Kërko

Kardinali Pietro Parolin në Irak Kardinali Pietro Parolin në Irak 

Kard. Parolin në Irak: të thirrur ta ndriçojmë terrin e frikës

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, ndodhet për vizitë në Irak deri më 28 nëntor. U çoi besimtarëve përshëndetjen e Papës Françesku dhe mori pjesë në kremtimet për Krishtlindje, duke kujtuar mesazhin e shpresës e të paqes së Ungjillit.

R.SH. - Vatikan

Është mesazh shprese e dashurie për popullin irakian, ai që çoi në Irak për Krishtlindje, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili ndodhet në vend nga e hëna. Gjatë këtyre ditëve të festës, prelati po takohet me përfaqësuesit e Kishës së Lindjes dhe me eksponentë të qeverisë. Meshën e Natës së Krishtlindjes e kremtoi së bashku me Patriarkun e Babilonisë së kaldeasve, kardinalin Louis Raphael Sako, në katedralen kaldease të Shën Jozefit në Bagdad, ndërsa Solemnitetin e Krishtlindjes, më 25 dhjetor, në katedralen katolike të kryeqytetit irakian.

Mesazhi i Krishtlindjes për Irakun

         “Si individë e si bashkësi, të krishterë e myslimanë, janë të thirrur ta ndriçojnë terrin e frikës e të keqkuptimit, të përgjegjësisë e të urrejtjes, me fjalë e me vepra drite, duke mbjellë me të dyja duart fara paqeje, të vërtete, drejtësie, lirie e dashurie”. Ky qe Mesazhi i Krishtlindjes për Irakun, shqiptuar nga kardinali Parolin në Pallatin presidencial, gjatë takimit me kryeministrin Adil Abdul Mahdi dhe me eksponentët e qeverisë. Kardinali solli edhe përshëndetjen e dashurinë e Papës Françesku për popullin irakian, duke nënvizuar rëndësinë e pranimit “të njerëzve, me gjithë ndryshimet ndërmjet tyre, pa i përdorur ato ndryshime për t’iu kundërvënë njëri-tjetrit, por duke zbuluar në to mundësinë e pasurimit të ndërsjelltë”.

Mesazhi për të krishterët

         Në kremtimet e ndryshme të Krishtlindjes, në të cilat mori pjesë, kardinali Parolin vuri në dukje këmbënguljen e të krishterëve për të qenë të pranishëm në një vend, ku akoma vuajnë nga pasojat e luftës. “Ne ju jemi mirënjohës për dëshminë tuaj, që është bërë shembull i gjallë për të gjithë të krishterët e botës – tha në katedralen e shën Jozefit, në Bagdad. – Qëndroni të fortë në fe e në dashuri e bëhuni gjithnjë e më shumë, ndërtues të një bote në vëllazëri e paqe, të përforcuar nga drita e Foshnjës Hyjnore, lindur për ne e për shpëtimin tonë”.

27 dhjetor 2018, 14:49