Takim ipeshkvijsh Takim ipeshkvijsh  Editorial

Takim ndërmjet barinjve, me objektivin për të qenë konkretë

Drejt mbledhjes së kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore të Kishës Katolike mbi temën e mbrojtjes së të miturve dhe të të rriturve të brishtë, në shkurt të këtij viti. Sot, drejtori ynë editorial, Andrea Tornielli, ia kushton reflektimin e tij betejës së vështirë të Kishës kundër abuzimeve të çdo lloji brenda saj.

R.SH. - Vatikan

Ekziston një pritje e tepruar mediatike në prag të takimit të ardhshëm, kërkuar nga Papa Françesku, mbi temën e mbrojtjes së të miturve dhe të të rriturve të brishtë, sikur kjo të ishte ngjarje mes një koncili e një konklavi. Pritje, që rrezikon ta kalojë në plan të dytë rëndësinë kishtare të një takimi ndërmjet barinjsh, ndërmjet kryetarëve të Konferencave Ipeshkvnore të gjithë botës, të cilët, së bashku me Pasardhësin e Pjetrit, do të reflektojnë mbi temën e abuzimeve.

Para së gjithash, duhet nënvizuar universaliteti tipik i Kishës Katolike, që pasqyrohet edhe në këtë takim: prania e episkopateve të gjithë botës, thirrur, për herë të parë së bashku, për t'u përballur me këtë plagë shumë të dhimbshme, e cila ka qenë dhe është burim vuajtjesh të mëdha për viktimat dhe kundër-dëshmi ungjillore, do të ndihmojë për t’i ndërgjegjësuar të gjithë mbi seriozitetin e krizës. Fenomeni i abuzimit të fëmijëve, përvojat tragjike të viktimave, procedurat që duhet të zbatohen ndaj ankesave dhe direktivat për të garantuar një mjedis të sigurt për fëmijët dhe të rinjtë do të shqyrtohen nën këndvështrimin jo vetëm evropian e amerikan.

Qëllimi i takimit është shumë konkret: secili prej atyre që do të marrin pjesë në të, duhet të kthehet në vendin e vet, duke e pasur absolutisht të qartë se çfarë duhet bërë (dhe nuk është bërë) në këto raste. Cilat janë hapat, që duhen ndërmarrë, për të mbrojtur viktimat, duke respektuar të vërtetën dhe njerëzit, në mënyrë që asnjë rast të mos mbulohet e të mos fshihet kurrë.

Natyrisht, duhet ta presim pak dialogun ndërmjet ipeshkvijve dhe propozimet, që do të dalin prej tij, për të sqaruar më mirë, ose për të specifikuar disa aspekte të veçanta të normativës aktuale në këtë fushë. Me vetëdijen se nuk është fjala për “vitin zero” në luftën kundër shpërdorimeve, sepse në gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit janë ndërmarrë shumë hapa të rëndësishme dhe konkrete. Janë vendosur rregulla e norma për veprim dhe janë ashpërsuar ato, për vullnet të papëve të fundit, madje, në disa raste, ato mund të quhen “emergjenciale”, për shkak të shpejtësisë së ndërhyrjes kundër atyre, që janë njollosur me këtë krim.

Por normat, ligjet, kodet, procedurat gjithnjë e më të rafinuara dhe më të sakta nuk mjaftojnë, nuk mund të mjaftojnë nëse nuk ndryshojnë mendësinë dhe zemrën e atyre që duhet t’i zbatojnë. Prandaj, Françesku vazhdon të kërkojë ndryshimin e udhës, kthimin kah Zoti. Për këtë arsye, është e rëndësishme që secili nga pjesëmarrësit në takim t’i dëgjojë dëshmitë e viktimave dhe të marrë shembull nga qëndrimi i Benediktit XVI dhe i pasardhësit të tij, që në dhjetë vitet e fundit, në anë të ndryshme të botës, i kanë pritur viktimat, i kanë dëgjuar, kanë derdhur lot me ta, duke marrë pjesë në vuajtjet e tyre.

Në fjalimin e fundit para Kuries Romake, Papa Françesku, pasi theksoi se edhe vetëm një rast abuzimi do të ishte “në vetvete, një monstruozitet”, shtoi se takimi i shkurtit do të shërbejë për “t’i shndërruar gabimet në mundësi për çrrënjosjen” e plagës së shpërdorimeve “jo vetëm nga korpi i Kishës, por edhe nga ai i shoqërisë”.

Andrea Tornielli

10 janar 2019, 17:23