Kërko

Kujdes në përdorimin e rrjeteve shoqërore Kujdes në përdorimin e rrjeteve shoqërore 

Papa: të rinjtë nuk duhet të kthehen në eremitë të rrjetit

Në Mesazhin për Ditën e Komunikimit Shoqëror, Papa Françesku nxit për përdorimin e drejtë të rrjetit dhe tërheq vëmendjen ndaj rreziqeve, që mund të hasin shtresat më të brishta dhe brezat e rinj. Në Vatikan, do të themelohet një Observator ndërkombëtar për cyberbullizmin.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku ndodhet në Panama, por sot, sipas traditës, në festën liturgjike të shën Françeskut të Sales, në Vatikan, u bë i njohur Mesazhi i tij për Ditën Botërore të Komunikimeve Shoqërore, përqendruar në rrjetet shoqërore e në përdorimin e tyre.

         “Që kur interneti u bë i mundur për të gjithë, Kisha është përpjekur gjithnjë ta promovojë përdorimin e tij, në shërbim të takimit ndërmjet njerëzve dhe të solidaritetit me të gjithë”. Kështu shkruhet në Mesazh, por Papa vijon edhe më tej, duke kërkuar përveç shërbimit, edhe një rrjet të lirë, pa kurthe e, sidomos, një rrjet që mbron të rinjtë. Ati i Shenjtë fton “të reflektojmë mbi bazat dhe mbi rëndësinë e të qenit-në-marrëdhënie dhe të rizbulojmë, në larminë e sfidave të kuadrit aktual komunikativ, dëshirën e njeriut, i cili nuk do të rrijë në vetminë e vet”.

Tema e mesazhit

“Jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit. Nga komunitetet e rrjeteve shoqërore në bashkësinë njerëzore”: kjo është tema e Mesazhit të sivjetëm të Papës. Interneti, thekson Françesku, “është burim njohurish dhe marrëdhëniesh të pamendueshme më parë, prandaj përfaqëson një mundësi të jashtëzakonshme për të hyrë në botën e dijes. Por, është edhe një nga vendet më të ekspozuara ndaj çinformimit dhe ndaj shtrembërimit të vetëdijshëm e të qëllimshëm të fakteve dhe të marrëdhënieve personale” kujton Ati i Shenjtë. Një ndër katër të rinj ka të bëjë me cyberbullizmin, denoncon Papa, i cili njofton se në Vatikan, do të hapet një Observator ndërkombëtar, pikërisht për këtë fenomen.

Komuniteti i rrjeteve shoqërore nuk është sinonim i bashkësisë

Françesku nënvizon se, në skenarin aktual, “komuniteti i rrjeteve shoqërore nuk është automatikisht i njëjtë me bashkësinë”. Në rastin më të mirë, komunitetet e internetit mund të tregojnë solidaritet dhe kohezion, por anëtarët e tyre i lidh vetëm interesi për argumente të përbashkëta. Në rastin më të keq, këto komunitete mund të jenë edhe vende ku denigrohen të tjerët. Përveç kësaj, qëndrimi para kompiuterit, që zë nganjëherë vendin e shokut a të mikut, mund të çojë në atë, që Papa e quan “fenomeni i rrezikshëm i të rinjve eremitë shoqërorë, të cilët mund ta përjashtojnë krejtësisht veten nga shoqëria”.

E vërteta zbulohet në bashkimin me të tjerët

         Metafora e përdorur nga Shën Pali Apostull në Letrën drejtuar Efesianëve, - “secili t’i thotë të vërtetën të afërmit”, sepse “jemi gjymtyrë të njëri-tjetrit” - i shërben Atit të Shenjtë për të theksuar se e vërteta – edhe ajo e mediave - zbulohet vetëm në bashkësi, ndërsa gënjeshtra (edhe fake news) “është refuzimi egoist i pranimit të përkatësisë në një trup të vetëm; është refuzimi për t’iu dhuruar të tjerëve, duke humbur kështu të vetmen rrugë për të gjetur vetveten”. “Përdorimi i rrjeteve shoqërore – përfundon Papa Françesku – e plotëson takimin real, përballë trupit, zemrës, syve, vështrimit, frymëmarjes së tjetrit. Ky është rrjeti, që duam. Rrjet, jo për të kapur në lak, por për të çliruar, për të ruajtur bashkimin ndërmjet njerëzve të lirë e vetë Kishën”, bazuar jo mbi “like” (pëlqimet në rrjet), por mbi “amen”, fjalë me të cilën çdo besimtar dëshmon se i përket Korpit të Krishtit.

24 janar 2019, 14:38