Kërko

 Ipeshkvijtë në Sinodin kushtuar të rinjve Ipeshkvijtë në Sinodin kushtuar të rinjve 

Takim në shkurt: ipeshkvijtë t’i takojnë viktimat e shpërdorimeve në vendet e tyre

Komunikatë e Komitetit organizator të takimit të shkurtit, në Vatikan, kushtuar mbrojtjes së të miturve. Ipeshkvijtë ftohen t’i takojnë viktimat e abuzimeve në vendet e tyre.

R. SH. - Vatikan

Komiteti organizator i takimit për mbrojtjen e të miturve në Kishë, që do të mbahet në Vatikan, nga 21 deri më 24 shkurt 2019, vijon përgatitjen për këtë ngjarje të rëndësishme. Njoftimin e jep një komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. Përmes një letre, dërguar sot pjesëmarrësve -   njofton Komiteti - ftohen të gjithë të ndjekin shembullin e Papës Françesku për t’i takuar, para mbledhjes së rangut të lartë të Romës, viktimat e mbijetuara nga shpërdorimet.

Të takohen viktimat e shpërdorimeve, për ta kuptuar vuajtjen e tyre

Hapi i parë - lexohet në letër - duhet të jetë  njohja e së vërtetës mbi atë që  ndodhi, prandaj çdo kryetar Konference Ipeshkvnore nxitet t’i gjejë e t’i takojë, në vendet përkatëse e para takimit të Romës, viktimat e mbijetuara prej abuzimeve seksuale nga ana e klerit, për ta kuptuar vërtetësisht  vuajtjen e tyre.

Viktimat të jenë në plan të parë të takimit të shkurtit

Takime të tilla pesonale - nënvizon Komiteti organizues - janë një mënyrë konkrete për të garantuar se viktimat zënë vendin e parë në mendjen e gjithë atyre, që do të mblidhen në shkurt. Do të jetë takim i frymëzuar nga shpirti i solidaritetit, i përvuajtërisë, i pendesës “për të shkuar përpara në përballimin e krizës së abuzimeve”. Në letër falënderohen, në emër të Papës, pjesëmarrësit për ndihmën në përgatitjen e takimit. “Ati i Shenjtë - lexohet - është i bindur se përmes bashkëpunimit kolegjial, do të mund të përballohen sfidat,  që ka përpara Kisha”

Letra pajiset edhe me një pyetësor, që duhet plotësuar, për një përgatitje sa më të mirë. Takimi - pohoi drejtori i Sallës së Shtypit, Greg Burke - do të përqendrohet mbi tri tema kryesore: “përgjëgjësi, besueshmëri, transparencë”.

19 dhjetor 2018, 13:38