Kërko

2018.12.11  PRESEPE QUIRINALE 2018.12.11 PRESEPE QUIRINALE 

Ta presim Jezusin me dashuri në të gjitha shtëpitë e botës

Në atmosferën e gëzimit të vërtetë të Krishtlindjes, Kisha na fton të gjithëve t’ia hapim zemrat Zotit e ta presim me dashuri: Hapi zemrat, që ta presim Jezusin me gëzim. Afërsia’ e Hyjit nuk është çështje hapësire, as kohe, por çështje dashurie: dashuria afron!

R.SH. - Vatikan

Krishtlindja do të kremtohet përsëri, për të na kujtuar se Zoti vjen pranë nesh, kur e duam. Urojmë që Jezu Krishti të pritet me dashuri në të gjitha shtëpitë e shqiptarëve dhe të mbarё botës.

“Gëzohuni, sepse Zoti është afër!”. Kjo është thirrja e Shën Palit që  i shoqëron besimtarët në Kohën e Ardhjes së Shpëtimtarit të njerëzimit. Apostulli i Popujve natyrisht mendon për rikthimin e  Zotit, por vëren edhe faktin e vërtet se askush nuk është në gjendje ta dijë çastin e ardhjes së Hyjit. Prandaj kjo thirrje na nxit e na afron kaq shumë pranë Zotit, këto ditë, kur e presim e përgatitemi për të takuar Hyjin e Mishëruar, në Foshnjën Hyjnore tё Betlehemit.

Që në kohen apostolike, Kisha, e ndriçuar nga Shpirti Shenjt Zot, e kuptonte gjithnjë më mirë se ‘afërsia’ e Hyjit nuk është çështje hapësire, as kohe, por çështje dashurie: dashuria afron! Krishtlindja e afërme vjen të na kujtojë këtë të vërtetë themelore të fesë sonë e, para Shpellës së Betlehemit, mund të shijojmë gëzimin e krishterë, duke kundruar, në Foshnjën Hyjnore, fytyrën e vetë Hyjit, që vjen pranë nesh për dashuri. Në atmosferën e gëzimit të vërtetë të Krishtlindjes, Kisha na fton të gjithëve t’ia hapim zemrat Zotit e ta presim me dashuri:

Hapi zemrat tona,

që ta presim Jezusin me gëzim,

të bëjmë gjithnjë atë që na kërkon

e ta shikojmë në të gjithë njerëzit

që kanë nevojë për dashurinë tonë!

E pranë shtatoreve të Foshnjës Hyjnore që vendosim në grazhdin e Shpellave të Betlehemit, që kemi përgatitur nëpër shtëpitë tona, të bashkojmë zërin në këtë lutje:

O Zot, Ati ynë…

të lutemi që, me bekimin tënd,

Jezusi Foshnje, që po vjen mes nesh

të jetë, në shtëpitë tona

shenjë e pranisë sate dhe e dashurisë sate Hyjnore.

16 dhjetor 2018, 10:17