kishë”, që mbahet në Vatikan deri të dielën. Në relacionin e tij, pas lutjes, që hapi ditën e dytë të konferencës, kushtuar “llogaridhënies” (accountability), prelati thekson se nevojitet një Kishë kolegjiale dhe sinodale, në gjendje të përballet me një “krizë të shumëanshme”, shkaktuar nga abuzimi seksual me fëmijët dhe të rriturit e pambrojtur “në Kishën Katolike” dhe nga “paaftësia e mëvonshme për ta përballuar haptas, me përgjegjësi dhe frytshmëri”. Kardinali tregon se ditët e fundit, është takuar me një grup prej 12 viktimash. Nënvizon se nuk ishte në gjendje as të fliste para zemërimit, zhgënjimit, dhimbjes së tyre, para pafuqisë dhe hidhërimit, që ndjenin. Por, informon ai, ka shumë njerëz të tjerë, që ende nuk janë dëgjuar. Sfida, pra, është: “Si t’i ndihmojmë”.

Jemi përgjegjës për gjithë Kishën

“Secili prej nesh - shpjegon kardinali kryeipeshkëv i Bombeit - është përgjegjës për gjithë Kishën”, e shqetësohet jo vetëm për Kishën lokale. Edhe nëse ka vende ku problemi i abuzimit me të miturit nuk është i mprehtë, ipeshkvijtë e tij duhet të kenë parasysh ndikimin e gjendjes së krejt Kishës mbi besimtarët e tyre. Kardinali Gracias propozon decentralizimin e punës. Çdo ipeshkëv, thekson ai, i përgjigjet drejtpërdrejt Atit të Shenjtë. Por, nëse secili ballafaqohet më parë me ipeshkvijtë e tjerë, që mund të japin mendime e të korrigjojnë gabimet e bëra, Kisha do ta përballonte problemin në mënyrë më kolegjiale. Udha, sipas tij, është ajo e “konfrontimit ndërmjet Kuries Romake dhe Konferencave të ndryshme Ipeshkvnore”, duke e decentralizuar punën, për t’i dhënë më tepër rëndësi Konferencës Ipeshkvnore në studimin dhe hetimin e rasteve të shpërdorimit.

Shërimi

“Një Kishë kolegjiale – vijon kardinali – vendos drejtësi për viktimat dhe përcakton udhën e shërimit”. Komunikon qartë, me transparencë dhe koherencë me viktimat, me besimtarët dhe me shoqërinë në përgjithësi. Mesazhet duhet të jenë të ndryshme. Ai, që u drejtohet viktimave, duhet të përmbajë “solidaritetin e respektin, si edhe duhet të pranojë sinqerisht dhimbjet dhe vuajtjet e tyre”. Mesazhi-propozim për shërimin, duhet të përvijojë një udhë, që fillon nga “këshillat profesionale në mbështetje të grupmoshave të ndryshme” deri tek përdorimi i mjeteve për të trajtuar edhe ata, që po bëjnë keq. Pastaj, kardinali përmend mesazhin, me të cilin identifikohen dhe zbatohen masat “për të mbrojtur të rinjtë dhe të ligshtit nga abuzimet e ardhshme”. E së fundi, atë, drejtuar shoqërisë në përgjithësi, së cilës mund t’i kalohet përvoja për përballimin e plagës së abuzimit me të miturit, urgjente jo vetëm për Kishën, por për gjithë botën.

22 shkurt 2019, 13:38