Kërko

 Andrea Tornielli e Andrea Monda Andrea Tornielli e Andrea Monda 

Tornielli e Monda: emërimet e reja të Papës në Komunikim

Javën e kaluar, Papa Françesku emëroi dy drejtorë të rinj, që priteshin prej kohësh në Dikasterin e Komunikimit. I pari është Andrea Tornielli, gazetar italian, deri tani, koordinator i faqes së internetit “VaticanInsider”, i cili merr në dorë detyrën e drejtorit editorial të Dikasterit, ndërsa i dyti, Andrea Monda, profesor i besimit, bëhet drejtor i gazetës vatikanase “L’Osservatore Romano”.

R.SH. - Vatikan

Në reagimet e tyre të para, të dy theksuan rolin e mediave të Vatikanit për t’u çuar njerëzve Lajmin e Mirë të Ungjillit.

Andrea Tornielli: të mos reduktohet realiteti në parrulla

 Në intervistën e tij të parë për Radio Vatikanin, Andrea Tornielli, duke folur për mediat vatikanase, nënvizoi:

Besoj dhe kam besuar gjithmonë se ato kanë mundësi të mëdha, sepse jetojmë në një kohë kur bëhen shumë komente, por ka rrezik të zhduken faktet, …informacioni faktik, që ka parasysh të gjithë faktorët e realitetit. Në këtë këndvështrim, mendoj se mediat e Vatikanit kanë një detyrë të rëndësishme, ndihmuar edhe nga pasuria e tyre profesionale dhe gjuhësore. Por, duhet treguar kujdes i veçantë. Nuk duhet harruar se medium, pra, mjeti, nuk është kurrë mesazhi (cit. McLuhan); duhet një mesazh i fortë, i komunikuar mirë, kemi nevojë për një këndvështrim autentik kishtar mbi faktet e aktualitetit. Nga kjo pikëpamje, mediat e Vatikanit kanë përgjegjësi të madhe.

Andrea Monda: t’i çojmë zërin e Kishës njerëzimit të zhgënjyer

Në editorialin e tij të parë për gazetën “L’Osservatore Romano”, drejtori i ri i së përditshmes zyrtare të Vatikanit, Andrea Monda, shtron pyetjen: “Ç’duhet të bëjë një gazetë, që ka për mision ta çojë zërin e Papës e të Kishës në gjithë botën?” Përgjigjja, sipas tij, duhet gjetur në Krishtin: shok udhe me çdo njeri e, njëkohësisht, në një farë mënyre, edhe “i huaj”. “I krishteri – shkruan Monda – duhet t’i njohë dhe t’i dojë nga brenda historitë e njerëzve, por pa qenë edhe ‘tepër brenda’ fluksit të pandalshëm të ngjarjeve”.

Kisha dhe gazeta “L’Osservatore Romano”, mendon profesori, që së bashku me nxënësit e tij, shkroi meditimet e Udhës së Kryqit të këtij viti në Koloseum, “duhet të ecë përkrah çdo njeriu e, njëkohësisht, të mbetet pak si ‘e huaj’ që të mund të thotë një fjalë të fuqishme, të papritur, turbulluese”. Vetëm kështu, gazeta mund t’i ndezë zemrat e t’i japë shpresë një bote të zhgënjyer e të shkurajuar.

23 dhjetor 2018, 09:21