Kërko

Nunciatura apostolike në Itali Nunciatura apostolike në Itali 

Bota në Vatikan, për takimin me Papën Françesku. Marrëdhëniet diplomatike të Selisë së Shenjtë

Gazeta e Konferencës Ipeshkvnore Italiane, “Avvenire”, analizon në një artikull marrëdhëniet e Vatikanit me shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe ato delikate me Kosovën.

R.SH. - Vatikan

Është fjalimi më “gjeopolitik” i vitit, ai që mbajti sot Papa Françesku para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë. Gazeta e Konferencës Ipeshkvnore Italiane, “Avvenire”, analizon në një artikull marrëdhëniet e Vatikanit me shtete të ndryshme të botës, përfshirë edhe ato delikate me Kosovën. Fjalimi i Atit të Shenjtë, vëren autori, Gianni Cardinale, vjen pas një viti si 2018-a, gjatë të cilit u nënshkrua marrëveshja e përkohshme për emërimet ipeshkvnore në Kinë, një nga vendet e botës, që akoma nuk ka marrëdhënie diplomatike me Vatikanin.

Pak histori

         Vërtet, Selia e Shenjtë ka tashmë lidhje të plota diplomatike me gati të gjitha shtetet e globit. Në vitin 1900, këto vende ishin rreth njëzet, më 1978 arritën në 84 e, në vitin 2005, në 174. Me Papën Benedikti XVI numri u shtua deri në 180 e, me Papën Françesku, në 183. Shtetet e fundit, që kanë lidhur marrëdhënie me shtetin e vogël papnor janë Sudani i Jugut (2013), Mauritania (2016) dhe Mianmari (2017). Në vitin 2016, të ashtuquajturat “lidhje të veçanta” me Shtetin e Palestinës – përkufizuar kështu, zyrtarisht, nga Selia e Shenjtë, pas rezolutës 67/19 të OKB-së të nëntorit 2012, që i dha statusin e vëzhgueses së përhershme – janë kthyer në marrëdhënie të plota diplomatike, pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes globale, nënshkruar në qershor 2015.

Lidhjet me organizatat dhe institucionet ndërkombëtare

         Selia e Shenjtë ka lidhje diplomatike me Bashkimin Evropian dhe me Urdhërin e Maltës; ka vëzhgues të përhershëm në organizatat kryesore ndërkombëtare qeveritare si në OKB (në selitë e Nju Jorkut e të Gjenevës), ndërsa është anëtare historike themeluese në OSBE, me seli në Vjenë.

Çështja e Kinës

         Ndër vendet me të cilat Selia e Shenjtë ka marrëdhënie diplomatike është edhe Kina, por, që nga viti 1979, misioni me seli në Tajvan nuk kryesohet më nga një nunc apostolik. Niveli i përfaqësimit është ai i “të ngarkuarit me punë ad interim”. Gjithsesi, në Vatikan, pritet gjithnjë mundësia për ta zhvendosur nunciaturën në Pekin. Ndërkohë, një përfaqësi diplomatike punon në të ashtuquajturin “mision studimor” në Hong Kong, formalisht i lidhur me nunciaturën e Filipineve.

Shtetet me të cilat Selia e Shenjtë nuk ka marrëdhënie

         Selia e Shenjtë nuk ka akoma marrëdhënie me 12 shtete, shumica aziatike e kryesisht myslimane, megjithëse jo të gjitha. Në tetë prej këtyre vendeve Vatikani nuk ka asnjë të dërguar të vet (Afganistan, Arabi Saudite, Butan, Kinë Popullore, Kore e Veriut, Maldive, Oman, Tuvalu). Ndërsa, në katër vende të tjera, - dy afrikane (Komore dhe Somali) e dy aziatike (Brunei dhe Laos) – shërbejnë Legatë apostolikë, pra, përfaqësues papnorë pranë bashkësive katolike vendase, por jo pranë qeverive.

Rasti i veçantë i Vietnamit

         Rast i veçantë është ai i Vietnamit, me të cilin kanë filluar formalisht bisedimet për të vendosur marrëdhënie diplomatike normale. Me këtë synim, në vitin 2011, është emëruar një përfaqësues vatikanas jo rezidencial, pranë qeverisë së Hanoit. Dhjetorin e sapokaluar, në përfundim të takimit të shtatë të grupit të përbashkët të punës ndërmjet Vietnamit e Selisë së Shenjtë, të dyja palët arritën një marrëveshje për ta ngritur “në të ardhmen” nivelin e marrëdhënieve, nga ai i “përfaqësuesit papnor jo të përhershëm, në përfaqësuesin papnor të përhershëm”.

Çështja e Kosovës

         Përsa i përket Kosovës – njohja e së cilës, nënvizon artikulli i botuar në gazetën kishtare italiane “Avvenire”, do të bëhet kur statusi i saj ndërkombëtar të jetë më pak i diskutueshëm – tani për tani, Selia e Shenjtë është kufizuar në emërimin e një Legati apostolik, detyrë e kryer nga nunci në Slloveni. Prandaj, kur presidenti i Kosovës, në vitet 2016 e 2017 e, kryeministri, në vitin 2018, u pritën nga Papa Françesku, audiencat qenë private e nuk u publikuan në gazetën zyrtare vatikanase “L’Osservatore Romano”.

89 ambasada me seli në Romë

         Aktualisht, në Romë e kanë selinë 89 ambasada të akredituara në Selinë e Shenjtë, përfshirë ato të Bashkimit Evropian e të Urdhërit të Maltës. Vendet e tjera përfaqësohen nga diplomatë me seli pune në kryeqytete të tjera evropiane. Natyrisht, Selia e Shenjtë nuk pranon ambasadorë të akredituar edhe në Itali, duke qenë shtet më vete. Në vitin 2014 u kthye në Romë përfaqësia e Irlandës, që qeveria e Dublinit e pati deklasuar në “jo rezidenciale” më 2011. Në kohën e Papës Françesku, janë bërë “rezidentë” edhe ambasadorët e Armenisë, Belizes, Ganës, Palestinës, Malajzisë dhe Afrikës së Jugut.

Vëmendja e Selisë së Shenjtë për Ballkanin

         Selia e Shenjtë vijon të tregojë vëmendje të veçantë për vendet afrikane dhe aziatike, por edhe për rajonin e Ballkanit, historikisht, ndër më të vuajturit e kontinentit evropian. Vitin e kaluar, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, gjatë vizitës në Malin e Zi, njoftoi hapjen e selisë së nunciaturës në Podgoricë. Nuncët e tjerë rezidentë të zonës shërbejnë në Ljubljanë, Zagreb, Beograd, Sarajevë, Tiranë, Sofje dhe Bukuresht). Gjithnjë, në vitin 2018, Papa Françesku dërgoi në Sudanin e Jugut një këshilltar nunciature, i cili duhet të banojë në vend. Që nga viti 2010, përveç atij të Timorit Lindor, në Afrikë janë emëruar edhe tre “të ngarkuar me punë”, në Çad, Gabon dhe Malaui.

07 janar 2019, 12:38