Kardinali Pietro Parolin në Konferencën për Klimën Cop24 në Katowice të Polonisë Kardinali Pietro Parolin në Konferencën për Klimën Cop24 në Katowice të Polonisë 

Kard. Parolin në Cop24: politika për klimën është çështje morale dhe etike

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, flet në konferencën mbi klimën Cop24, që vijon në Katowice të Polonisë. Kërkon rregulla dhe mekanizma institucionale, që lehtësojnë zbatimin e Marrëveshjes së Parisit.

R.SH. - Vatikan

Vijon në Katowice të Polonisë, Takimi Botëror mbi Klimën Cop24, megjithëse ndihet mungesa e krerëve të shteteve të mëdha si presidenti amerikan Donald Trump dhe kancelarja gjermane Angela Merkel. Dje, foli Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i cili vuri në dukje urgjencën e ndërhyrjes sa më të shpejtë, për t’u vënë fre pasojave të ndryshimit të klimës, për shkak të veprimtarisë së njeriut.

Ndryshimet e klimës janë çështje morale dhe etike

         “Ndryshimet klimatike – nënvizoi kardinali – janë edhe çështje morale e jo vetëm teknike”. Për Selinë e Shenjtë, programi i luftës kundër ngrohjes globale duhet të ketë “baza etike” e të realizojë tre qëllime: të mbrojë e të respektojë dinjitetin e njeriut; të pakësojë e të zhdukë varfërinë; si edhe të zbusë ndryshimet e klimës në mënyrë të përgjegjshme, duke menduar për të sotmen e për të ardhmen. Mendimi i Selisë së Shenjtë, bazuar edhe në enciklikën “Lëvduar qofsh” të Papës Françesku, është promovimi i një procesi tranzicioni drejt një modeli zhvillimi, të lirë nga ato teknologji e qëndrime, që prodhojnë me shumicë gazin serë.

Mundësi pune

         Në programin e punës për të ardhmen, sipas Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, duhet të bëjnë pjesë edhe parandalimi i spekullimeve dhe lufta kundër korrupsionit; promovimi i pjesëmarrjes së popullsive lokale në proceset vendimmarrëse; krijimi i vendeve të reja e dinjitoze të punës; ndihma për ata njerëz e popuj, që vuajnë më shumë nga ndryshimet e klimës.

Klima është problem i të gjithëve

         “Që problemet e klimës të konsiderohen etike – vijoi më tej kardinali Parolin – është e nevojshme që, përveç shteteve, të përfshihen edhe protagonistë të tjerë, shprehje e ‘zërit të njerëzve’… Nuk kemi alternativa; duhet të impenjohemi për të punuar në favor të ndërtimit të një shtëpie të përbashkët”, përfundoi Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

04 dhjetor 2018, 12:37