Kërko

Guglielmo Marconi Guglielmo Marconi

12 shkurt 1931, dita kur Papa foli në Radio

Më 12 shkurtin e 88 viteve më parë, një ditë pas përvjetorit të Pakteve të Lateranit, Papa Piu XI përuron “Statio Radiophonica Vaticana”. Kjo perlë teknologjike, ndërtuar nga Guglielmo Marconi, hapi kufijtë e botës për magjisterin e papëve. Ja kronika e emisionit të parë të drejtpërdrejtë papnor në histori.

R.SH. - Vatikan

Pikërisht sot, më 12 shkurt, bie 88-të vjetori i përurimit të Radio Vatikanit dhe i Radiomesazhit të parë drejtuar botës nga papa Piu XI, i cili pati ngarkuar shkencëtarin Guglielmo Marconin për ndërtimin e stacionit radiofonik të Vatikanit. Me instrumentin e radios, e pastaj të televizionit, mesazhi i Ungjillit dhe fjalët e Papëve kanë mundur t’i mbërrijnë më shpejt e lehtë të gjithë njerëzit”. Në mbarim të Lutjes së Engjëllit të Tënzot, pasi përshëndeti besimtarët e shtegtarët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa u dha të gjithëve bekimin e vet apostolik

Në Romë, rreth orës katër e gjysëm pasdite, fryn një erë e fortë nga veriu, por kjo nuk e shqetëson turmën, që pak nga pak mblidhet në pika të ndryshme të qendrës. Është ditë e veçantë, 12 shkurti i vitit 1931 e, grupet e njerëzve vërehen sidomos pranë pikave ku ka të paktën një altoparlant. S’është gjë e re për ta, të mësuar siç janë me retorikën liktoriane. Por kësaj radhe është ndryshe, njerëzit duket se janë të elektrizuar e kureshtarë, në pritje të një ngjarjeje të madhe. E kjo shihet edhe nga redaksitë e gazetave e deri nga dyqanet e artikujve elektrikë, që kanë varur jashtë altoparlantë. Ndërmjet rrugës “IV Novembre”, Sheshit “Vittorio”, rrugës “Nazionale” e gjetiu, mblidhen me qindra vetë. Që bëhen dhjetra mijëra, nëse shtojmë edhe Torinon e qytetet e tjera italiane. E pastaj, Melburnin, Nju Jorkun, Kebekun etj.. Një lloj urdhëri i pathënë përshkon globin: “stay tuned” – mbani vesh, sintonizohuni.

Pallati mbi kodër

Një turmë tjetër shtypet në ato minuta, në disa dhoma plot me qarqe elektrike e me aparate, që të shurdhojnë veshët. Duket ofiçinë mrekullish, në të vërtetë është pallati i ndërtuar brenda dy vjetëve, në kodrën pas Bazilikës së Shën Pjetrit, në mes të gjelbërimit të Kopshteve të Vatikanit. Me kullat dhe arkitekturën pa shumë ojna, ndërtesa është pjesë e kantierit pa fund, në të cilin e pati shndërruar Papa Piu XI Qytet-Shtetin e Vatikanit, të nesërmen e Pakteve të Lateranit. Ndërmjet sallës së makinave e sallës së kontrollit, veshje meshtarake, frakë dhe një dyzinë blloqesh të gazetarëve sistemohen si mundin, në kërkim të një hapësire të përshtatshme. Për më fatlumët, pika ku mund ta përqendrojnë vështrimin është mikrofoni i madh gjashtëkëndësh, i mbajtur nga katër susta brenda një rrethi metalik. Në orën 16.20, boria bie tri herë, të gjithë heshtin e Papa Piu XI hyn në pallat.

Mikrofoni i lirë

 I pari, që i afrohet mikrofonit është protagonisti i madh i radios, shpikësi i saj. Guglielmo Marconi është 56 vjeç e Papa Piu XI – që dëshiron për të sapolindurin Shtet të Vatikanit, një stacion radiofonik me teknologjinë e fundit - ia propozon këtë ndërmarrje vetëm dy vjet më parë. Shpikësi i radios studion vendin në Vatikan, më 11 qershor 1929, vetëm katër ditë pas ratifikimit të Pakteve të Lateranit. E shoqëron Francesco Pacelli, njeriu kyç i bisedimeve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe shtetit italian. Punimet vijojnë me shpejtësi dhe kur mbërrin përvjetori i dytë i Pakteve, që sanksionuan pavarësinë e Selisë së Shenjtë, përgatitet edhe përurimi i radios, që do t’i garantojë qendrës së Kishës një nivel të ri lirie në eterin e kolonizuar nga propaganda nazifashiste.

“Orë e paharrueshme”

Para mikrofonit, Marconi i emocionuar nënvizon aspektin më të rëndësishëm të kësaj risie. Pas “20 shekujsh”, magjisteri papnor, që e “ka ngritur zërin” me dokumente, “për herë të parë” mund të dëgjohet “njëkohësisht”, edhe përmes “zërit të Papës”. E Piu XI, që e pati shkruar  me dorën e vet tekstin e radiomesazhit të tij të parë, nuk donte të zhgënjente askënd. Në orën 16.49, Marconi bën dy hapa mbrapa për t’u larguar nga mikrofoni e Papa Ratti thotë në latinisht një lloj lutje-thirrje universale, drejtuar gjithësisë dhe të vuajturve, Zotit dhe qeveritarëve, të pasurve e të varfërve, nënshtetasve dhe punonjësve, mbledhur për “shpikjen e admirueshme markoniane”. Pas një ore, Papa Piu XI dhe Marconi ndodhen në Casina Pio IV, seli e Akademisë së Shkencave, aty pranë. Para studiesve, ndërtuesi i Radios së Papës emërohet solemnisht anëtar i Akademisë, me kërkesën e drejtorit të parë të emitentes papnore, atë Giuseppe Gianfranceschi, jezuit e fizikan me famë ndërkombëtare.

“Dëgjohet krejt qartë”

Kronikat e hollësishme të asaj dite pasqyrojnë interesin dhe bujën e mesazhit të parë papnor “radio-live” të historisë. Suksesi i detyrohej edhe cilësisë së shkëlqyer të transmetimit. Gazetat e së nesërmes e të ditëve të mëpasme flasin me entuziazëm për atë orë të jashtëzakonshme: Çifti mbretëror i Piemontes, që kthehej në hotel për të dëgjuar radiomesazhin; radhët e gjata të banorëve në ngushticat e Venedikut; konkursi i gazetës angleze “The Universe”, që i jepte një çmim prej 5 stërlinash kujt dërgonte reflektimin më të mirë mbi temën “Si e dëgjova zërin e Papës”.

Saktësimi i kronistit të gazetës londineze “Times”, që vinte në dukje se fjalimi i Papës Piu XI ishte disi “më i shpejtë se sa mund të shqiptohet zakonisht nga buzë të mësuara me transmetime radiofonike”. Ose fjalët e kryetarit të Shoqatës Kombëtare Amerikane të Radiodifuzionit, që nga Nju Jorku e njoftonte Marconi-n se transmetimet ishin dëgjuar në mënyrë të përsosur në “vende si Nasau, në Inditë Perëndimore”. Ndoshta, lajmi më i çuditshëm u dha pikërisht nga gazeta e Papës. “L’Osservatore Romano” i atyre ditëve njofton për një letër nga Praga, e cila flet për një mjek të shurdhër, që arriti ta dëgjonte zërin e Papës Piu XI falë një aparati të shpikur prej tij. I pashoq, titulli: “Edhe shurdhët e dëgjuan”. Nuk qe mrekulli, por humor i hollë. Chapeau!

12 shkurt 2019, 12:59