Konferencë në Marrakesh për emigracionin e sigurtë

U hap sot në Marrakesh të Marokut, konferenca ndërqeveritare për miratimin e Paktit global për emigracionin e sigurtë, të organizuar e të rregullt. I pranishëm, një delegacion i Selisë së Shenjtë.

R.SH. - Vatikan

Selia e Shenjtë bashkohet me shumë qeveri të tjera të botës për të miratuar Paktin global për emigracionin e sigurtë, të organizuar e të rregullt, për të cilin sot, ka filluar një konferencë ndërqeveritare në Marrakesh të Marokut. Muajin e kaluar, në Nju Jork, komisioni i tretë i asamblesë së përgjithshme të OKB-së miratoi Paktin global për refugjatët.

Katër fjalë të Papës: mikpritje, mbrojtje, promovim dhe integrim

         Që në fillim, Selia e Shenjtë u impenjua për të zbatuar idenë e Papës Françesku në këtë fushë, shprehur përmes katër fjalëve: mikpritje, mbrojtje, promovim dhe integrim. Shumë nga 20 pikat e paraqitura prej saj, si kontribut për Paktin, janë marrë parasysh e janë përfshirë në tekst. Gjithsesi, pavarësisht se shpreh kënaqësinë e saj për Paktin, Selia e Shenjtë ka disa rezerva, sidomos përsa u përket dokumenteve, që kanë të bëjnë me të ashtuquajturën “Paketë të shërbimeve minimale fillestare”, shërbime sanitare lidhur me shëndetin seksual e riprodhues (përfshirë abortin) si edhe me agjendën Lgbt (homoseksuale).

Pakti global mbi emigrantët është marrëveshje jo e detyrueshme

         Pakti global nuk është konventë apo traktat. Ai sugjeron masa për respektimin e disa vlerave universale, si: shpëtimi i jetëve njerëzore, parandalimi i trafikëve, sigurimi i informacioneve të sakta, lehtësimi i politikave të drejta të  përzgjedhjes, reduktimi i cënueshmërisë së emigracionit, administrimi i frytshëm i kufijve, investimi në zhvillimin e kompetencave. Në të gjenden nisma për edukimin, hapja e korridoreve humanitare, shoqërimi i emigrantëve dhe promovimi i takimeve ndërkulturore për të favorizuar integrimin. Pakti është produkt i dy viteve konsultimesh dhe negociatash, por jo i detyrueshëm. Janë shtetet ato, që mund të zgjedhin nëse duan t’i zbatojnë propozimet e tij apo jo.

Impenjimi i Kishës Katolike

         Pavarësisht nga kjo, Kisha Katolike e pret me shpresë si Paktin global për emigrantët, ashtu edhe atë për refugjatët. Ajo përpiqet të ketë një qasje të gjithanshme, shpirtërore e materiale, ndaj këtij fenomeni me përmasa botërore. Kisha do të vazhdojë të zbatojë katër fjalët e Papës Françesku edhe për emigrantët, që vijnë nga vendet, të cilat nuk e kanë nënshkruar Paktin, duke u përpjekur të plotësojë nevojat e të sapombërriturve e të atyre që, edhe pse për një kohë të gjatë në vendin pritës, jetojnë akoma në kushte jo të mira. Natyrisht, objektivi i fundëm është zhvillimi i gjithanshëm njerëzor i të gjithëve: emigrantë, refugjatë, bashkësi të origjinës e bashkësi pritëse, në vendet më të zhvilluara.

10 dhjetor 2018, 16:44