Cerca

Vatican News
Kardinali Sandri në Maqedoni Kardinali Sandri në Maqedoni 

Maqedoni: kard. Sandri përuron Heparkinë e Strumicës, në Shkup

Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore, kardinali Leonardo Sandri, kryesoi dje Liturgjinë Solemne Hyjnore në katedralen bizantine të Strumicës, në Heparkinë e të Ngjiturit të Zojës në qiell, Strumica-Shkup.

R.SH. - Vatikan

Më 31 majin e kaluar, Papa Françesku e pati lartuar ish-Hekzarkatin për besimtarët bizantinë në Maqedoni në Heparkinë aktuale, duke emëruar ipeshkëv, Hekzarkun e mëparshëm, imzot Kiro Stojanov. Pikërisht dje, imzot Stojanov mori në dorëzim detyrën e re, në një meshë me pjesëmarrjen e ipeshkvijve latinë e lindorë nga Bullgaria, Greqia, Mali i Zi, Serbia, Kroacia, Hungaria, Franca dhe Ukraina, si edhe të shumë meshtarëve nga kombe të ndryshme. Kujtojmë se dioqeza është e lidhur me shenjtorë si Cirili e Metodi, por edhe me Nënë Terezën, e cila është lindur pikërisht në Shkup. E katolikët – 1% e popullsisë, ndarë në katolikë të ritit bizantin e në katolikë latinë – janë në dialog të përhershëm me ortodoksët dhe myslimanët.

Kard. Sandri përmed Nënë Terezën

         Gjatë vizitës në tri famulli e në qytetin e Strumicës, prefekti i Dikasterit Lindor dëgjoi historitë e besimtarëve e të persekutimit të tyre, duke filluar nga i ashtuquajturi Bashkim i Kukusit, në vitin 1859, që shënoi ndikimin helenist mbi ortodoksët e, duke vijuar me persekutimin antisllav, që i detyroi parardhësit e tyre të kapërcenin malet e të strehohen në atë pjesë të Maqedonisë, ku jetojnë edhe sot. Në përfundim të Liturgjisë së djeshme, kardinali Sandri i dorëzoi imzot Stojanovit medaljen e argjendtë të papnisë së Françeskut, ndërsa përmendte Nënë Terezën. “Një grua e vogël, lindur në Shkup, - theksoi ai – është bërë e madhe në sytë e Zotit e të njerëzve, duke u shërbyer më të varfërve ndër të varfër, duke ndjerë se prej tyre lartohet e njëjta britmë e Jezusit mbi Kryq ‘kam etje’: është Shën Tereza e Kalkutës, lindur në këto troje”.

03 dhjetor 2018, 16:38