Kërko

Festa e Dëftimit të Zotit, Ujit të Bekuar Festa e Dëftimit të Zotit, Ujit të Bekuar  

Festa e Dëftimit të Zotit, Ujit të Bekuar

Mbretërit Dijetarë njohin në të sapolindurin e brishtë Zotin e panjohur për ta, dhe i ofrojnë kem Mbretit, i ofrojnë ar –shenja e kundërshtive që zbulon zemrat e secilit, dhe i ofrojnë mirrë që përdorej për të vdekurit, si shenjë e kryqit që ishte në fatin e Jezu Krishtit. Festa e Dëftimit të Zotit është festa e të gjithë njerëzve që i bëjnë pyetje vetes dhe përpiqen të njohin Zotin.

R.SH. - Vatikan

Më 6 janar, Kisha katolike kremton e përkujton ardhjen e tre Mbretërve Dijetarë në Shpellën e Betlehemit dhe momentin e adhurimit të Jezusit, Foshnjës Hyjnore nga ana e tyre.

Me këtë kremte Kisha na bën me dije se Jezu Krishti nuk ka ardhur vetëm për Izraelitet, por për mbar botën. Pas lindjes së Krishtit, atë e vizitojnë barinjtë, njerëz të thjeshtë. Por sot Atë e vizitojnë Tre Dijetarët apo Tre Mbretërit dhe Krishtit i sjellin jo vetëm dhurata të çmueshme, por edhe e nderojnë si Mbret. Këta Tre Mbretër sipas traditës ishin Gaspri, Melhiori dhe Baltazari. Atyre rrugën për në Betlehem iu tregoi ylli. Besimi ynë në Krishtin duhet të jetë yll ndriçues në përditshmërinë tonë. Gjate këtij solemniteti, po ashtu, bëhet bekimi ujit, me të cilin meshtari bekon familjet dhe pasurinë tonë. Lë të përgatitemi shpirtërisht për ta pranua bekimin e Zotit me të cilin do të vazhdojmë rrugëtimin tonë gjatë vitit të sapofilluar.

Melkiori, Balatasari e Gaspri – siç na kujton Ungjilli i Mateut - u nisën nga lindja drejt Jerusalemit në kërkim të diçkaje për t’u siguruar se intuita e tyre shkencore qe e drejtë. Sipas tyre, ngjarja qiellore që vunë re, ylli kometë që ndoqën ishte shenjë lajmesh të mira. Nuk e dinin Dijetarët se kurioziteti i tyre do t’i çonte para Birit të Zotit, para Jezusit, Foshnjes Hyjnore.

Në Jeruzalem njerëzit u shqetësuan: kush janë këta të tre e ku shkojnë? Herodi u terrorizua: pra profecitë e vjetra që ai vetë i konsideronte përralla po u realizokan! Mesia do t’i marrë vendin, Zotin e paska konkurrent? Meshtarët e Tempullit dhe skribët e dinë vendin ku do të lindë Mesia, por kontrollojnë më kot Shkrimet: nuk do të dalin nga pallatet për ta verifikuar profecinë. Të mbetur vetëm, Mbretërit Dijetarë, paganë e pa Zot, ndjekin kometën e mbërrijnë para shën Marisë e Birit të saj. Kërkonin përgjigje për teoritë e tyre dhe gjejnë Zotin.

Në këtë solemnitet të Dëftimit të Zotit, për të gjithë njerëzit që e kërkojnë Zotin në jetën e përditshme, duke bërë punë të tjera, në dukje jo aq të rëndësishme, nesër është festa e tyre, është festa jonë. Është festa e të gjithë atyre njerëzve që nëpërmjet artit, shkencës, filozofisë i bëjnë pyetje vetes dhe përpiqen të kapërcejnë kufizimet e teorive.

Mbretërit Dijetarë njohin në të sapolindurin e brishtë Zotin e panjohur për ta, dhe i ofrojnë kem Mbretit, i ofrojnë ar –shenja e kundërshtive që zbulon zemrat e secilit, dhe i ofrojnë mirrë që përdorej për të vdekurit, si shenjë e kryqit që ishte në fatin e Jezu Krishtit. 

Mbeten në hije pallatet e pushtetit në Jeruzalem, ku lajmi mbi lindjen e Mesisë çohet paradoksalisht nga vetë Mbretërit Dijetarë, dhe sjell jo gëzim, por frikë dhe reagime të urrejtshme. Plan i mistershëm hyjnor: “drita erdhi në botë, por njerëzit preferuan errësirën ndaj dritës, sepse veprat e tyre janë të këqija”.

04 janar 2019, 15:39