Kërko

Të krishterë në lutje Të krishterë në lutje 

Doktrina e fesë: takim në Tajlandë me ipeshkvijtë e Azisë

Do të mbahet në Bangkok, nga 15 deri më 18 janar, një takim ndërmjet kryetarëve të Komisioneve Doktrinore të Konferencave Ipeshkvnore të Azisë dhe një delegacioni të Kongregatës për Doktrinën e Fesë. Njoftimin e jep dikasteri i Vatikanit.

R.SH. - Vatikan

Takimi është ndër më të rëndësishmit në historinë e kohëve të fundit të Kishës. “Me Udhëzimin e 23 Shkurtit 1967 – lexohet në komunikatë - Kongregata për Doktrinën e Fesë, e ngarkuar nga Shën Pali VI, pati ftuar të gjitha Konferencat Ipeshkvnore të ngrinin Komisione Doktrinore, si organe këshillimore ndihme për vetë Konferencat dhe për çdo ipeshkëv në çështjet e fesë e të moralit”.

Histori bashkëpunimi

Një hap tjetër i rëndësishëm u bë në vitin 1982: “për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet Kongregatës për Doktrinën e Fesë dhe Komisioneve Doktrinore të episkopateve, kardinali i atëhershëm prefekt, Jozeph Ratzinger, vendosi të mblidhte periodikisht kryetarët e këtyre Komisioneve në nivel kontinental”. Një nga karakteristikat e këtyre takimeve qëndronte në faktin se janë “përfaqësuesit e Kongregatës, që zhvendosen në kontinente të ndryshme, duke theksuar kështu rëndësinë e autoriteteve lokale dhe rajonale”.

Nga Bogota në Bangkok

I pari i këtyre takimeve u mbajt në Bogota të Kolumbisë, në vitin 1984. Takimet e tjera u mbajtën në Kinshasë (1987), Vienë (1989), Hong Kong (1993), Guadalajara (1996) dhe San Francisco (1999). Kohët e fundit, takimet janë zhvilluar në Dar es Salaam (2009) dhe në Esztergom-Budapest (2015).

Përkrah episkopateve lokale

Tani, në bashkëpunim me presidencën e Federatës së Konferencave Ipeshkvnore të Azisë, është planifikuar një takim i ri. “Kjo ngjarje - lexojmë në komunikatë - tregon vullnetin e Kongregatës për Doktrinën e Fesë që të mbështesë episkopatet vendase, në angazhimin e tyre për promovimin dhe mbrojtjen e doktrinës së fesë përballë sfidave të veçanta të kontinentit aziatik”. Delegacioni i Kongregatës për Doktrinën e Fesë do të kryesohet nga prefekti, kardinali Luis F. Ladaria, dhe nga zv.sekretari, imzot J. Augustine Di Noia.

11 janar 2019, 16:43