Kërko

Andrea Monda, drejtor i "l'Osservatore Romano" Andrea Monda, drejtor i "l'Osservatore Romano" 

Andrea Monda: pa vëllazërim, bota çekuilibrohet dhe kalon në skizofreni

Editoriali i sotëm i drejtorit të gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano” është një reflektim mbi fjalën “vëllazërim”, theksuar nga Papa Françesku në mesazhin “Urbi et Orbi” të Krishtlindjes.

R.SH. - Vatikan

“Fjala me të cilën nis viti 2019 është ajo e Atit të Shenjtë Bergoglio në mesazhin ‘Urbi et Orbi’ të ditës së Krishtlindjes: vëllazërim”. Fjalë, që tregon të vërtetën bazë të këndvështrimit të krishterë mbi njerëzimin, vë në dukje “harominë ndërmjet unitetit e larmisë” dhe nënvizon se “ndryshimet ndërmjet nesh nuk sjellin dëme apo rreziqe”, por pasurim shpirtëror e material. Kështu shkruan drejtori i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”, Andrea Monda, në editorialin e sotëm.

Vëllazërimin na e ka dhuruar Krishti

 Vëllazërimi, vëren ai, “nuk është ideal abstrakt”, por “përvojë konkrete, që të gjithë e njohim, falë atij realiteti - bindës e dramatik, njëkohësisht - që është familja”. Monda përmend realizmin e Papës Françesku e të Biblës, kur flet për “histori vëllezërish jo aq shembullorë”, por pastaj, përvijon ardhjen e “Jezu Krishtit, Birit të vetëm të Atit Qiellor, që bëhet i Parëlinduri e vëllai i gjithë njerëzve”, duke na ftuar “të duhemi si vëllezër, bij të të njëjtit Atë”.

Barazia dhe liria kanë nevojë për vëllazërimin

 Drejtori i “L’Osservatore Romano”-s kujton se moderniteti, në një farë mënyre, e ka “vrarë figurën e atit” dhe se nga idetë e Revolucionit francez, pikërisht “vëllazërimi” harrohet më shpesh. “Kemi nevojë për t’i hequr pengesat ndaj vëllazërimit – shkruan Monda – sepse Perëndimi, gjatë shekujve të fundit, e ka shkelur pak si tepër pedalin e lirisë e të barazisë, por pa ‘drejtpeshimin’ e vëllazërimit, rezultati është një botë e çekuilibruar, skicofrenike”, në darën e dy të kundërtave – “barazitarizmit (egalitarizmit)” dhe “liberizmit” – të cilat, në fund të fundit, bëhen e njëjta gjë.

Pra, mungon “ai realizëm, që vetëm vëllazërimi mund t’ia transmetojë dy ideve të barazisë dhe të lirisë, të cilat, kur shkëputen nga vëllazërimi, duket sikur çmenden, duke krijuar çarje për të cilat akoma debatohet në Perëndim”. Në fund të editorialit të sotëm, paralajmërimi i Papës Françesku: “Pa vëllazërimin, që na ka dhuruar Jezu Krishti, përpjekjet tona për një botë më të drejtë kanë frymëmarrje të ngushtë e, edhe projektet më të mira ka rrezik të kthehen në struktura pa shpirt”.

03 janar 2019, 13:12