Kodi i së Drejtës Kanonike Kodi i së Drejtës Kanonike 

E drejta kanonike dhe legjislacioni, në rast abuzimesh

Abuzimet seksuale në Kishë: çfarë thonë e drejta kanonike dhe legjislacioni kishtar? Cilat janë masat e parashikuara nga Kisha në këto situata? E cilat, dënimet? Një sqarim për këto çështje të ndërlikuara juridike, lidhur me Takimin ndërkombëtar për mbrojtjen e të miturve, që do të fillojë nesër, në Vatikan.

Në prag të takimit, që nis nesër në Sallën e re të Sinodit, në Vatikan, e do të vijojë deri më 24 shkurt, në mikrofonin e Vatican News flet Bernard Callebat, specialist i së Drejtës kanonike, mësues e studiues në fakultetin e kësaj lënde, pranë Institutit Katolik të Tuluzës, duke u ndaluar mbi disa probleme juridike, që kanë të bëjnë me çështjen delikate të shpërdorimeve mbi të miturit në mjediset kishtare, duke nisur nga çka thotë për këtë e Drejta Kanonike:

“Në vijë të përgjithshme, nuk është vetëm Kodi i së Drejtës Kanonike, në Librin VI, që i dënon aktet e dhunës seksuale, por e tërë disiplina kishtare,   e cila i rregullon proceset e shpërdorimit, dje, si sot. Hetimet e ndryshme, zhvilluar në Irlandë (Raporti Murpfy e Raporti Ryan), si dhe ato në SHBA (John Jay report) i patën rënë qëkur këmbanës së alarmit për abuzimet e kryera mbi të miturit, por pa e sinjalizuar Kurien Romake. Kjo ecuri ishte jashtëzakonisht e dëmshme, sepse u krijoi disa ipeshkvijve kushtet t’i mbulojnë aktet e abuzimeve e t’i fshehin edhe të vetat. U desh të prisnim Motu Proprion Sacramantorum sanctitatis tutela të Shën Gjon Palit II, për të arritur tek vendimi, sipas të cilit ipeshkvijtë e kishin për detyrë të sinjalizonin Kongregatën për Doktrinën e Fesë (CDF) lidhur me krimet më të rënda. Në një Motu Proprio botuar më 4 qershor 2016, Papa Françesku u shty edhe më  tej, duke vënë në dukje edhe pakujdesinë e eprorëve rregulltarë, që mund të largoheshin nga funksionet e tyre. Tani është themeluar Komisioni papnor, për t’i përballuar të  gjitha çështjet, që lidhen me mbrojtjen e  të miturve”.

Në rast sinjalizimesh për abuzime, cila është procedura  që duhet ndjekur në nivel lokal?   

“E drejta që zbatohet, është ajo e parashikuar në tekstin romak të vitit 2001.  Sipas tij, ipeshkvi ose eprori rregulltar, sapo të jetë njohur me rastin, duhet kryesisht të shqyrtojë akuzat për abuzim seksual, që mund të jetë kryer nga ana e klerikut. Rasti duhet ndjekur me maturi të madhe, duke shqyrtuar mirë sinqeritetin e akuzuesve, për t’u siguruar se nuk bëhet fjalë për akuza të rreme. Nëse akuzat duken të drejta, autoriteti kishtar duhet t’ia përcjellë çështjen Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Sipas disa mjeteve të së drejtës civile, i njëjti autoritet kishtar e ka për detyrë t’ia kalojë çështjen përfaqësuesit gjyqësor të autoritetit shtetëror”.

Cilat janë dënimet e mundshme?

“Duhet vërtetuar natyra e krimit të kryer. E pastaj të merret edhe masa, në përkim me legjislacionin penal. Në vijë të përgjithshme, për krimet më të shëmtuara, dënimi më i madh mund të jetë kalimi në gjendje laikale. Në planin kishtar nuk parashikohet dënimi me burgim, gjë që  mund të ndodhë në planin civil. Në planin kishtar mund të mendohet një formë e veçantë e mbylljes në ndonjë manastir, kufizimi i shërbesës publike, ndëprerja e akteve publike fetare. Në rast abuzimesh seksuale të urryera ose akteve të rënda, kryer kundër të miturve, dënimet duhet të jenë në përpjestim me  krimin e kryer nga kleriku”.

Cilat janë pasojat e shkarkimit nga gjendja klerikale? A e shlyejnë sakramentin e shugurimit?

“Çështja është shumë e rëndësishme, mbasi fjalët që përdoren për këtë rast, mund të krijojnë moskuptime të rënda në publik. Shkarkim nga gjendja klerikale do të thotë kthim në gjendje laikale. Natyrisht në këtë rast  kleriku fajtor nuk mund ta kryejë më detyrën, por as nuk kthehet në gjendjen e parashgurimit. Përjashtohet nga detyrimet klerikale, por nuk e humbet në mënyrë absolute të drejtën për t’i kremtuar sakramentet në mënyrë të vlefshme, në disa raste. Mbetet në plan ngushtësisht sakramentor, diakon, prift a ipeshkëv”.

A mund të bëhet apelim kundër vendimeve të Kongregatës për Doktrinën e Fesë?

“Në vijë parimore, nuk është e mundur t’i kundërvihesh vendimit të marrë nga Kongregata për Doktrinën e Fesë. Mund t’i drejtohesh, ndërkaq,  Gjykatës Apostolike që, në funksionin e saj administratitv, mund të verifikojë nëse është respektuar procedura e ndjekur nga dikasteri. E pastaj mbetet kërkesa për falje nga Papa, Sovran absolut në lëndën gjyqësore”.

Ç’vend zënë viktimat në procesin kanonik?

“Viktimat duhet të gëzojnë të drejtat e parashikuara nga tekstet mbi mbrojtjen e besimtarëve, me titullin palë në gjykim, në pritje të drejtësisë; ndërsa viktima, që nga çasti kur nis procedura penale, administrative ose kanonike. Së pari, autoritetet kishtare duhet të sigurohen nëse viktimat shoqërohen nga këshilltarë ose avokatë të specializuar, gjatë zhvillimit të procedurave të ndryshme. Në çdo rast, viktimat do të mbrohen gjatë gjithë zhvillimit të procesit gjyqësor”.

 A është e mundur reforma e drejtësisë kanonike. Nëse po, në ç’drejtim?

“Për analogji me procedurat e anulimeve martesore, lidhur me paaftësitë psikologjke ose psikiatrike (neni 1095,3°), një nga reformat do të mund të ishte ajo, që ka të bëjë me deklarimin e anulimit të shugurimit ipeshkvnor, meshtarak ose diakonal të atyre, që kanë kryer praktika homoseksuale ose  dhunë seksuale. Procedura ekziston, por vënia e vazhdueshme në jetë do të krijonte kushte për t’i përjashtuar përfundimisht subjeket, që kanë më shumë faj. Çështja është kështu: çrregullimet ndjenjësore e shfuqizojnë në mënyrë të pakundërshtueshme të drejtën  e atij, që paraqitet për të marrë sakramentin e meshtarisë. Kjo reformë do ta zhdukte, e përsërisim, dykuptimësinë e masës ndëshkimore aktuale të reduktimit në gjendje laikale, formulë e papërshtatshme, sepse fajtori nuk reduktohet në gjendje laikale. Thjesht, pezullohet nga detyrat klerikale, por duke ruajtur  statusin klerikal e edhe vetë të drejtën, në rast nevoje a në rrezik vdekjeje,  ta kryejë përsëri detyrën fetare”.

20 shkurt 2019, 18:13