Kërko

 Kardinali Pietro Parolin Kardinali Pietro Parolin 

Kardinali Parolin punëtorëve të Vatikanit: të jeni dëshmitarë të dashurisë së Jezusit

Në Meshën për punëtorët, kremtuar në zonën industriale vatikanase nga kardinali Pietro Parolin, sekretari i Shtetit të Vatikanit theksoi se feja është takim, i cili duhet dëshmuar.

R. SH. - Vatikan

Në njërin nga kapanonet e zonës industriale të Vatikanit, me rastin e së premtes së parë të muajit, kardinali Pietro Parolin, sekretar i Shtetit,  kremtoi Meshën për punëtorët e shërbimit teknik.

Të thirrur për të qenë gisht, që drejtohet kah Jezusi

Në homelinë e Meshës, Hirësia e Tij komentoi Ungjillin e Gjonit,  nënvizoi se feja është takim, jo grumbull mendimesh, e as moral. Duke kujtuar se Jezusi vijon edhe sot e kësaj dite të ecë në udhën tonë e t’i shndërrojë jetët e secilit prej nesh, kardinali Parolin i nxiti punëtorët të jenë Kisha që, ndonëse në realitetet e saj të larmishme, nganjëherë edhe kontradiktore, duhet të jetë gjithnjë e gjithkunnd gisht i drejtuar kah  Zoti, për të treguar se është Ai në qendër të jetës, jo vetvetja, duke e harruar, kështu, misionin e  vërtetë: “T’ia çojmë Krishtin të gjithë njerëzve!”.

Dashuria e Jezusit nuk të zhgënjen kurrë

Takimi - shtoi kardinali Parolin - lind nga një nevojë, nga varfëria e dashurisë, që ndjen njeriu. Jezusi nuk të zhgënjen kurrë me dashurinë e Tij e kështu, duke e ndjerë se na do, edhe ne bëhemi të aftë për të qenë dëshmitarë të Krishtit, si në familje, ashtu edhe në punë. Në përfundim të kremtimit, famullitari i Kishës së Shën Anës, don Bruno Silvestrini, e falënderoi kardinalin Parolin, duke nënvizuar se në gjirin e punëtorëve  po rritet gjithnjë më shumë ndjenja e miqësisë dhe e bashkësisë.

Me kardinalin Pietro Parolin bashkëkremtuan imzot Robert Murphy, zyrtar i Sekretarisë së Shtetit dhe atë Rafael García de la Serrana Villalobos, drejtor i Shërbimeve teknike të Guvernatoratit.

 

05 janar 2019, 16:45