Kërko

Krishtlindje: gërshetim shikimesh, joshur nga Shëlbuesi

T’ia ngulim sytë Foshnjës që lind e të mrekullohemi! Ky, urimi i Krishtlindjes i Dikasterit për Komunikimin e Selisë Shenjtë.

R. SH. - Vatikan

“Falë dashurisë dhe mëshirës së Zotit tonë, erdhi të na vizitojë një diell, i cili lind nga lart, për të ndriçuar ata, që jetojnë në errësirë”. Nësa jemi në pritje për Lindjen e Krishtit Fëmijë, në zemrën e çdo njeriu, nga faqet e Ungjillit të Shën Lukës, jehon përsëri Kënga e Zakarisë. Dielli, që do të na vizitojë akoma sot, na shikon me dashuri, na i ngul sytë e na thotë se lindi pikërisht për ne!

Ta kundrojmë, për të rijetuar mahnitjen para Jezusit

“Të ndalemi një ças për ta kundruar Shpellën e Betlehemit: hyjmë, kështu, në Krishtlindjen e vërtetë, me barinjtë, duke i dhuruar Krishtit fëmijë vetveten, si jemi”. Kështu Papa Françesku, në tweet-in e 25 dhjetorit 2017, i  nxiste të gjithë të befasohen e ta rijetojnë mahnitjen e Marisë, të Jozefit, të gjithë atyre, që e kundrojnë grazhdin, duke u prekur thellë në shpirt  nga dhurata e Foshnjës së Betlehemit. “Jezusi - pati nënvizuar Papa Françesku në audiencën e përgjithshme të 27 dhjetorit 2017 -  lind përsëri në jetën e secilit prej nesh e, përmes nesh, vijon të jetë dhuratë e shëlbimit për të vegjlit e të përjashtuarit”.

T’i çojmë para Jezusit plagët tona

Në Shpellën e Betlehemit, Jezusi, duke na shikuar në dritë të syrit,  shqyrton zemrat tona, merr mbi vete shqetësimet tona e na bën ta ndjejmë veten bij të Tij - pohoi Papa në homelinë e Meshës së Krishtlindjes 2017:  

“Ferishtja e njomë e Betlehemit na zgjoftë nga gjumi e na bëftë të ndjehemi të ftuar për t’i pranuar të gjithë ata, që vijnë në qytetet tona, në historitë tona, në jetët tona. Dashuria e tij revolucionare na bindtë të ndjehemi të ftuar për të marrë mbi vete shpresat e dhembshurinë e njerëzve tanë”.

Të çojmë para Jezusit këtë që jemi, vuajtjet tona, plagët e mëkatet tona. Kështu në Jezusin, do të mund ta shijojmë njëmend shpirtin e vërtetë të Krishtlindjes: bukurinë, që buron nga vetëdija se Zoti na do. E të themi:

“Me Marinë e Jozefin të rrimë në Shpellë, pranë Jezusit, që lind si bukë për jetën time. Duke kundruar dashurinë e Tij të përvujtë e të pakufishme,  t’i themi vetëm një fjalë, të thjeshtë, si Ai vetë: “Faleminderit, sepse zbrite për mua nga qielli, për të më lartuar një ditë në qiell!”.

24 dhjetor 2018, 12:19