Panama: në pritje të Papës Panama: në pritje të Papës 

Papa në Panama, Carriquiry: realitet i vështirë, por plot me vrull rinor

Të rinjtë e mbarë botës presin Papën në Panama. Françesku do të jetë atje sot pasdite, për t’u bashkuar me të rinjtë e për të kremtuar me ta deri më 27, DBR-në 2019.

R. SH. - Vatikan

Do të jetë një shtegtim me ngjyrime të forta mariane, ky i Papës Françesku në Panama, për Ditën XXXIV Botërore të Rinisë, nën shenjën e përgjigjes  që Maria i dha Kryeengjëllit Gabriel: “Ja, shërbëtorja e Tënzot, u bëftë mbi mua si është fjala jote!”. Por do të jetë edhe një çast i çmuar   diskutimi për problematikat dhe vlerat e rinisë qendramerikane dhe asaj të të gjithë rajonit.

Një nga takimet e rëndësishme të Papës, do të jetë ai me ipeshkvijtë   qendramerikanë të Sedac, Sekretariatit episkopal të Amerikës Qendrore, ndërsa dy takimet e tjera do t’i kushtohen realiteteve më të vështira të të rinjve panamezë: Qendrës Cumplimiento de Menores Las Garzas de Pacora, burg ku Françesku do të kremtojë liturgjinë pendestare, për t’u dhënë mundësinë edhe të rinjve, që kanë humbur gjënë më të shtrenjtë, lirinë, të marrin pjesë në DBR-në e tyre. Sepse është edhe e tyrja, kjo Ditë e madhe, që i mbledh drejtpërdrejt ose simbolikisht, në një pikë të vetme të globit, të rinjtë e mbarë botës. E pastaj, edhe vizita në Casa Hogar del Buen Samaritano, fondacion që drejtohet nga Kisha e Panamasë,  për të asistuar të rinjtë e rritur, të prekur nga Sida, ku Papa do të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot.

 “Pavarësisht  nga problemet, jemi kontinent i ri, me të rinj, e prandaj jemi edhe të fortë - shpjegon uruguajani Guzman Carriquiri, zëvendës-kryetar  i Komisionit Papnor për Amerikën Latine, në mikrofonet tona:

“Ne kemi ende gjithë forcën, që buron nga energjia rinore e cila, pavarësisht nga të gjitha problemet tona, është kapital shprese për ardhmërinë e popujve latinoamerikanë. Shpresë e jetuar në atmosferën e vështirësive shumë të mëdha. Amerika Latine në dhjetëvjeçarët e fundit  është shekullarizuar me shpejtësi të jashtëzakonshme. Sot kemi edhe një numër të madh studentësh universitarë, por njëkohësisht, edhe po aq  “nini”, siç quhen të rinjtë e pashkollë e të papunë,  të cilët jetojnë  pothuajese të përjashtuar nga radhët e shoqërisë. Dhe e gjithë kjo, në një çast kritik, kur rrjeti i tregtarëve të drogës vijon të shtrihet gjithnjë më shumë në të gjithë Amerikën Latine, duke u përpjekur t’i joshë të rinjtë, shpesh edhe këta, të ngatërruar në rrjetet kriminale, gjithnjë më të dhunshme. E ky është një nga problemet më të mprehta të Amerikës Latine sot. Pa harruar papunësinë, që prek më se 50% të të rinjve. Vjen, pastaj, vala e korrupsionit, që ndjehet fort në viset tona, duke i larguar të rinjtë nga politika, e cila përqendrohet gjithnjë më shumë në duart e politikanëve në shërbim të vetvetes. Dhe e gjithë kjo, në atmosferën e krizës së thellë të partive politike  tradicionale. Në këtë atmosferë, të rinjtë e krishterë e kanë shumë vështirë të merren me politikë. E ky është problem shumë serioz. Pa u zgjidhur, pak shpresa kemi për ndryshime. Amerika Latine ka shumë nevojë për rehabilitim, për politikë të mirë!”

Profesor, të rinjtë arrijnë në Panama pak muaj pas Sinodit, ku ishin protagonistë: ç’i lidh këto dy ngjarje?

“I lidh përvoja e sinodalitetit. E pamë me sytë tonë gjatë zhvillimit të Sinodit,  në dialogun e ipeshkvijve me të rinjtë. Kjo përvojë e sinodalitetit do të vijojë edhe në ngjarjen e madhe rinore të Panamasë”.

Papa do t’i takojë ipeshkvijtë qendramerikanë të Sedac, të cilët këto muaj morën mbi shpatulla barrën e problematikave të forta, që po jeton rajoni. Mbi të gjitha, problemin e emigrantëve dhe të vuajtjeve të atyre, që dynden drejt kufirit ndërmjet SHBA-ve e Meksikës…

“Natyrisht që e kanë këtë barrë mbi shpinë, posaçërisht ipeshkvijtë qendramerikanë, që do të takohen me Papën, e, natyrisht do ta ndajnë bashkë  gjithë këtë shqetësim të madh për situatën, për këtë Via Crucis  qendramerikane që dyndet drejt kufirit ndërmjet Meksikës e SHBA-ve, ku ndalohen jo para murit, por para mureve. Sepse një pengesë serioze është edhe vetë Presidenti Trump, të cilit i është bërë mendja mur! Vendi ka të drejtë të plotë të punojë për sigurinë e shtetit të vet, por megjithatë, në këto kushte, çdo latinoamerikan i ndershëm duhet të përsërisë “Jemi të gjithë qendramerikanë. Të gjithë, meksikanë!”.

Të rinjtë do të zbulojnë një vend, Panamanë, që spikat sa për modernizimin, aq edhe për hendekun gjithnjë më të thellë ndërmjet të pasurve dhe të varfërve…

“Pikërisht. Kryeipeshkvi i Panamasë pati sinqeritetin, por edhe guximin të thotë se shtegtarët, të rinj e jo, e edhe ipeshkvijtë, që do të arrijnë në vend, do të gjejnë dy Panama: Panama City, që shihet nga dalja e aeroportit, me rrokaqiej, të cilët të krijojnë përshtypjen se je në Manhatan, e pastaj, duke dalë nga kryeqyteti e duke hyrë në thellësitë e vendit, do të takohen me varfërinë, me përjashtimin, me hedhurinat e modernizmit. Një pjesë e mirë  e të rinjve do të jenë mysafirë pikërisht në këto zona e do të mund ta vlerësojnë Panamanë me dy faqe: me mjerimin, por edhe me mikpritjen, bujarinë, solidaritetin, dashurinë e të gjithë panamezëve”.  

23 janar 2019, 13:38