Kërko

Margherita Bays Margherita Bays 

Kisha do të ketë një Shenjtore të re, 14 të Lume e dy të Nderuara

Duke pritur sot në audiencë kardinalin Angelo Becciu, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, Papa e autorizoi për shpalljen e Dekreteve, që kanë të bëjnë me të Lumen Margarita Bays, e cila do të shpallet Shenjtore dhe me Shërbëtoret e Zotit Maria Del Carmen dhe 13 shoqe, të Lume. Njohu edhe virtytet heroike të Shërbëtoreve të Zotit Anna Kaworek e Maria Soledad Sanjurjo Santos.

R. SH. - Vatikan

E lumja Margarita Bays, Virgjër e të Tretit Urdhër të Shën Françeskut të Asizit, do të shpallet shenjtore për mrekullinë, kryer përmes lutjeve të saj. E lindur më 8 shtator 1815 në La Pierraz, pranë  Friburgut, motra laike zvicerane Margherita Bays, jetoi duke punuar si rrobaqepëse, shtëpiake e katekiste. Kaloi një jetë të thjeshtë, por jo jashtë kësaj bote, duke mbështetur me të gjitha forcat shtypin katolik gjatë Kulturkampf. Po ngjarja, që ia ndryshoi krejtësisht jetën, qe dhurata e plagëve të Krishtit. U shërua mrekullisht nga kanceri në zorrë më 8 dhjetor 1854, pikërisht ndërsa Piu IX shpallte dogmën e Zojës së Papërlyer. Vdiq në Siviriez, më 27 qershor  1879 e u shpall e lume më 1995, me dy rregulltare zvicerane: Maria Teresa Scherer e Maria Bernarda Butler. Pushon në paqe në Kishën e Siviriez, në territorin e Friburgut në Zvicer.

Të Lumet e reja

Do të shpallen të Lume për njohjen e martirizimit, Shërbëtoret e Zotit Maria del Carmen (në shekull: Isabella Lacaba Andía) e 13 Shoqe, Rregulltare të Urdhërit  të    Françeskaneve Koncepsioniste, të vrara, nga urrejtja për Fenë, në Spanjë, më 1936.

Dy të Nderuara të reja, Shërbëtore  të Zotit

Papa njohu edhe virtytet heroike të  Shërbëtores së Zotit Anna Kaworek, Bashkëthemeluese e Kongregatës së Motrave të Shën Mikelit Kryeengjëll, vdekur më 1936,  si dhe të Shërbëtores së Zotit Maria Soledad Sanjurjo Santos (në shekull, Maria Consolata), Rregulltare e Kongregatës së Shërbëtoreve të Marisë, në ndihmë të të sëmurëve, vdekur më 1973.

15 janar 2019, 15:21