Koncili: heshtja e kardinajve pas njoftimit të Gjonit XXIII

Mazhordomi i Papës Roncalli, Guido Gusso, tregon në një video, prapaskenat e njoftimit për mbledhjen e Koncilit, që Papa Gjoni XXIII ua dha fillimisht kardinajve në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve.

R.SH. - Vatikan

Pëshpëritje, pastaj, heshtje varri. Asnjë duartrokitje. Ky qe reagimi i kardinajve pasi Papa Gjoni XXIII (tashmë shenjt) u dha njoftimin se do të mblidhte një Koncil kishtar. Gjithçka ndodh në një kuvend ngjitur me Bazilikën romake të Shën Palit jashtë Mureve. Papa Roncalli shoqërohej nga mazhordomi i tij, Guido Gusso, dëshmitar pamor i atij episodi të 25 janarit 1959.

Anekdota

 Pas 60 vjetësh, në një video të Vatikan News, që përkujton këtë ngjarje të rëndësishme e që mund ta gjeni në faqen tonë të internetit “vaticannews.va”, Gusso tregon disa anekdota për çorientimin e prelatëve të pranishëm. Disa pyesnin me zë të ulët kolegët ç’kuptim kishte “kjo puna e Koncilit”. Të tjerë shqetësoheshin për kostot e një operacioni të tillë. “Do të mbeten bosh llogaritë e Vatikanit”, pëshpërisnin, duke kujtuar se vetëm pak javë më parë, Papa u pati rritur rrogat të gjithë punonjësve të Selisë së Shenjtë.

Papa rrinte mendueshëm

Gusso kujton gjendjen shpirtërore të Papës, të cilën e njohim edhe përmes ditarit të tij personal, që u publikua pas vdekjes. “Gjithçka bërë si duhet”, lexohet në të. Por, atë mëngjes, Gusso vërejti se Papa rrinte mendueshëm gjatë udhëtimit: “ishte mbyllur në vetvete e, në kundërshtim me ç’bënte zakonisht, nuk fliste”. Para se të nisej, ndërsa vishej në intimitetin e dhomës së vet, kërkoi paramentet më të bukura: “sot do të jetë ditë e jashtëzakonshme – i tha mazhordomit – sepse më duhet të jap një lajm të madh”.

Udhëtimi me makinë

 Pak fjalë edhe gjatë kthimit në Vatikan. “Nuk e morën mirë këtë punën e Koncilit”, pati vërejtur Papa. “E pati kuptuar se kardinjatë i kishte të gjithë kundër”, shton Gusso, që ka qenë protagonist edhe i dokumentarit tjetër për web të Vatican News, me rastin e shtegtimit të relikeve të shën Gjonit XXIII në vendlindje.

Reagimi i shtypit

“Njoftimi i la pa gojë kardinajtë në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve”, deklaron edhe ipeshkvi i nderit i Ivreas, imzot Luigi Bettazzi, i vetmi atë konciliar akoma gjallë. Edhe shtypi nuk e kuptoi këtë lajm deri në fund, siç dëshmon në video drejtori i atëhershëm i gazetës “L’Avvenire d’Italia”, Raniero La Valle. “Akoma s’kishte përfunduar formalisht Koncili I i Vatikanit, megjithëse ishte mbyllur para një shekulli, kur bersalierët hynë në Porta Pia. E punohej akoma me teologjinë e Koncilit të Trentit. Prandaj, si mund ta kuptonin një Koncil të ri?”.

Artikull emblematik

Veçanërisht domethënës, artikulli i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”. “Fjala ‘Koncil’ – shpjegon La Valle – nuk është as në titull e as në përmbledhjen pas titullit, në faqen e parë. Flitet për ‘ngjarje të mëdha në jetën e Kishës’. Nuk u mor vesh, nuk e kuptoi askush. Por s’mund ta kuptonin, sepse nuk mund të dihej ç’ishte një Koncil për Kishën e shekullit XX, e cila duhej t’i bënte ballë botës, që po ndryshonte”.

25 janar 2019, 12:01