Kërko

 DBR Panama DBR Panama 

Kardinali Farell: DBR-ja e Panamasë do të jetë fillimi i ndryshimeve në Kishë

Video-intervista e prefektit të Dikasterit Papnor për laikët, familjen e jetën, kushtuar Ditës Botërore të Rinisë: duhen dëgjuar të rinjtë, pa u imponuar mënyrën e të menduarit tonë.

R. SH. - Vatikan

“Të rinjtë janë frymëzim për Kishën; të moshuarit mund të kenë shumë përvojë e dije, por guximin, entuziazmin, dëshirën për të dalë e për të krijuar gjëra të reja e kanë kryesisht të rinjtë, që nuk u tremben sfidave”. Kështu shprehet kardinali Kevin Farell, prefekt i Dikasterit për laikët, familjen e jetën, në një video-intervistë, kushtuar Ditës së afërt Botërore të Rinisë, që do të kremtohet në Panama.

Vijim i Sinodit kushtuar të rinjve

Në video - botuar nga kanali Youtube i Dikasterit - Kardinali Farell nënvizon se takimi i Papës me të rinjtë, javën e ardhshme, do të jetë vazhdim i asaj, që ndodhi në Sinod, tetorin e kaluar. “Kjo DBR është  fillim i një ndryshimi në Kishë”- shpjegon. - Edhe vetë përvoja e Sinodit, shkëmbimet e mendimeve ndërmjet të rinjve e ipeshkvijve, nxitur nga vetë Papa Françesku, janë tashmë ndryshim, është dëgjim i realitetit, jo i atij që mendojmë ne - pohoi Hirësia e Tij - por e atij, me të cilin ballafaqohen të rinjtë në jetën e tyre.

T’i dëgjojmë të rinjtë!  

“T’i dëgjojmë, t’i dëgjojmë të gjithë”- kjo, rruga që duhet ndjekur, sipas kardinalit Farell. E, posaçërisht, duhen dëgjuar të rinjtë, pa ua imponuar  mënyrën si duhet të jenë. Natyrisht u duhen treguar disa vija udhëheqëse, për sjelljen morale, për shembull… Por janë ata, që kanë ide, që dinë çka funksionon e çka jo, çka tërheq e çka nuk tërheq. Duhet t’i dëgjojmë, të mësojmë prej tyre”.

T’i japim energji botës së lodhur!

“Jetojmë në një botë të lodhur, nuk komunikojmë më, ndërsa të rinjtë vijojnë të komunikojnë, të prodhojnë ide të reja - pohon kardinali. Sigurisht ndjehet edhe nevoja për shoshitje, por janë, pastaj të rinjtë, ata që kanë energjinë, dëshirën, vullnetin për t’ia ndryshuar faqen botës”.

Të mësojmë nga të rinjtë e Amerikës Qendrore

Prefekti ndalohet, pastaj, tek Dita Botërore e të Rinjve që, sipas tij, mund të jetë burim frymëzimi jo vetëm për të rinjtë, por edhe për mbarë Kishën,  si dhe tek mësimi, që mund të fitohet nga popujt e Amerikës qendrore: “Janë njerëz me guxim të madh. Të mendojmë për emigrimet: të rinjtë nuk duan të jetojnë më me uri e dhunë. Kërkojnë një vend më të mirë. E, kur e gjejnë, mësojnë e janë të aftë ta shndërrojnë jetën e tyre, e edhe jetën e shoqërisë. Shpresojmë të mësojmë nga vullneti i tyre, njëherësh edhe nga ndjenja e tyre e  thellë fetare, që i bën të jetojnë shumë të bashkuar me Zotin, “çka në vise të tjera të botës, nuk ndjehet me kaq forcë”.

16 janar 2019, 12:00