Kërko

 Dita Botërore e Rinisë, Panama 2019 Dita Botërore e Rinisë, Panama 2019 

Kardinali Parolin: DBR-ja në Panama, për të projektuar një botë më dinjitoze

Në Panama - me pasurinë e një lidhjeje të krijuar nga Sinodi i tetorit. Ekziston një lidhje e fortë ndërmjet dy ngjarjeve, që Kisha ia kushtoi të rinjve ndërmjet fundit të 2018-tës e fillimit të 2019-tës. Këtë thekson kardinali Pietro Parolin në intervistën e dhënë pak ditë para nisjes së Papës për DBR-në, në Qendër të Amerikës, ku Françesku do të jetë nga 23 deri më 27 janar, për t’u rikthyer në Romë më 28. Sekretari i Shtetit të Vatikanit u bën thirrje të rinjve të angazhohen, për të ndërtuar një botë më solidare.

R. SH. - Vatikan

Pas shpatullave, është Sinodi, që hapi një rrugë. E që të kujton dy foljet për impenjimin e dyfishtë marrë nga Kisha, për të rinjtë: “T’i dëgjojë e t’i shoqërojë!”. Dita e ardhshme botërore  e rinisë  në Panama, nuk  do të bëjë përjashtim - pohon kardinali Parolin në intervistën tradicionale dhënë mediave vatikanase, në prag të shtegtimeve apostolike të Papës Françesku. Ndërkaq, mijëra djem e vajza vijojnë shtegtimin drejt vendit të istmit. DBR-ja e Panamasë - pohon sekretari i Shtetit - mendohet të jetë “shteg projektimi” për të rinjtë, të cilëve Papa u kujtoi, në videomesazh - një “po” tejet të lartë, atë të Marisë, që ia ndryshoi faqen botës “jo me forcë, jo me pushtet, jo me dhunë, jo me spektakël”. Një DBR - vijon Hirësia e Tij -  që dëshiron të jetë takim shprese e besimi; takim në të cilin të rinjtë pranojnë përgjegjësitë e tyre në gjirin e mjediseve shoqërore përkatëse, duke praktikuar - mendon kardinali Parolin - edhe veprimtari politike “në shërbim të bashkësisë”.

Kjo është DBR-ja e tretë e Papës Françesku: me ç’ frymë përgatitet të niset, duke pasur parasysh edhe lidhjen me Sinodin e të rinjve, mbajtur tetorin e kaluar, në të cilin u pohua “ecja së bashku” dhe hovi i fuqishëm  i të rinjve?

Kjo Ditë botërore e rinisë, që do të mbahet në Panama, nis menjëherë pas kremtimit të Sinodit të ipeshkvijve kushtuar të rinjve, tetorin e kaluar. Mendoj se shpirti, që do ta gjallërojë e që do të gjallërojë edhe vetë Atin e Shenjtë, në çastin kur përgatitet të marrë pjesë e t’u prijë të rinjve, të paktën ditët e fundit, do të jetë i njëjti shpirt, që frymëzoi edhe Sinodin: shpirti i gëzimit të madh. I jetuam ato ditë me entuziazëm vërtet të jashtëzakonshëm, të ndihmuar edhe nga të rinjtë e pranishëm, e, prej këndej, pikërisht ky shpirt do të shumëfishohet në pafundësi, edhe nga numri i pjesëmarrësve në DBR-në e Panamasë. Besoj se ky shpirt do të konkretizohet, më pas, në disa tregues të saktë: para së gjitha, në faktin se të rinjtë janë pjesë përbërëse e Kishës. E ky ishte edhe një nga pohimet themelore të Sinodit: nuk janë thjesht bashkëbisedues të jashtëm, por anëtarë të mirëfilltë të Kishës, që e jetojnë jetën e saj dhe marrin pjesë në misionin e saj. Si të tillë, duhet të kenë një angazhim të dyfishtë: angazhimin e shprehur në dy foljet, të cilat karakterizuan pakëz edhe dokumentin përfundimtar. Dokument shumë i gjatë, shumë i ndërlikuar - por që, megjithatë, mund të përmblidhet vetëm me këto dy folje: dëgjim e shoqërim. Unë do të thosha dëgjim reciprok: Kisha, ose instancat e ndryshme të Kishës, i dëgjojnë të rinjtë, që flasin për aspiratat e tyre, idealet e tyre, e nga ana tjetër, të rinjtë janë të thirrur ta dëgjojnë Kishën që, njëkohësisht, edhe i shoqëron. Dëgjim, pra, e edhe shoqërim, që pastaj reduktohen - besoj unë - në propozimin themelor të Kishës: në Takimin me Zotin Jezus e shndërrimin prej Tij.

Në videomesazhin për DBR-në e Panamasë, Papa kujton “po”-në e Marisë – që është edhe tema e DBR-së – dhe i nxit  të rinjtë të fitojnë  vetëdijen e forcës së tyre, e cila mund ta shndërrojë botën…

Besoj se të gjithë duam ta ndryshojmë botën: nuk ka njeri, i cili nuk dëshiron ta bëjë botën më të mirë se kjo që është, të paktën kështu shpresojmë. Por, duhet parë edhe si mund të ndryshohet bota. Kujtimi i Virgjërës Mari, i Zojës, posaçërisht i “po”-së së Saj, i “ja ku jam”, me të cilën i gjegjet propozimit të Zotit, bëhet udhërrëfyes konkret i një metode, e metoda kërkon pikërisht t’ia vësh mirë veshin vullnetit të Zotit, të vihesh në dëgjim të thellë të vullnetit të Tij. E këtë bëri Maria. U vu plotësisht në shërbim të këtij vullneti, duke e  ditur se bota nuk ndryshohet me forcë, me pushtet, me dhunë, me spektakël. Bota ndryshohet duke vënë në jetë ditë për ditë planin e Zotit për historinë e për njerëzimin, që është gjithnjë plan, projekt lumturie e shëlbimi. Prej këndej, të shikosh Zojën, do të thotë pikërisht ta ndjekësh pas e të bësh si Ajo, për ta ndryshuar botën. Sepse ajo e ndryshoi, duke na dhuruar Jezusin!

Në festën e madhe panameze të fesë do të jenë edhe mijëra të rinj pjesëmarrës në takimin e parë botëror të rinisë autoktone. Papa, gjatë shtegtimit në Meksikë, kërkoi falje për popullsitë indigjene, të shikuara me indiferencë, a më mirë të themi, me përçmim, nga e ashtuquajtura “kulturë e hedhurinës”. Ç’do t’i  thotë Papa botës për këta të rinj?

Është realitet, që kulturat indigjene vuajtën shumë gjatë historisë nga kjo përbuzje prej atyre, që e mbanin veten si përfaqësues të një kulture më të lartë, e vijojnë të vuajnë edhe sot, për shkak të kulturës së hedhurinës, të cilën Papa e kujton vazhdimisht si një nga të këqijat më të mëdha të kohës sonë. Besoj se mesazhi do të jetë ai i vlerësimit të këtyre kulturave: kultura, që mund të marrin, por edhe mund të japin kontribute themelore. Të rinjtë e këtyre kulturave, kulturave indigjene, mund të japin kontribut themelor pikërisht në zhvillimin dhe progresin e botës sonë. Duke pasë përvojën e vendeve, ku janë të pranishme këto kultura, gjatë shërbimit tim jashtë shteti, dua t’u them të rinjve, para së gjithash, të mos turpërohen  për këtë, por të jenë krenarë, sepse vërtet mund të sjellin një kontribut të madh, sidomos në krijimin e një jete më të bazuar mbi marrëdhëniet, më pak të shqetësuar për të pasur, sesa për të qenë, plot me dëshirë për lidhje të forta me rrënjët e tyre, për të hyrë në botën moderne, duke sjellë me vete thesaret e tyre, vlerat e tyre.

Gjeografikisht DBR-ja organizohet në një vend, që ka edhe probleme të rënda shoqërore, ekonomike, politike, emigrime të detyruara, dhunë, trafik droge. Të rinjtë e shikojnë pasardhësin e Shën Pjetrit me shpresë: ç’mesazh mund t’i transmetojë Kisha këtyre të rinjve, për t’u rikthyer besimin?

Po, mendoj se sot kemi nevojë për besim e shpresë: e kemi shumë nevojë, pikërisht, përtej rrugëzgjidhjeve konkrete, të fitojmë aftësinë e projektimit, të mendojmë në një mënyrë tjetër, në një mënyrë më të mirë, që të mund të respektohen e të vlerësohen dinjiteti dhe të drejtat e secilit. Prandaj besoj se Papa, para së gjithash, siç bën gjithnjë në takimet e tij me të rinjtë, do t’u drejtojë atyre këtë mesazh: “Mos e humbisni guximin, shkoni përpara! E dini se mund të bëni diçka, se mund të ndikoni fuqimisht mbi këtë Histori e mbi këto ngjarje”, edhe përballë të këqijave të shumta, që vijojnë ta trondisin botën. E pastaj dëshiroj të them - duke kujtuar edhe Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes – se politika, siç e dini, përveç vullnetariatit (sot ka shumë të rinj, që i kushtohen vullnetariatit), është fushë, në të cilën mund të impenjoheni, për ta ndryshuar botën. Sigurisht, është fjala për politikën e kuptuar ashtu si e paraqet Papa në mesazhin e tij, domethënë, politikën e kuptuar si shërbim, që i bëhet bashkësisë, shoqërisë e që shqetësohet për të mirën e përbashkët, domethënë, për të mirën e të gjithëve e të secilit. Angazhohuni, pra, edhe në këtë fushë, sepse kjo mund të ketë rëndësi të madhe, të çmuar, në punën për ta përmirësuar botën. Besoj se një mënyrë tjetër, madje më e rëndësishme, ku të rinjtë mund të impenjohen për ta ndryshuar botën, është të bëhen ungjillëzues të bashkëmoshatarëve të tyre. Do të dëshiroja që çdo pjesëmarrës i DBR-së  së këtij viti, ditës së Panamasë, e cila, ndërmjet tjerash, zhvillohet në një rajon ku ka shumë të rinj - në Amerikën Latine, Amerikën Q   endrore - ta merrte me vete, për ta çuar në shtëpinë e vet, këtë angazhim për t’ua kumtuar të gjithëve Ungjillin me fjalë, por sidomos, me jetë e me dëshmi. Me bindjen se të rinjtë kanë mundësi të tërheqin shumë bashkëmoshatarë, që nuk mund të takohen me mënyra të tjera. E mund të jenë bindës, pikërisht se kanë të njëjtën moshë, të njëjtën kulturë e gjithçka ka të bëjë me rininë.

21 janar 2019, 16:54