Kërko

2018-02-22 festa della Cattedra di S. Pietro, Spirito Santo 2018-02-22 festa della Cattedra di S. Pietro, Spirito Santo 

Më 22 shkurt, Kisha katolike kremton festën e Katedrës së Shën Pjetrit

Me këtë festë, Kisha dëshiron të kujtojë misionin e posaçëm që Jezu krishti i besoi Pjetrit Apostull. Katedra e Shën Pjetrit është simbol i bashkimit të Kishës dhe i njësisë së mësimit të saj. Katedra e Shën Pjetrit është relike shumë e lashtë. Vjen në kohët tona që nga shekujt e parë të krishterimit e ruhet në Bazilikën e Vatikanit, në mes të kompozimit mahnitëse të Berninit, pas varrit të Apostullit.

R.SH. - Vatikan

Solemniteti i Katedrës së Shën Pjetrit është ditë  feste, në të cilën falënderohet Zoti për misionin e mësuesit e të bariut besuar nga Krishti Apostullit. Katedra e Shën Pjetrit është relike shumë e lashtë. Vjen në kohët tona që nga shekujt e parë të krishterimit e ruhet në Bazilikën e Vatikanit,  në mes të kompozimit mahnitëse skulptural të Berninit, pas varrit të Apostullit. Ky fron është simbol i misionit, që Jezusi ia besoi Pjetrit, si i vetmi themel i pashkatërrueshëm i Kishës.

Kjo festë tërheq vëmendjen e mbarë botës katolike mbi figurën e Shën Pjetrit dhe misionin e tij të veçantë që i besoi Krishti. Në të vërtetë historia na flet për dy katedra të Shën Pjetrit: para udhëtimit dhe martirizimit të tij në Romë, selia e magjisterit të Shën Pjetrit ishte në Antioki. E liturgjia i kremtonte këto dy seli të ndryshme në dy data të ndryshme: më 18 janar (në Romë) e më 22 shkurt (në Antioki). Pas rishikimit të Kalendarit u vendos që të dyja përkujtimet të kremtohen në një datë të vetme, më 22 shkurt. Festa – shkruhet në Mesharin Romak – me simbolin e Katedrës, vë në dukje misionin e Pjetrit si mësues e bari, besuar nga vetë Krishti, mision që vijon ta kryejnë pasardhësit e tij e që është fillesë e themel i dukshëm i bashkimit të Kishës.

Katedra, në kuptimin e ngushtë të fjalës, është selia e përhershme e papës dhe e ipeshkvijve. Vendoset në Kishën-nënë të dioqezës (prej këndej edhe emri i saj katedrale) Është simbol i autoritetit të ipeshkvit dhe i misionit të tij ipeshkëvnor në Kishën vendase. Ndërsa katedra e Shën Pjetrit tregon pozitën e prijësit në kolegjin apostolik, sipas vullnetit të vetë Krishtit, i cili i besoi Pjetrit detyrën të kulloste grigjën, dmth t’i printe popullit të Zotit, Kishës. Pjetri e kryen detyrën që Krishti ia caktoi para se të kryqëzohej, por edhe pasi u ngjall. Kryeson zgjedhjen e Matisë dhe i flet në emër të të gjithëve turmës që rend për ta dëgjuar para çenakullit, ditën e Rrëshajëve, ashtu edhe para sinedrit. Vetë Erodi Agripa e di mirë se zhdukja e prijësit do t’i jepte një goditje për vdekje Kishës së sapolindur. 
Në se prania e Shën Pjetrit në Antioki provohet në mënyrë të pakundërshtueshme, për ardhjen e Apostullit në Romë në vitet e para të Perandorisë së Klaudit, nuk kemi prova po aq të sigurta.

Megjithatë mund të themi se lulëzimi i krishterimit në kryeqytetin e perandorisë, që vërtetohet nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve rreth vitit 57, nuk do të mund të kuptohej pa praninë e një misionari të klasit të parë. Pavarësisht nga data kur shkeli në Romë, ardhja dhe martirizimi i Shën Pjetrit në Qytetin e Amshuar vërtetohet nga tradita shumë të lashta, të pranuara edhe nga studiuesit jo katolikë. E këtë e vërtetojnë në mënyrë të pakundërshtueshme edhe gërmimet që u bënë më 1939 me urdhër të papës Piu XII në Kriptën e Vatikanit, nën Bazilikën e Shën Pjetrit, rezultatet pozitive të të cilave u pranuan në mënyrë të njëzëshme.

22 shkurt 2019, 13:54