Kërko

 Dita e tretë e takimit kushtuar mbrojtjes së të miturve, në Vatikan Dita e tretë e takimit kushtuar mbrojtjes së të miturve, në Vatikan 

“Transparenca” në qendër të ditës së tretë kushtuar të miturve, në Vatikan

Dita e tretë e takimit në Vatikan. Gjatë lutjes fillestare u lexua përvoja e një të shpërdoruari. “Jam i lodhur e i këputur, më duket sikur fshihem pas mureve të tyre, pas dinjitetit të tyre, roleve të tyre, që nuk mund t’i kuptoj. Më dhemb shpirti, sepse u shpërdorova e sidomos sepse ata që më fyen, që duhej të ishin shërbëtorë të së vërtetës e të dritës, fshihen në errësirë”.

R. SH. - Vatikan

“Transparenca” është tema, në qendër të ditës së tretë të takimit në Vatikan, kushtuar “Mbrojtjes të të miturve në Kishë”(21-24 shkurt).  Temat e dy ditëve të para ishin ajo e përgjegjësisë dhe e llogaridhënies.

Nuk mund të ketë fryte drite, pa drejtësi e vërtetësi

Edhe sot paradite punimet u hapën në Sallën e Re të Sinodit, në praninë e Papës, me lutjen e hyrjes. Pas Himnit “Eja, o Shpirt Krijues”, u lexua një fragment shkëputur nga Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Efezianëve (Ef 5,1-11):

“Dijeni mirë këtë: asnjë i fëlligësht, asnjë kurvar, asnjë lakmues pasurie ‑ që është idhujtar ‑ nuk ka pjesë në Mbretërinë e Krishtit e të Hyjit. Mos t’ju gënjejë kush me fjalë të kota: për këto gjëra mbi kokën e atyre që nuk duan të binden, bie zemrimi i Zotit.  Mos kini, pra, asgjë të përbashkët me ta! Dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë, në Tënzonë. Jetoni, prandaj, si bij të dritës. Fryti i dritës është mirësia, drejtësia, vërtetësia. Bëni, prandaj, çka i pëlqen Hyjit! Mos merrni pjesë në veprat e territ, por përkundrazi, dënojini haptas!”.

Një i shpërdoruar: shërbëtorët e dritës fshihen në errësirë

Si ditët e mëparshme, takimi vijoi me leximin e përvojës së një të shpërdoruari:

“E ndjej veten si lypësi tek portat e kështjellës. Lypës, që shtrin dorën për drejtësi, për dritë. E që, në vend të tyre, merr heshtjen e tepër pak informacion. Jam i lodhur e i këputur. Më duket sikur fshihem pas mureve të tyre, pas dinjitetit të tyre, roleve të tyre, që nuk mund t’i kuptoj. Më dhemb shpirti, kur mendoj se u shpërdorova! Më dhemb, pse nuk duan ta thonë të vërtetën e sepse ata, që duhet të ishin shërbëtorë të së vërtetës e të dritës, fshihen në errësirë”.

“Shpëtona, o Zot, nga tundimi i mohimit të krimeve!

Një heshtje e thellë e pushtoi Sallën, para lutjes përfundimtare:

“O Zot Shenjt, ti që na thirre në udhën e shenjtërisë e i dërgove dishepujt e tu si dëshmitarë të së vërtetës! Ti, që na shndrite me dritën e Ungjillit e dëshiron të jetojmë si bij të dritës! Të lutemi: na e jep guximin të themi të vërtetën e lirinë ta shpallim me zë të lartë përgjegjësinë tonë. Shpëtona nga tundimi i mohimit të krimeve e fshehjes së padrejtësisë. E na e jep forcën të rifillojmë nga e para e të mos dorëzohemi, kur fajet e mëkatet tona e errësojnë dritën e Ungjillit. Na e forco besimin në Birin tënd, që është e  vetmja udhë, e vetmja e vërtetë, e vetmja jetë! Emri yt qoftë lavdëruar për amshim!”.

Tre relacione dhe liturgjia pendestare

Programi i sotëm parashikonte dy relacionet, që u mbajtën paradite. Relacioni i parë ishte ai i motrës Veronika Openibo, eprore e përgjithshme e Shoqërisë së Krishtit Fëmijë. Tema: “Të jemi të gatshëm, të dërguar në botë”. Relacionin e dytë e mbajti kardinali Reinhard Marx, kryeipeshkëv i Munih-Frisingës, kryetar i Konferencës ipeshkvnore gjermane, që reflektoi rreth temës: “Një bashkësi transparente besimtarësh”. Relacioni i tretë, me temë “Komunikmi: për të gjithë njerëzit”, do të mbahet pasdite, nga gazetarja vatikaniste meksikane, Valentina Alazrali,

Në orën 17.30 - liturgjia pendestare në Sallën Regia.

Nesër, në orën 9.30, takimi do të përfundojë me Meshën, kremtuar në Sallën Regia.

23 shkurt 2019, 13:26