Kërko

Vatican News
Emigrantë Emigrantë 

Trafiku i njerëzve dhe refugjatët. Priten dy dokumente të Dikasterit për Zhvillimin e gjithanshëm

Redaktuar nga “Seksioni Migrantët”, do të paraqiten më 17 janar në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, dy dokumente mbi emigrantët dhe refugjatët.

R.SH. - Vatikan

Plaga e trafikut të njerëzve dhe emergjenca e emigracionit. Mbi këto tema përqendrohen dy dokumente të hartuara nga “Seksioni Migrantët dhe Refugjatët” të Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, udhëhequr nga vetë Papa Françesku.

         I pari titullohet “Orientime baritore mbi Trafikun e njerëzve” dhe është fryt i një procesi këshillimor me Konferencat ipeshkvnore, organizatat katolike e kongregatat fetare. Teksti paraqet një sërë orientimesh, me anë të të cilave synohet të kuptohet, të njihet, të parandalohet dhe të zhduket plaga e trafikut të njerëzve, të mbrohen viktimat dhe të promovohet rehabilitimi i atyre, që kanë shpëtuar nga kthetrat e shfrytëzuesve.

         Vëllimi i dytë, me titull “Drita mbi udhët e shpresës – mësime të Papës Françesku për emigrantët, refugjatët dhe trafikun”, është përmbledhje mësimesh magjistrale të Atit të Shenjtë mbi këto argumente, që nga fillimi i papnisë e deri në fund të vitit 2017. Atij i bashkangjitet edhe një variant elektronik me program kërkimor, që mund të gjendet edhe në faqen e internetit të Seksionit. Ky variant azhurnohet rregullisht çdo semestër, duke përfshirë në të mësimet e reja të Papës.

         Dy dokumentet do të paraqiten të enjten, më 17 janar, në orën 11.00, në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë, gjatë një takimi me gazetarët, ku do të jetë i pranishëm prefekti i Dikasterit për Komunikimin, Paolo Ruffini, si edhe dy zv.sekretarët e “Seksionit Migrantët dhe Refugjatët” të Dikasterit për Zhvillimin e gjithanshëm, skalabriniani atë Fabio Baggio dhe jezuiti atë Michael Czerny.

14 janar 2019, 12:38