Kërko

 Kardinali Parolin në Qaraqosh Kardinali Parolin në Qaraqosh 

Kardinali Parolin, nga Iraku: “Puna më e guximshme, rindërtimi i besimit dhe i indit shoqëror”

Sot kardinali Pietro Parolin ishte në Qaraqosh, ku arriti pas vizitës në Erbil, kryeqendër e Kurdistanit irakian, etapë e re, e fundit, e vizitës së sekretarit të Shtetit të Vatikanit në Irak, nisur më 24 dhjetor, për të përfunduar nesër.

R. SH. - Vatikan

Në përfundim e sipër, vizita e kardinalit Pietro Parolin në Irak, për kremtimet e Krishtlindjes (24-28 dhjetor). Sot ishte në Qarakosh, ku bashkëkremtoi Meshën me Ignatius Joseph III Younan, patriark i siro-katolikëve dhe imzot Yohanna Petros Mouche, kryeipeshkëv siro-katolik i Mosulit, në katedralen siro-katolike të Altaherës.

“Pas kohës së provës - kujtoi gjatë homelisë - Familja Shenjte u rikthye  në Nazaret. Edhe për ju po nis rikthimi nga mërgimi. Lumturisht në qytetin tuaj, Qaraqosh dhe në fshatrat e tjera të Ninives, po vijon rindërtimi i shtëpive e shumë nga ju tashmë jeni rikthyer në trojet tuaja. E ky - shtoi - është burim gëzimi e shprese për Kishën universale e për vendin tuaj. Gjithsesi puna më e guximshme nuk është rimëkëmbja materiale, por rindërtimi i besimit dhe i indit shoqëror të copëtuar nga tradhtitë, nga mllefet, nga urrejtja. Kjo është thirrja juaj e misioni juaj: është në lojë besnikëria ndaj rrënjëve tuaja dhe ndërtimi i një ardhmërie më të mirë për fëmijët tuaj”.

Kardinali ripohoi edhe një herë me forcë sa e rëndësishme është prania e të krishterëve  në Lindjen e Mesme:

“Jeni prania e Jezusit! Keni një mision të pazëvendësueshëm e tejet të rëndësishëm. Ju nxis, prandaj, të vijoni ta jetoni fenë tuaj e misionin tuaj me besnikëri e mirënjohje, me besim e shpesë në këtë Tokë, ku nisi  historia e shëlbimit, që sot vijon përmes jush!”.

Prej këndej, nxitja:

“Guxim! Mos kini frikë, ngrihuni përsëri në këmbë e rifilloni jetën, me bindjen se e keqja nuk do ta thotë kurrë fjalën e fundit në këtë tokë historike të etërve tuaj”.

Në këtë kohë të bekuar të Krishtlindjes - përfundoi Kardinali – "pushteti plot butësi i Krishtit Fëmijë na mësoftë të ecim në rrugën e dashurisë e të përvujtërisë. Të shumëdashur, ju uroj të gjithëve dhuratat e unitetit të pajtimit e të paqes!”.

Dje, në Erbil

Dje kardinali Parolin ishte në Erbil, ku u prit  nga disa ministra të Rajonit, së bashku me personalitetet myslimane vendase. Para se të largohej nga Bagdadi, Hirësia e Tij takoi, në Pallatin e Paqes, presidentin e Republikës, Barham Salih: ndërsa dje paradite, takimi me presidentin e Kurdistanit irakian, Masrour Barzani. Pastaj, vizita në disa nga institucionet katolike, në Patriarkanën kaldease, në Ankawa, lagja e jashtme e Erbilit, një nga vendbanimet më të lashta në botë si dhe përshëndetja e refugjatëve. Në orën 17.30 me orën vendase, kremtimi i Meshës në katedralen kaldease të Shën Jozefit, gjithnjë në Ankawa.

Urrejtjes i kundërvutë mikpritjen dhe solidaritetin

Eukaristia kujtonte vrasjen e fëmijëve të pafajshëm nga Herodi, në Betlehem, që Kisha i kremton sot. Paralelizëm tronditës. Rikujton se atje ku sundojnë herodat, fëmijët e pafajshëm vijojnë të vriten. Duke rikrijuar pambarimisht toka martirësh. E pikërisht me aktualitetin e nisi  kardinali Parolin homelinë, duke kujtuar mikpritjen bujare të njerëzve të Erbilit e të Ankawës, që ua hapën dyert të ikurve të Mosulit e të Rrafshit të Ninives si dhe të viseve të tjera, të shpërngulur me turr nga tokat e tyre, ndjekur nga milicët e Isisit.

“Na dridhet ende zemra nga skenat gati të pabesueshme të verës 2014, kur një mori njerëzish u detyruan të ikin nga shtëpitë e tyre e trokitën në portat tuaja, ku gjetën mikpritje të admirueshme. Urrejtjes e intolerancës - i kundërvutë solidaritetin e afërsinë bujare”.

Jezusi është drita e vërtetë, që shpëton botën

Ishin vite persekutimi për shumë të krishterë e kardinali Parolin  kujtoi  se kur flitet për persekutim, flitet edhe për lidhjen e ngushtë të Jezusit me dishepujt e Tij. E pikërisht kjo lidhje kremtohet për Krishlindje, ky mister i dashurisë së Zotit, që  nuk na lëshoi kurrë dore, derisa erdhi e u bë një nga ne”. Lajmi i mirë,  që këto ditë Kisha ua kumton të gjithëve, është ardhja në botë e dritës, së vërtetës, e aftë ta dëbojë  errësirën. Kardinali Parolin nënvizoi dashurinë e Jezusit, që u bë si ne, duke ndarë me ne gjithçka, veç mëkatit. “Nuk e zhduku dhimbjen, por e shndërroi në forcën e një dashurie më të madhe, duke e bërë kalim drejt jetës e lumturisë së pasosur”.

Foshnja e pambrojtur e grazhdit na jep jetë e lumturi

Duke kujtuar fëmijët martirë të Betlehemit, që u flijuan për emrin e Jezusit, ndonëse nuk e njihnin akoma, kardinali nënvizoi misterin e  dhimbjes së pafajshme, duke shtuar se vetëm tek Foshnja e pambrojtur e grazhdit mund ta gjejmë përgjigjen e duke pohuar se jo e keqja, por dashuria e Zotit, që ngadhënjen mbi të, e thotë fjalën e fundit në histori e në jetën tonë. Kështu martirët e të gjitha kohëve, duke ecur nëpër jetë të ngarkuar me Kryqin e Zotit,  u bashkuan edhe me fitoren e Tij.

“Ju jeni Kishë martirësh. Gjaku i martirëve tuaj dhe dëshmia e fees nga ana e shumë prej vëllezërve tuaj, janë thesar për Kishën e farë e një jete të re për botën”.

Larg përçarjeve e pranë paqes

Në vijim, kardinali Parolin i ftoi besimtarët e Erbilit e të Ankawës, të vijojnë ta jetojnë me gëzim dhe mirënjohje fenë, të mos e humbasin shpresën e t’u çojnë të gjithëve dashuri e falje.

“Jini mjeshtra të bashkimit – i nxiti - duke ikur nga përçarjet, grindjet, rivalitetit brenda bashkësive tona, si iket nga kolera, duke u përpjekur ta nderoni njëri-tjetrin e ta mbartni me gëzim barrën e njëri-tjetrit. Kështu do të sillni një ndihmesë themelore në ndërtimin e shoqërisë e të vendit, së bashku me bashkëqytetarët e tjerë”.

Ndihmoni për kthimin e familjeve

Së fundi sekretari i Shtetit të Vatikanit shprehu gëzimin  për rikthimin e shumë familjeve në fshatrat e tyre në rindërtim e sipër. Është e nevojshme - kujtoi - të nxitet ky kthim, duke siguruar kushte të përshtatshme, që të mund të rinisë një jetë normale  dhe e qetë në këtë vend, të cilit i uroj, më në fund, unitet, pajtim e harmoni!

28 dhjetor 2018, 14:38