UAE-VATICAN-RELIGION-POPE-ISLAM UAE-VATICAN-RELIGION-POPE-ISLAM 

Dokumenti i Abu Dabit: kard. Sandri, të shpërndahet te Kishat Lindore për t'u njohur

Deklarata për 'Vëllazërimin njerëzor' e 4 shkurtit 2019 është një dokument i rëndësishëm "për t’u njohur, studiuar dh shpërndarë të gjitha Kishave të Lindjes. Kështu kemi mundësinë e bashkëjetesës paqësore, dënimin e gjitha formave të dhunës verbale ose fizike apo fundamentaliste që përdorin emrin e Zotit për të përfituar projekte apo pushtet.

R.SH. - Vatikan

“Dokumenti mbi vëllazërimin njerëzor për paqen botërore dhe bashkëjetesën e përbashkët”, nënshkruar më 4 nëntor 2019 në Abu Dabi, nga Papa Françesku dhe Imami i Madh i Al Azharit, Ahmed Al-Tayyib, është një dokument i rëndësishëm "për t’u njohur, për t’u studiuar, për t’u shpërndarë, e Dikasteri ynë këtë Dokument të Abu Dabit do t’ua dërgojë të gjithë udhëheqësve të Kishave katolike të Lindjes, në mënyrë që ata ta përhapin në komunitetet e tyre."  Kështu tha Kard. Leonardo Sandri, Prefekt i Kongregatës së Vatikanit për Kishat Orientale, në fjalën e tij gjatë Liturgjisë Hyjnore kremtuar në ritin siro-antiokian Maronit në Kolegjin Papnor Maronit në Romë, me rastin solemnitetit të Shën Marun-it, pajtorit qiellor dhe themeluesit të Kishës Maronite të Antiokisë.

Duke iu referuar udhëtimit Papës Françesku në Emiratet e Bashkuara Arane dhe takimit të Bari-t, kardinali Sandri pohon se "takimet ndërmjet liderëve dhe ndjekësve të konfesioneve të ndryshme të krishtera dhe feve kanë qenë një mesazh dhe një laborator”.

Një mesazh sepse "e njëjta përvojë e të qenurit së bashku, shtrëngimi i duarve, pa mohuar ose pa vënë anash identitetin dhe traditën e vet, propozon dhe paraqet para të gjithëve mundësinë e bashkëjetesës paqësore, duke nxjerr jashtë ligjit e duke dënuar të gjitha format e dhunës verbale ose fizike apo fundamentaliste që përdorin emrin e Zotit për të fituar e përfituar projekte apo pushtet”.

Një laborator, sepse "ne e dimë se sa shumë punë ishte e nevojshme për të ardhur deri në këto ngjarje e takime dhe, se sa do të shërbejë akoma që, vërtetë, të jenë fara që mbin dhe rriten”.

“Dokumenti që u nënshkrua në Abu Dabi, siç pohoi Papa Françesku në bisedë me gazetarët, gjatë kthimit të tij nga Abu-Dabi në Romë, më 5 shkurtin e kaluar, u përgatit pas reflektimeve e lutjeve të shumta. Si Imami i Madh, ashtu edhe ekipi i tij, si unë, ashtu edhe ekipi im, jemi lutur shumë për të arritur në këtë dokument. Sepse për mua, në këtë çast, ekziston vetëm një rrezik i madh: shkatërrimi, lufta, urrejtja mes nesh. Nëse ne besimtarët nuk jemi në gjendje t’i japim dorën njëri-tjetrit, të përqafohemi, të puthemi e, edhe të lutemi, feja jonë do të mposhtet. Ky Dokument – tha Papa Bergoglio - lind nga besimi në Zotin, i cili është Ati i të gjithëve dhe Ati i Paqes. Ai dënon çdo shkatërrim, çdo terrorizëm, që nga terrorizmi i parë i historisë, ai i Kainit. Është Dokument, për të cilin kemi punuar gati një vit, me ecejake, me lutje... mbeti aty për t’u pjekur mirë, pak konfidencial, që fëmija të mos lindte para kohe. Të ishte siç duhet”. 

11 shkurt 2019, 13:26