Kërko

Humanae Vitae Humanae Vitae 

50-vjetori i Humanae Vitae: dhuratë e jashtëzakonshme për breznitë e ardhshme

Në Kigali të Ruandës, më 9 dhe 10 shkurt, do të mbahet një kuvend ndërkombëtar për të kremtuar 50-vjetorin e Humanae Vitae, të Shën Palit VI. Kardinali Farell, në një mesazh, kujton se Magjisteri që përmban enciklika e Papës Montini “është trashëgimi e përhershme, tejet e çmueshme, për Kishën dhe njerëzimin”.

R. SH. - Vatikan

Nisma organizohet nga kryedioqeza e Kigalit dhe Konferenca ipeshkvnore e Ruandës, në bashkëpunim me Fondacionin Palotin për Familjen. Qëllimi i takimit është të nënvizojë rëndësinë e madhe të mësimeve profetike mbi jetën bashkëshortore, që përmban enciklika e fundit e Shën Palit VI. Të vetëdijshëm për rrethanat shoqërore-politike, në një vend që nxit edukimin e lirë seksual, takimi propozon disa reflektime baritore për familjet e reja, me qëllim që të japin ndihmesën e tyre për vlerësimin e dashurisë së vërtetë bashkëshortore, të përgjegjësive prindërore e të planifikimit natyror të lindjes së fëmijëve.

Pjesëmarrje e madhe e njerëzve, që i kushtohen kujdesit për familjen

Në takimin, ku marrin pjesë 300 përfaqësues të botës kishtare e laike, do të flasin pedagogë universitarë, teologë, përfaqësues të lëvizjeve dhe shoqatave familjare, veprimtarë baritorë, anëtarë të instituteve të ndryshme rregulltare, grupe famullitare dhe përfaqësues të zyrave e të komisioneve të Dioqezave e të Konferencave ipeshkvnore, që i kushtohen kujdesit për familjen.

Kardinali Kevin Farell: përgjigje, kundër kontraceptivëve mjekësorë e artificialë

“Qëllimi baritor i Enciklikës - shkruan Prefekti i Dikasterit për Laikët, Familjen e Jetën, kardinali Farell – është i padyshimtë: të ripropozojë, me gjuhë aktuale, Magjisterin e Kishës për dashurinë bashkëshortore e t’u japë përgjigje ndryshimeve kulturore, me theksim të veçantë mbi përdorimin e kontraceptivëve mjekësorë e artificialë”. Kur Shën Pali VI shpallte Humanae Vitae, askush nuk do ta kishte përfytyruar se kjo do të ishte Enciklika e fundit e asaj papnie. Ishte si të donte të siguronte, me Humanae Vitae, vazhdimësinë e mësimit të tij në këtë drejtim, edhe për breznitë e reja. Si për këtë mësim, ashtu edhe për bukurinë e jashtëzakonshme, Magjisteri, që përmban Enciklika është trashëgimi e përhershme dhe e  paçmueshme për Kishën dhe njerëzimin!

08 shkurt 2019, 16:53