Kërko

Fjala e kard. Parolin në Cop24 mbi klimën në Katowice Fjala e kard. Parolin në Cop24 mbi klimën në Katowice 

Selia e Shenjtë për Cop24: të mos mbizotërojnë interesa të veçanta

Në deklaratën përfundimtare të Selisë së Shenjtë për Konferencën e OKB-së mbi klimën, mbajtur në Poloni, bëhet thirrje për ta dëgjuar britmën e Tokës dhe atë të njerëzve më të ligshtë.

R.SH. - Vatikan

Mirënjohje për shtetet që nënshkruan “Rulebook” (Librin e Normave) apo rregulloren që e bën operative marrëveshjen e Parisit, miratuar më 2015. Synimi është përmbajtja e rritjes mesatare të temperaturës globale nën 2 gradë Celsius. Por edhe vërejtja se rregullorja nuk pasqyron si duhet urgjencën për t’u bërë ballë ndryshimeve të klimës dhe nuk u shpëton interesave të veçanta, që nuk mendojnë për të mirën e përbashkët. Këto janë dy këndvështrimet e deklaratës përfundimtare të Selisë së Shenjtë pas Konferencës së OKB-së mbi Klimën (Cop24), që përfundoi më 14 dhjetor në Katowice të Polonisë.

Ta dëgjojmë britmën e Tokës

Rregullorja – lexohet në deklaratë – nuk i merr parasysh si duhet të drejtat e njeriut. Britma e njerëzve të ligshtë dhe ajo e Tokës kërkojnë urgjencë dhe ambicie më të madhe. Siç ka nënvizuar shpesh Selia e Shenjtë – shkruhet në dokument – respektimi i dinjitetit të njeriut, lehtësimi i varfërisë përmes zhvillimit të gjithanshëm njerëzor dhe zvogëlimi i ndikimit të njeriut mbi ndryshimet klimatike, duhet të ecin me të njëjtin hap.

Të ndryshohen burimet energjitike

         Në enciklikën “Lëvduar qofsh” – kujtohet në deklaratë – Papa Françesku nënvizon rëndësinë e forcimit të politikave, që u bëjnë ballë ndryshimeve të klimës, problem global me pasoja shumë të rënda: ambientale, shoqërore, ekonomike dhe politike. Selia e Shenjtë inkurajon të ndryshohen burimet energjitike në një ekonomi, që bazohet mbi lëndë djegëse fosile, si edhe të përdoren mekanizma më të frytshme për të ulur sasinë e gazit serë në atmosferë. Ndërkaq, përsa i përket popullsisë botërore, në dokument këshillohet të edukohen njerëzit që ta kuptojnë se çdo veprim i tyre ndikon në qëndrueshmërinë e planetit dhe të favorizohen ndryshime në mënyrën e jetesës.

19 dhjetor 2018, 14:58