Kërko

2018.12.19 Natale Natività Gesù Bambino Adorazione dei pastori 2018.12.19 Natale Natività Gesù Bambino Adorazione dei pastori 

Krishtlindja na kujton shkëmbimin mahnitës ndërmjet Hyjnores e njerëzores

Krishtlindja kremton faktin historik të lindjes së Jezusit në Betlehem, e Parajsa – duam të jemi si Zoti – realizohet në një mënyrë krejt të papritur, jo për shkak të madhështisë së njeriut, që nuk mund të bëhet Zot, por për shkak të përvujtërisë së Zotit, që zbret nga qielli e hyn në ne.

R.SH. - Vatikan

Kremtimet e Krishtlindjes na flasin për shkëmbimin mahnitës e të madhërishëm ndërmjet Hyjnores e njerëzores. Të përhapen në mbarë botën drita dhe gëzimi i Jezu Krishtit: kjo është porosia, që Kisha u drejton besimtarëve e të gjithë njerëzve vullnetmirë, gjatë kohës së kremtimit të Krishtlindjes. 

Krishtlindja kremton faktin historik të lindjes së Jezusit në Betlehem, e kjo ngjarje është festa në të cilën Zoti i dëfton njeriut dinjitetin e Tij më të thellë, dinjitetin e Birit të Hyjit.  Nga njëra anë Fshehja e Hyjit pas përvujtërisë së natyrës njerëzore, në Foshnjën e Betlehemit; nga ana tjetër, dëftimi përmes Mishërimit: dy realitete, që i shohim qartë në dy solemnitete: atë të Krishtlindjes e atë të Dëftimit të Zotit. Festa e Dëftimit të Zotit, që kremtojmë më 6 janar, na kujton adhurimin e tre Mbretërve Dijetarë, e, për dëftimin e Zotit na flasin edhe festa e Pagëzimit të Jezusit dhe mrekullia e Dasmës në Kanë.

Kështu pra, mund të theksojmë dy aspekte, të dy festave të mëdha, Krishtlindjes e Dëftimit: gëzimin dhe dritën.
Gëzim e mahnitje burojnë vetvetiu nga kundrimi i fytyrës së kësaj Foshnjeje të përvuajtur tё Betlehemit, sepse e dimë që është Fytyra e Hyjit, e pranishme përgjithmonë në zemrën e njerëzimit; fytyra e Zotit të ardhur për ne, që jeton me ne.

Krishtlindja është gëzim, sepse, më në fund, shikojmë me sytë tanë e jemi të sigurt se Zoti është e mira e pambaruar, se është e vërteta dhe Dashuria, që ulen tek njeriu, për ta lartuar kah Vetja: Hyji bëhet, kështu, i afërt, që të mund ta shikojmë e ta prekim.
Teologjia dhe përshpirtëria e Krishtlindjes flasin për një shkëmbin mahnitës ndërmjet natyrës hyjnore e asaj njerëzore: Hyji bëhet njeri, merr natyrën tonë, lind si ne, duke i dëftuar, kështu, njeriut, dinjitetin e tij më të thellë: atë të birit të Zotit.

E kështu ëndrra e njerëzimit, nisur në Parajsë – duam të jemi si Zoti – realizohet në një mënyrë krejt të papritur, jo për shkak të madhështisë së njeriut, që nuk mund të bëhet Zot, por për shkak të përvujtërisë së Zotit, që zbret nga qielli e hyn në ne, nё natyrёn e historinё tonё njerёzore me përvujtërinë e vet dhe na larton në madhështinë e vërtetë të qenies së Vet Hyjnore.

Një shkëmbim, tejet të prekshëm e kemi në Eukaristi. Ftesa e Izaisë profet: “Ngrehu, shkëlqe, se po vjen drita jote; në dritën tënde do të ecin popujt, e mbretërit, në vezullimin e shkëlqimit tënd”…”, i drejtohet Kishës, por edhe secilit nga ne, e këtë nuk duhet ta harrojmë.

E është ftesë për t’u bërë gjithnjë më të vetëdijshëm në misionin qё kemi për ta përhapur Dritën e re të Ungjillit tё Jezu Krishtit – Hyjit tё Mishёruar – Hyjit me ne - Emanuelit. Pra, Ungjilli është dritë, që nuk duhet fshehur. Duhet vënë lart e më lart.

Kisha nuk është dritë, por merr dritën e Jezu Krishtit. E merr, për të qenë e ndriçuar e për ta përhapur, me gjithë shkëlqimin e saj. E kjo duhet të ndodhë edhe në jetën tonë personale.

Edhe sot, drita e Krishtit e davarit errësirën e botës, këtë na kujtona Fjala e Zotit, posaçërisht në kremtimet liturgjike gjatë periudhës së Krishtlindjes. Të kremtosh Krishtlindjen do të thotë t’u tregosh të gjithëve gëzimin, risinë, dritën, që solli kjo Lindje Hyjnore e Jezu Krishtit në të gjithë jetën tonë, ёshtё për të na bërë njerëz, për të na bërë bijё tё Hyjit që përhapin në botë gëzimin, risinë e vërtetë, dritën e Zotit, duke ua dhuruar edhe të tjerëve.

Porosia kryesore e Kishës në këtë periudhë liturgjike e shpirtërore  tё Krishtlindjes është ta kumtojmë Ungjillin e ta pranojmë në zemrat tona këtë Foshnjë Hyjnore, për të marrë jetë, nga jeta e Tij, për t’i bërë ndjenjat, mendimet, veprimet e Tij, ndjenjat, mendimet, veprimet tona. 

Urojmë, pra, të gjithëve që Krishtlindja, me dritën e saj, të vijon të shkëlqejë e të përhapë gëzim në të katër anët, së bashku me Solemnitetet tjera, atë të Dëftimit të Zotit e edhe të Pagëzimit të Tij.  Urime për një kohë shpirtërore të bekuar nga prania e Zotit.

22 dhjetor 2018, 11:51