Kërko

 Rrëfyestorja Rrëfyestorja 

Kardinali Piacenza rrëfyesve: “Resheni mëshirën mbi ata, që paraqiten para jush”

“Lum ju, që jeni mjete të Mëshirës hyjnore! Pranojeni në shpirtin tuaj këtë mëshirë e resheni me dashuri të pashterrshme mbi të gjithë ata, që gjunjëzohen para jush në rrëfyestore!”. Kjo, ftesa e Kryetarit të Pendestarisë Apostolike, kardinalit Mario Piacenza.

R. SH. - Vatikan

“Lum ju, që jeni mjete të Mëshirës hyjnore. Pranojeni në shpirtin tuaj  mëshirën e Zotit e resheni me dashuri të pashterrshme mbi të gjithë ata, që gjunjëzohen para jush në rrëfyestore!”. Kjo, ftesa që Kryetari i Pendestarisë Apostolike, kardinali Mario Piacenza, përmes një letre, ua drejton  të gjithë rrëfyesve, me rastin e Krishtlindjes.

Niset nga kujtimi i gjallë i Lindjes së Krishtit, që fiton një dritë të veçantë nga Sakramenti i Pajtimit, besuar Kishës - kardinali - që kujton, më pas,  se Krishti vjen për të pastruar, për të çliruar e për të përtërirë. Vjen për të bërë të mundur që të lindë në zemrën e pendestarëve.

“Rrëfyesi bëhet dëshmitar i zgjedhur i këtij misteri të posaçëm të Krishtlindjes, që është pajtimi me Atin, shfajsimi i mëkatarit, çlirimi dhe përtëritja në të e hirit të Pagëzimit - nënvizohet akoma në letrën e kardinalit Piacenza.- Rrëfyesi, që shikon sesi Kisha lind e rilind vazhdimisht bij të rinj, merr, kështu, mbi vete, tiparet  e ‘Shpellës së Betlehemit’, ku Krishti do të lindë së shpejti e ku të gjithë e presin me padurim ardhjen e Tij”.

“Foshnja Hyjnore, që shtrihet mbi kashtën e grazhdit, mbretëron në vetë zemrën e rrëfyesit, i cili e pret, së bashku me Të, ardhjen e pendestarëve, ashtu si Nëna e Ati i kujtuar i Jezusit, prisnin barinjtë, për t’u ofruar shikimet e tyre përplot me mahnitjen adhuruese - vijon letra e kardinalit.

Së fundi, Prelati i lartë, kujton figurën e Virgjërës Mari: “Kisha, gjithëshenjte e njëkohësisht nevojtare për pastrim, përgatitet për lindjen e Shëlbuesit, me sytë e ngulur tek e Papërlyera, Tota Pulchra - shkruan - me vetëdijen se asnjë nga anëtarët e saj nuk mund të krenohet për një pastërti  të krahasueshme me atë të së Lumes Virgjër Mari”.

Zoja që, me lirinë e saj krejtësisht të papërlyer iu bind vullnetit të Atit e, për virtyt të Shpirtit Shenjt, e zuri Birin e Zotit më parë në zemër dhe e veshi, ashtu si mund të bëjë vetëm një Nënë, me natyrën tonë njerëzore, përmbledh në vetvete  misterin e ndërmjetësimit shëlbues të Kishës, duke e ndriçuar e duke e plazmuar vazhdimisht zemrën e rrëfyesit. Kështu ai bëhet mjet i gjallë e i nevojshëm për veprën madhështore të Shëlbimit, që Krishti të mund të rilindë përsëri e përsëri në zemrën e çdo mëkatari të penduar - nënvizon kardinali Piacenza.

Prej këndej, inkurajimi drejtuar rrëfyesve që “posaçërisht në këto festa  janë të thirrur të bashkëpunojnë sakramentalisht me Zotin që vjen, për ta përtëritur shpirtin e Popullit të krishterë”. Atyre kardinali Piacenza u shpreh mirënjohjen më të thellë për shërbimin e çmuar e të palodhur, si dhe urimet më dashamire për një Krishtlindje të Shenjtë e Vit të Ri të Zotit, të pasur me hir, kthesë, shentjëri.

21 dhjetor 2018, 13:43