Kërko

 Kardinali Cupich Kardinali Cupich 

Kard. Cupich: Kisha të jetë nënë e dhimbshme, plot dashuri për viktimat e abuzimeve

Në Relacionin e kryeipeshkvit të Çikagos për takimin mbi mbrojtjen e të miturve, theksohet: “Çdo masë duhet lidhur me dhimbjen e të dhunuarve e të familjarëve. Strukturat e reja llogaridhënies duhen bazuar mbi dëgjimin e viktimave, dëshmitarëve laikë si dhe mbi kolegjialitetin në vendime e në shoqërim”.

R. SH. - Vatikan

“Kisha duhet të jetë nënë e dhimbshme për të gjithë ata, që u shpërfytyruan nga abuzimet e klerit. Prandaj ne, krerët e Kishës, duhet t’i lidhim të gjitha masat tona me dhimbjen e thellë të atyre, që u shpërdoruan dhe të familjeve të tyre, që vuajtën e vuajnë me ta”. Kardinali Blasé Joseph Cupich, që është edhe kryetar i komisionit për mbrojtjen e të miturve pranë Konferencës Ipeshkvnore të SHBA-ve, ishte relatori i ditës së dytë të takimit kushtuar “Mbrojtjes së të miturve  në Kishë”, që vijon në Vatikan. E hapi relacionin e tij me temë “Sinodaliteti: përgjegjësi e jetuar së bashku”, në ditën kushtuar “detyrës për të dhënë llogari”, duke i ftuar  pjesëmarrësit, kryetarë konferencash ipeshkvnore nga mbarë bota dhe anëtarë të Kuries Romake, për afërsi të thellë me të shpërdoruarit, prindërit e tyre dhe besimtarët, në përgjithësi.

Kur Kisha i mbulon abuzimet, për t’i mbrojtur shpërdoruesit

Sepse, shpjegoi kardinali Kupich - këta shikojnë vëmendjen e pakët që tregohet ndaj fëmijëve, ose, edhe më keq akoma, përpjekjen për t’i mbuluar abuzimet e për të mbrojtur abuzuesin ose institucionin. E pyesin veten: “A nuk tregon kjo sjellje se Kisha është shkëputur nga prindërit aq, sa të na i shpërdorojë fëmijët, dritën e syve tanë? E ç’mund të presim atëhere, prej këtyre barinjve?”.

Vetëm një vizion sinodal mund të ndihmojë për mbrojtjen e më të ligshtëve

Në vijim kardinali Cupich nënvizoi se vetëm një vizion sinodal, i themeluar mbi shoshitjen, kthesën e reformën në çdo nivel, mund të realizojë në Kishë një aksion global në mbrojtje të të miturve e të më të ligshtëve në mes nesh, gjë për të cilën bën thirrje vetë Zoti.

Nuk mjafton të ndërrosh politika, duhet pendesë, kthesë

Duhet një shqyrtim jetik për Kishën - shpjegoi akoma kryeipeshkvi i Çikagos - që do të sjellë elementet e së vërtetës, të pendesës e të risimit të kulturave themelore, për të vënë në jetë mandatin e mbrojtjes së të rinjve brenda Kishës e, më gjerë, të gjithë shoqërisë. Sepse nuk mjafton ndryshimi i politikave. Duhet të kërkojmë që burrat e gratë e mbarë Kishës - prindër e priftërinj, katekistë e rregulltarë, famullitarë e ipeshkvij -   të bëjnë kthesë. E kthesë të bëjnë edhe të gjitha kulturat kishtare në çdo kontinent.

Katër orientimet, për një reformë të mirëfilltë

Për një Kishë, që kërkon të jetë nënë e dashur përballë abuzimit seksual të klerit, kardinali Cupich propozon katër orientime.

I pari: “Dëgjimi i plotë, për të kuptuar përvojën e atyre, që u abuzuan seksualisht nga kleri”.

I dyti: “Dëshmia e laikëve, posaçërisht e nënave dhe baballarëve, me dashuri të madhe për Kishën. Kjo dëshmi nuk është sfidë, në konflikt me Kishën. Është përpjekje për t’i çrrënjosur abuzimet e klerit, por edhe për t’iu kundërvënë kulturës klerikale, nga lindën abuzimet, me frymën e kolegjialitetit e në komunikim me të gjitha nivelet”.

Së treti: “Të mos lihet vetëm, kush duhet të marrë vendime të rëndësishme”.

E, së katërti:  “Të shoqërohet me mëshirë e mirëkuptim, kush kërkon drejtësi!”.

Kardinali kujtoi edhe 11 parimet bazë për strukturat institucionale e ligjore, për një dëgjim të vërtetë. E për këtë duhet studiuar me kujdes Amoris Laetitia si dhe motu proprion “Si një nënë e dhimbshme”, shkruar nga Papa, në qershor 2016. Letra tregon procedurat që duhet t’i ndjekin ipeshkvijtë, të cilët i shqyrtojnë keq rastet e shpërdorimeve.

Së fundi, kardinali Cupich kujtoi edhe procedurat, që duhen vënë në jetë për shkarkimin nga detyra të ipeshkvit, eparkut ose eprorit rregulltar, sipas normave të përcaktuara nga Sacramentorum sanctitatis tutela, shkruar në prill 2001 nga Shën Gjon Pali II si dhe në motu proprion “Si nënë e dhimbshme”.

22 shkurt 2019, 15:53