Kërko

Kardinali Lorenzo Baldisseri me indigjenë nga Brazili Kardinali Lorenzo Baldisseri me indigjenë nga Brazili 

Kard. Baldisseri: Sinodi panamazonik është ngjarje kishtare, jo politike

Kardinali Lorenzo Baldisseri, sekretar i Sinodit të ipeshkvijve, hapi në Vatikan punimet e seminarit në përgatitje të Sinodit panamazonik, që përfundoi sot. Në intervistën me Vatican News shpjegon kuptimin e tij: “Udhë të reja për të përforcuar ‘fytyrën amazonike’ të Kishës”.

R.SH. - Vatikan

Përfundoi sot në Romë, një seminar i organizuar nga Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit të ipeshkvijve, me titull: “Drejt sinodit të veçantë për Amazonën: përmasa rajonale dhe universale”. I kërkuam Sekretarit të Sidonit, kardinalit Lorenzo Baldisseri, i cili i hapi punimet të hënën, të na shpjegojë kuptimin dhe objektivat e nismës.

Hirësia juaj, përmasa rajonale bie menjëherë në sy. Cila është ajo universale?

Seminari në fjalë është një nga nismat e shumta të Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve për të përgatitur si duhet Sinodin e veçantë për Amazonën, që do të mbahet në Romë në tetor. Siç dihet, Sinodi në vetvete është një asamble kishtare, që trajton tematika lidhur me ungjillëzimin dhe praninë e Kishës në botë; nuk është ngjarje politike. Kushtetuta e fundit Apostolike “Episcopalis Communio” përcakton se Sinodi i Ipeshkvijve mblidhet në Asamble të veçantë “nëse trajtohen tema, që kanë të bëjnë me një, ose me shumë zona gjeografike” (neni 1, pika 3). Por nuk mund të trajtohen çështje, që kanë të bëjë vetëm me një territor, duke përjashtuar gjithë të tjerët. Do të ishte në kundërshtim me vetë natyrën e Kishës, siç shpjegon Shën Pali: “Nëse vuan një gjymtyrë, vuajnë së bashku të gjitha gjymtyrët; e nëse nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të” (1 Kor 12,26). Kjo vlen edhe për rastin e Amazonës. Sigurisht, me realitetet e saj të veçanta dhe me dinamikat e ndërlikuara, ajo mbetet në qendër të udhës sindale. Megjithatë, shumë çështje, që kanë të bëjnë kryesisht me atë territor, ndikojnë në zona të tjera të planetit. Le të mendojmë, për shembull, çështjet ekologjike për pellgun e Kongos, për pyjet tropikale të Paqësorit aziatik, për pellgun ujëmbajtës të Guaranìsë. Për këto arsye, në seminar u ndërthurën përmasa rajonale dhe universale. Iu dha fjala, së pari, atyre që vinin nga territori amazonik, sepse kanë përvojë të drejtpërdrejtë e, pastaj, u dëgjuan zëra të tjera, që plotësojnë perspektivën.

Cilat janë vijat e përgjithshme, synimet e Sinodit të veçantë për Amazonën?

         Qëllimet e Sinodit të veçantë përmblidhen në titullin e zgjedhur nga Ati i Shenjtë: “Amazona: udhë të reja për Kishën e për ekologjinë e gjithanshme”. Të hapen udhë të reja për Kishën do të thotë të favorizohet protagonizmi i bashkësisë së krishterë, e cila, gjithmonë, është në shërbim të popullsive lokale, me veprën e ungjillëzimit dhe të promovimit njerëzor. Përforcimi i “fytyrës amazonike” të Kishës kërkon përtëritjen e strategjisë ungjillëzuese, paraqitjen e një paradigme të re apostolike, që di ta fuqizojë praninë e krishterë në terriror, jo vetëm përmes misionarëve nga jashtë. Sot, duhet të gjejmë forma të reja veprimi baritor, sipas nevojave të bashkësive të vogla, larg nga njëra-tjetra e me një origjinalitet të jashtëzakonshëm. Përsa i përket ekologjisë së gjithanshme, është një temë me frymëmarrje të gjerë, që i përket thellësisht natyrës dhe njeriut, gjithësisë dhe krijesave, që banojnë në të. Në Enciklikën “Laudato si’”, Papa Françesku flet për Tokën si për “Shtëpinë e përbashkët”, që duhet mbrojtur e ruajtur, me kujdes të veçantë për popullsitë indigjene, të cilat vuajnë më shumë nga pasojat shkatërrimtare të politikave grabitqare, që godasin njerëzit e mjedisin. Në këtë realitet, sfida e çastit është gjetja e ekuilibrit ndërmjet kërkesës së ligjshme për zhvillim dhe përdorimit me kriter të burimeve natyrore, duke pasur parasysh edhe popullsitë lokale, pa i konsideruar pasive ndaj vendimeve, që i marrin të tjerët.

Inkulturim, ekologji e gjithanshme, indigjenët dhe bashkëjetesa e popujve të ndryshme ndërmjet tyre: ç’u mëson Amazona bashkësive të kontinenteve të tjera?

         Këto fjalë tregojnë se Sinodi i veçantë ka pashmangshëm përmasë universale, që e kapërcen kufirin e territorit të shtrirë amazonik (6.7 milion km2). Inkulturimi i Ungjillit - domethënë “mishërimi” i mesazhit të krishterë në shprehjet kulturore dhe shpirtërore të popujve - është sfidë për të gjitha bashkësitë e krishtera, në një botë, që ndryshon me shpejtësi. Për këtë, Papa Françesku, në Puerto Maldonado (Peru) në janar të vitit 2018, theksoi rëndësinë e përdorimit të urtisë dhe të pasurisë së traditave kulturore të atyre popujve. Po kështu, ekologjia e gjithanshme – sipas së cilës, Zoti, njeriu dhe mjedisi konsiderohen në marrëdhënie intime – ka të bëjë me gjithë planetin, sepse kudo këto marrëdhënie duken të kërcënuara. Simptomat e prishjes së këtyre marrëdhënieve janë mospërfillja e etikës në konceptimin e zhvillimit, shpejtësia e ndryshimit dhe e degradimit, fatkeqësitë natyrore, krizat shoqërore dhe financiare. Në fushën shkencore, nuk mungojnë studimet, që ia atribuojnë këto fenomene natyrore ngrohjes globale të vazhdueshme, me pasoja tragjike për dekadat e ardhshme. Përsa i përket çështjes indigjene dhe bashkëjetesës ndërmjet popullsive të ndryshme, kemi të bëjmë me realitete të rëndësishme shoqërore,e që ndikojnë mbi territor, por gjithnjë e më shumë, edhe mbi zonat e tjera të planetit. Le të mendojmë për fenomenin global të emigracionit, që përfaqëson sot një nga problemet më të mprehta për vende të ndryshme në botë. Në këtë kuadër, vështrimi mbi Amazonën mund të jetë një laborator premtues për reflektimin kishtar dhe shoqëror.

27 shkurt 2019, 12:05