Betlehemi në Vatikan Betlehemi në Vatikan 

Përurohet Shpella e Betlehemit prej rëre në Shën Pjetër

Sand Nativity, domethënë Shpella e Betlehemit prej rëre, vepër e tre skulptorëve është gati.

R. SH. - Vatikan

“Sand Nativity”- apo Shpella prej rëre e Betlehemit, dhuratë e qytetit Jesolo dhe e Patriarkatit të Venedikut tashmë është përuruar. Njëmijë e treqind metra kub rëre nga plazhi venet, me origjinë nga Dolomitet, e sjellë në Shesh, është shndërruar në një nga Shpellat  e Betlehemit më të veçanta në mbarë botën. Piramidë, me peshë 700 tonelata.

Skuptorët

Shpellën monumentale të Betlehemit, një basoreliev 16 metra i gjatë, 5 i lartë e 6 i thellë, me shtrirje prej 25 metrash katrore e punuan katër skulptorë. Janë artistët e punimeve me rërë Richard Varano (SHBA), Ilya Filimontsev (Rusia), Susane Ruseler (Holandë) e Rodovan Ziuny (Republika Çeke), që e përfunduan dje punën e tyre të jashtëzakonshme. Sot, 7 dhjetor, përurimi, i ndjekur nga turma e besimtarëve, që mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.

Ndriçohet edhe Bredhi i Krishtlindjes, nga pyjet e Cansiglio-s

Sonte u ndriçua edhe Bredhi i Krishtlindjes, dhuratë e Rajonit Friuli Venezia Giulia dhe e Dioqezës Concordia-Pordenone Kështu Sheshi i Shën Pjetrit jetoi një nga çastet më prekëse festive, që paralajmëron afrimin e Festës së madhe.   

Përurimi i Shpellës së Betlehemit dhe i Bredhit

Në mesditë, Papa Françesku priti në audiencë dy delegacionet e bashkësive, që dhuruan bredhin, domethënë të Dioqezës Concordia-Pordenone e të rajonit Friuli Venezia Giulia si dhe ata, që punuan në Patriarkatin e Venedikut dhe në Komunen e Jesolos, për realizimin e Shpellës së Betlehemit “Sand Nativity” - “Shpella prej rëre”.

Pasdite, në orën 16.30, nisi ceremonia zyrtare e përururimit të Shpellës e, po në atë çast, u ndriçua edhe Bredhi. Kremtimi u shoqërua nga Banda e Xhandarmërisë, zërat e katër koreve dhe koreografitë e grupit të valltarëve të Avianos. Papa do ta vizitojë Shpellën e Betlehemit  mbrëmjen e 31 dhjetorit, pas kremtimit të Te Deum, në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Mund të admirohet deri më 13 janar

Çmontimi i simboleve të Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit do të nisë më 13 janar 2019, të dielën e Pagëzimit të Zotit, datë zyrtare kur mbyllet koha e Krishtlindjes. Shpella e Betlehemit, si në përralla, do të shkrihet e do të bëhet rishtas rërë, ndërsa bredhi do t’i besohet një ndërrmarrjeje të specializuar, që do ta përdorë për punime të ndryshme në dru. Do të shndërrohet, pra, në sende, që do ta ruajnë përgjithnjë kujtimin e ditëve, kur e gjithë bota i kishte sytë mbi vezullimet e tij të papërsëritshme.

 

07 dhjetor 2018, 18:40