Kërko

 Ikona Salus Populi Romani Ikona Salus Populi Romani 

“Salus Populi Romani”- një Nënë për DBR-në

Kryqi shtegtar nuk është ikona e vetme, që Shën Gjon Pali II e la në dorë të të rinjve, në shtegtim drejt DBR-së. Që nga viti 2003, njëherësh me Kryqin, të rinjve u prin edhe ikona Salus Populi Romani.

R. SH. - Vatikan

Kryqi shtegtar nuk është ikona e vetme, që Shën Gjon Pali II e la në dorë të të rinjve, në shtegtim drejt DBR-së. Që nga viti 2003, njëherësh me Kryqin, të rinjve u prin edhe ikona Salus Populi Romani, që ndodhet në Bazilikën romake të Shën Marisë së Madhe, tejet e dashur për Papën Françesku. Asaj ia beson gjithnjë shtegtimet e gjata e edhe të vështira. E tek Ajo rikthehet në përfundim të tyre, që ta falënderojë për shoqërimin.

Që prej katër shekujsh Zoja banon ndërmjet mermereve ngjyra-ngjyra dhe varreve të papëve Klementi VIII e Pali V. Ishte ky i fundit,  që e vendosi mbi altarin e Kapelës së familjes, duke nisur që nga viti 1613. Brenda Bazilikës së Shën Marisë së Madhe, ikona e famshme Salus Populi Romani, para së cilës gjunjëzohet Papa Françesku para e pas shtegtimeve të tij apostolike, është më e dashura për Urben. Sipas traditës, mendohet se u pikturua nga Shën Luka. E pranishme në fitoret mbi epidemitë e kolerës e të murtajës, në ngadhënjimin e Lepantos e në ngjarje të tjera të mrekullueshme, që i atribuohen, deri tek devocioni i jashtëzakonshëm që pati ndaj saj Piu XII, e jo vetëm - figura mariane e Salus e lidhi ngushtë historinë e saj me atë të Qytetit të amshuar dhe me papët e tij. E ishte pikërisht një nga Papët më të vonë, që deshi t’ia zgjerojë kufijtë e banesës së Saj, duke e çuar nga gjysëmhija e stukeve baroke të Eskuilinit, në kishat nën qiell të hapur, të bëra me barin, çantat e shpinës e të qeshurat e Ditëve Botërore të Rinisë.

Mbi tribunën e Tor Vergatës   

Romë 2000. DBR-ja ndërmjet dy mijëvjeçarëve, me një shpërthim të jashtëzakonshëm entuziazmi. Figura e saj simbolike - dy milionë e gjysëm të rinj në festë, në Tor Vergata, me Gjon Palin II, tashmë prekur nga sëmundja, por jo aq, sa t’ia kushtëzojë lëvizjet, fjalët, buzëqeshjet, që i  çojnë peshë “rojet e agimit”. Në këtë rast, turma oqeanike e të rinjve  lartoi mbi tribunë, së bashku me Kryqin e DBR-së, edhe Zojën Salus Populi Romani.

Një Nënë, për të rinjtë

Papa Wojtyla e shpjegoi psenë tri vjet më pas. Më 13 prill 2003 ishte e Diela e Larit. Siç ndodhte prej kohe, qe edhe Dita, në të cilën kremtohej DBR-ja dioqezane e, në Sheshin e Shën Pjetrit, Gjon Pali II, para se të përfundonte Meshën, kremtoi edhe lutjen e Engjëllit të Tënzot. Përkrah Papës ishte një grup të rinjsh, gati për të marrë në dorëzim Kryqin  e DBR-së, që do t’i printe më pas, takimit të Këlnit 2005. Si e përfundoi lutjen e Engjëllit, Papa dha lajmin e ri. Pranë e pranë Birit, do të vihet për udhë edhe Nëna.

“Delegacionit, ardhur nga Gjermania, ia besoj sot edhe Ikonën e Marisë. Që sot e tutje, së bashku me Kryqin, ajo do t’i shoqërojë Ditët Botërore të Rinisë. Do të jetë shenjë e pranisë amtare të Marisë pranë të rinjve, të thirrur, si Shën Gjoni Apostull, për ta pranuar në jetën e tyre”.

Të  rinj, në dorë të Zojës

Në vitin 2003 Interneti ishte ende rrjet i ngadalshëm, ndonëse do të niste të përdorej shumë; facebook-u do të lindte pas një viti; YouTube, pas dy e Twiter, pas tri vjetësh. Por për këta të rinj, pre-social, në rrugë për t’u bërë popull i tabletit, ishte akoma një copë dërrase kedri, që i printe hapit të parë të shtegtimit rreth e rreth botës. E, vulosur mbi pikturën mariane, dhembshuria e një Pape tejet të dashur, që u tregoi të rinjve rrugën për të gjetur ngushëllim nën mantelin e saj të kaltërt. Dashuri e shprehur me një moto,  të thellë, si dashuria e nënës; të lehtë, si një pingërim: “Totus tuus”. “Të përkas i tëri, Mari!”.

 

21 janar 2019, 11:41