Kërko

 Kori i Kapelës  Sikstine Kori i Kapelës Sikstine 

Kapela Muzikore Papnore përfshihet në Zyrën e Kremtimeve liturgjike

Kapela Muzikore Papnore përfshihet në Zyrën e Kremtimeve liturgjike. Vendimi merret me një Motu proprio të Papës, që emëroi Guido Marinin përgjegjës të Kapelës dhe imzot Guido Pozzo-n, drejtor për ekonominë e “Sikstinës”.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku vendosi sot, me një Letër Apostolike në formë Motu proprio, që Kapela Muzikore Papnore të përfshihet në Zyrën e kremtimeve Liturgjike të Papës, për shërbimin e veçantë të funksioneve liturgjike papnore. Njëkohësisht do të kujdeset edhe për ruajtjen e pasurimin e trashëgimisë  artistiko-muzikore, prodhuar në shekuj nga vetë Kapela, për liturgjitë solemne të Papëve.

Kapela Sikstine në histori

Që nga themelimi i saj, e në rrjedhë shekujsh, Kapela Muzikore Papnore – shkruan Françesku - shkëlqeu në histori “si mjet i lartë i shprehjes artistike e liturgjike në shërbim të kremtimeve solemene të papëve”. Fillimisht brenda Kapelës së shkëlqyer Sikstine, prej nga e mori edhe emrin, e pastaj,  në mjediset e Bazilikës së Shën Pjetrit e kudo  kishin nevojë Papët.

Lidhja me kremtimet papnore

Prikërisht për këtë lidhje të drejtpërdrejtë me kremtimet e mëdha të Papëve, Kapela muzikore Sikstine pati edhe lidhje të ndryshme me institucionet papnore e sot përfshihet në gjirin e Prefekturës së Shtëpisë Papnore, me administrim të veçantë.

Normat e Koncilit për Liturgjinë Kishtare

Vendimi i sotëm - shpjegon Françesku - u mor “duke pasur parasysh normat e Sacrosanctum Concilium, që ia besoi hijeshimin e kremtimeve ‘scholae cantorum’, një shërbim i mirëfilltë liturgjik”.

Emërimi i imzot Guido Marinit

Në vijim të këtij vendimi, Papa emëroi si përgjegjës të Kapelës Muzikore,  imzot Guido Marinin, Mjeshtër i Kremtimeve Liturgjike Papnore,  “të cilit ia besoi detyrën t’i udhëheqë të gjitha veprimtaritë liturgjike, baritore, shpirtërore, artistike dhe edukative të së njëjtës Kapelë, duke respektuar qëllimin parësor të muzikës kishtare “që është për lavdi të Zotit e për shenjtërimin e besimtarëve”.

Papa, duke e pasur shumë zemër Sikstinën, emëroi edhe drejtorin e ri të ekonomisë për Kapelën Muzikore. Është imzot Guido Pozzo, deri tani sekretar i Komisionit Papnor Ecclesia Dei.

19 janar 2019, 17:01