Kërko

 Kardinali Parolin në Qaraqosh- Irak Kardinali Parolin në Qaraqosh- Irak 

Kardinali Parolin në TV2000: “Kundër pedofilisë duhet bërë e pamundura”

Intervistë e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Parolin dhënë TV2000, emitente e Konferencës Ipeshkvnore Italiane, pas kthimit nga Iraku: “Nuk janë krijuar ende kushtet për shtegtimin të Papës”. Autoritetet fetare e dënojnë fundamentalizmin.

R. SH. - Vatikan

“Për një udhëtim të mundshëm të Papës në Irak, duhen krijuar të paktën kushtet e domosdoshme për realizmin e tij, të cilat sot për sot nuk ekzistojnë”. Këtë theksoi sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin në një intervistë të gjatë dhënë TV2000 gjatë transmetimit special të “Ditarit të Papës Françesku”. Ndërmjet temave të ndryshme, spikati  ajo e vëmendjes së Papës për botën arabe, terrorizmi, shtegtimi në Irak dhe pedofilia.

“Sigurisht - nënvizoi kardinali Parolin - Papa pritet me shumë interes nga të gjithë: nga autoritetet, nga disa myslimanë, që pata rastin t’i takoj e posaçërisht, nga bashkësitë e krishtera, të cilat kanë nevojë ta kenë mes tyre Papën, për t’u përforcuar në fe e për t’u inkurajuar, në situatën aktuale. E unë shpresoj se do të krijohen kushtet e nevojshme e se Papa do të mund të shkelë sa më shpejt në Irak”.

“Problemi i terrorizmit - shtoi kardinali - nuk është zgjidhur akoma e nga udhëtimi im në Irak, përshtypja që pata e që ma konfirmuan edhe bashkëbisedues me autoritet, është se rrënjët e këtij fenomeni janë ende  gjallë. T’i kujtosh vazhdimisht këto tema, domethënë të sensibilizosh me të vërtetë opinionin publik dhe ndërgjegjet për ta kapëcyer fenomenin, që nuk është thjesht kapërcim i tipit ushtarak.

Natyrisht tema e sigurisë është shumë e rëndësishme, por fundamentalizmi dhe radikalizmi, që manifestohen në format e skajshme të terrorizmit, kanë nevojë edhe për edukimin me respekt reciprok dhe vëllazërim. Në fund të fundit, për Kishën dhe Ungjillin, jemi të gjithë vëllezër e bij të të njëjtit atë. E këtë vëllazërim duhet ta manifestojmë në jetën tonë. Në këtë pikë ka rëndësi që të gjitha autoritetet fetare ta dënojnë njëzëri fenomenin. Nuk mund ta përdorësh emrin e Zotit - siç pohon vazhdimisht Papa – ‘për t’i sulmuar njerëzit, për t’i shkatërruar e për t’i përdhunuar’”.

“Vëmendja e Papës për botën arabe - vijoi kardinali Parolin -  buron edhe nga vështirësitë që vërehen sot në marrëdhëniet ndërmjet krishterimit e islamit, me pasojat tragjike të terrorizmit e të fundamentalizmit fetar. Përballë kësaj situate, Papa, që në fillim të papnisë, u përpoq të ecë në udhën e takimit. Papës Françesku nuk i mungon kurrë vullneti i mirë për të nxitur takimin, kundër çdo forme të indiferencës.

Kështu mund të shpjegohet edhe vëmendja, që po tregon për shtegtimet në botën arabe. Siç e ka theksuar edhe vetë Françesku, ‘ndryshimet tona nuk duhet të bëhen kurrë burim tensionesh, ndeshjesh e kundërvëniesh, por duhen shndërruar në mundësi për të bashkëpunuar e për t’u pasuruar reciprokisht’”.

Sekretari i Shtetit u ndal edhe tek çështja e pedofilisë brenda Kishës: “Duhet të bëjmë gjithçka është e mundur, madje edhe të pamundurën, për ta zhdukur këtë fenomen. Por duhet pranuar edhe se Kisha  ka bërë shumë udhë në këtë drejtim. Është ndërgjegjësuar progresivisht për këtë problem, për dëmin e rëndë, që u është bërë viktimave e është përpjekur të kundërveprojë.

Natyrisht jemi njerëz e jo gjithnjë mund të arrijmë rezultate të përkryera.  Sidoqoftë, besoj se nuk ka munguar angazhimi dhe vendosmëria. Takimi i dëshiruar fort nga Papa (“Mbrojtja e të miturve në Kishë” – nga 21 deri më 24 shkurt 2019, në Vatikan), është një shenjë tjetër e kësaj udhe. Tregon se angazhimi në favor të viktimave synon të shmangë çdo tip të mbulimit të fajeve e të krijojë një mjedis të mbrojtur. Tema e takimit do të jetë, sidomos, ajo e mbrojtjes të të miturve dhe njerëzve të ligshtë”.

E gjithë kjo - vërejti kardinali Parolin - peshoi rëndë mbi veprimtarinë  dhe dëshminë e Kishës në botë. “Natyrisht kontribuoi edhe për ta minuar besueshmërinë e Kishës. Më vjen keq jo aq për institucionin e Kishës, që unë e konsideroj si nënë, e cila na do gjithnjë fort, por se e gjithë kjo  cënon kumtimin e Ungjillit”.

Duhet ta rifitojmë besueshmërinë dhe autoritetin! Kisha ka bërë hapa të ndjeshme për ta rifituar, por duhet të punojmë më shumë në këtë drejtim, në mënyrë që besimtarët dhe të pagëzuarit të mund të gjejnë në Kishë mjedisin jetik e edhe mjedisin e dëshmisë.

Sekretari i Shtetit të Vatikanit shprehu, më në fund, një urim për 2019-tën e sapofilluar: “Në vitin e ri do të dëshiroja që të gjithë të kenë aftësinë të kërkojnë në jetë vullnetin e Zotit. Për vitin e ri bëjmë shumë urime, ndonëse e dimë se do të ndodhin ‘pakëz nga të gjitha’”.

Sidoqoftë, dëshiroj që njerëzit të kenë aftësi për të dashur, për ta vënë në praktikë vullnetin e Zotit në jetën tonë personale, në atë të Kishës e të botës. Nëse do të arrijmë ta bëjmë këtë, do të mund të gjejmë udhën e gëzimit e të lumturisë, sepse vullneti i Zotit është lumturia e gëzimi i bijve të Tij”.

03 janar 2019, 14:20