Kërko

Andrea Tornielli e Andrea Monda Andrea Tornielli e Andrea Monda 

Tornielli, drejtor editorial i Dikasterit për Komunikimin, Monda, i “L’Osservatore Romano”-s

Dy emërime të reja për botën e komunikimit të Selisë së Shenjtë. Papa zgjedh Andrea Tornielli-n në udhëheqjen editoriale të Dikasterit dhe Andrea Monda-n në drejtimin e gazetës “L’Osservatore Romano”.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku emëroi sot gazetarin Andrea Tornielli, drejtor editorial të Dikasterit vatikanas për Komunikimin dhe prof. Andrea Monda-n, përgjegjës të “L’Osservatore Romano”-s. Ky i fundit zëvendëson prof. Giovanni Maria Vian, të cilit Ati i Shenjtë i dha titullin e drejtorit të nderit të gazetës së Vatikanit.

Kush është Andrea Tornielli

Andrea Tornielli u lind në Chioggia (Venedik), më 19 mars 1964, frekuentoi liceun klasik e më pas Universitetin e Padovës, ku u diplomua në Historinë e Gjuhës Greke. Prej vitit 1992 deri më 1996 ka qenë redaktor i revistës mujore “30 ditë”. Ndërsa nga 1996-a deri në vitin 2011, ka punuar për gazetën italiane “Il Giornale”. Në prill 2011, u zhvendos në gazetën “La Stampa”, ku deri tani, ka koordinuar faqen e internetit “Vatikan Insider”. Jeton ndërmjet Romës dhe Milanos, është i martuar dhe ka tre fëmijë.

Kush është Andrea Monda

Prof. Andrea Monda, shkrimtar dhe eseist, u lind në Romë më 22 mars 1966, është i martuar dhe ka një djalë. Është diplomuar në Jurisprudencë në Universitetin “La Sapienza” të Romës e, pastaj, edhe në Shkenca Fetare në Universitetin Papnor Gregorian. Punoi për disa vjet në Zyrën ligjore të departamentit të Taksave të Bashkisë së Romës, për llogari të një Instituti bankar. Që nga viti 2000,  punon si profesor i lëndës së fesë; për rreth një dekadë, ka mbajtur seminare për krishterimin dhe letërsinë në Universitetin Papnor të Lateranit dhe në atë Gregorian. Është anëtar i Shoqatës profesionale të Gazetarëve, në listën e publicistëve; bashkëpunon me faqe kulturore në gazeta të ndryshme, duke përfshirë edhe të përditshmen kishtare italiane “Avvenire”; shkruan komente për revistën e jezuitëve “La Civiltà Cattolica”. Organizon laboratore, takime kulturore dhe është autor i disa eseve dhe librave.

18 dhjetor 2018, 13:19