Kërko

Papa Françesku e imzot Vicenzo Paglia Papa Françesku e imzot Vicenzo Paglia  

25-vjetori i Akademisë për Jetën. Imzot Paglia: shkenca frymëzohet nga feja

Me Letrën Apostolike në formën e Motu proprio “Vitae Mysterium”, Papa Gjon Pali II themelonte Akademinë Papnore për Jetën, më 11 shkurt 1994. Arsyet e atij vendimi dhe udha e përshkuar deri tani, por edhe hovi i ri që i ka dhënë Akademisë Papa Françesku, në intervistën e kryetarit të saj, imzot Vincenzo Paglia, me Vatican News.

R.SH. - Vatikan

“Misteri i jetës, që i tërheq shkencëtarët, duke hapur perspektiva për ndërhyrje, por edhe duke ngritur pikëpyetje morale”; Kisha, që “për hir të mandatit të Krishtit, duhet ta shndrisë ndërgjegjen e njerëzve” dhe që, në fushën e shëndetësisë, ka përvojë shekullore: këto janë disa nga premisat e Motu proprio-s “Vitae Mysterium” – sugjeruar nga Shërbëtori i Zotit dhe shkencëtari i madh Jérôme Lejeune – mbi bazën e të cilave Shën Gjon Pali II, 25 vjet më parë, themeloi Akademinë Papnore për Jetën. Që në fillim, ajo qe autonome, megjithëse në marrëdhënie të ngushta me Këshillin Papnor për Baritorinë e Punonjësve të Shëndetësisë. Sipas fjalëve të Papës, detyra e saj e veçantë, si atëherë, ashtu edhe tani, është të “studjojë, të informojë dhe të formojë rreth problemeve kryesore të biomjekësisë dhe të së drejtës, lidhur me promovimin dhe mbrojtjen e jetës, veçanërisht në marrëdhëniet e drejtpërdrejta të tyre me moralin e krishterë e me direktivat e magjisterit të Kishës”.

Intuita fillestare

Kjo intuitë – shpjegon kryetari i Akademisë, imzot Vincenzo Paglia, duke kujtuar atë ditë - vjen nga fakti se përmasa e jetës u bë “pjesë e rëndësishme e çështjes së madhe antropologjike, pra, e çështjes së centralitetit të njeriut dhe të jetës njerëzore në kulturën, shkencën dhe organizimin politiko-shoqëror të botës”. Në këtë kuadër, “një aspekt delikat ishte pikërisht tema e jetës së sapolindur, e cila binte në konflikt me atë, që mund ta quajmë vullnet të njeriut për pushtet dhe manipulim. Kështu, intuita e Papës u duk menjëherë e rëndësishme. Më pas, gjatë viteve, - thotë imzot Paglia – debati u bë më i ndezur dhe Akademia gjithnjë e më e përgjegjshme për jetën dhe për zhvillimin e njohurive më të përshtatshme e më të kujdesshme për gjithçka lidhet me të”.

Papa Françesku dhe “Humana communitas”

Në vazhdimësi të plotë me vullnetin e paraardhësve të tij, por edhe me vetëdijen e “degradimit të njeriut dhe të paradoksit të përparimit”, që karakterizon epokën e sotme, Papa Françesku deshi ta kremtonte këtë 25-vjetor të Akademisë, me një Letër titulluar “Humana communitas”, ku vihen në dukje - thotë për Vatican News imzot Paglia - çështjet e reja, që kanë të bëjnë me jetën njerëzore:

“Në këto 25 vite, Akademia ka qenë roje dhe vend për zhvillimin e njohurive të përshtatshme dhe të vëmendshme për gjithçka që lidhet në një farë mënyre me jetën. Pikërisht në këtë kuadër deshi ta kremtojë Papa Françesku këtë 25-vjetor. Papa kërkon një hov të ri krijues në përtëritjen e kujdesit për të ndihmuar zhvillimin shkencor, por, pa e lejuar atë të prishë njeriun. Aftësia për të realizuar, për të bërë çdo gjë, nëse nuk lidhet me subjektin e me qëllimin e tij jetësor, bëhet një lloj diktature e re. Mjerë ne nëse humbasim përmasën njerëzore të përparimit shkencor!”

11 shkurt 2019, 17:44