Kërko

Kardinali Lorenzo Baldisseri me indigjenë nga Brazili, në Vatikan Kardinali Lorenzo Baldisseri me indigjenë nga Brazili, në Vatikan 

Kard. Baldisseri: Sinodi, nga shpresat e të rinjve, në Amazonë

Nga Sinodi kushtuar të rinjve në atë për Amazonën. Kjo është udha e Kishës, në përgatitje të asamblesë së ardhshme të veçantë, që do të mbahet në tetor 2019. Në një intervistë për gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, flet sekretari i përgjithshëm i Sinodit të ipeshkvijve, kardinali Lorenzo Baldisseri.

R.SH. - Vatikan

Nga Sinodi kushtuar të rinjve në atë për Amazonën. Kjo është udha e Kishës, në përgatitje të asamblesë së ardhshme të veçantë, që do të mbahet në tetor 2019. Duke u nisur nga shpresat, që dolën në pah në konfrontimin me brezin e ri, vështrimi hidhet tani mbi rajonin e Amazonës, për t’i transmetuar një mesazh të fuqishëm baritor e shoqëror, duke u përqendruar mbi ekologjinë e gjithanshme, në dritën e enciklikës “Laudato si’”. Këtë shpjegon, në një intervistë për gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”, sekretari i përgjithshëm i Sinodit të ipeshkvijve, kardinali Lorenzo Baldisseri.

Të jemi të pranishëm në vendet ku rrinë të rinjtë

         Fillimisht, ai i bën një përmbledhje Sinodit kushtuar rinisë, duke refletuar mbi protagonizmin e sotëm të të rinjve në Kishë, që, sipas tij, duhet favorizuar e vlerësuar, “duke pranuar edhe në organizmat vendimmarrëse, kontributin që mund të japin, gjithnjë në frymën e sinodalitetit të drejtë. E, njëkohësisht, ka rëndësi të impenjohemi për t’i shoqëruar në udhën e tyre pas Krishtit, duke u kushtuar kohë. Janë vetë të rinjtë, që ua kërkojnë këtë barinjve të tyre dhe të rriturve në përgjithësi. Konkretisht – propozon kard. Baldisseri – duhet të jemi të pranishëm në vendet ku e kalojnë ditën, të dimë t’i dëgjojmë dyshimet dhe pasiguritë e tyre, ashtu si edhe shpresat e dëshirat e tyre të mira. Duhet t’u qëndrojmë pranë për t’u kumtuar, në çastin e duhur, Fjalën e Zotit e për t’ua dëshmuar me jetë. Më shumë se për predikime të mëdha apo për fjalime bindëse, të rinjtë e sotëm duhet të kenë pranë njerëz të besueshëm, që mishërojnë risitë e Ungjillit, duke i pranuar kufizimet dhe vështirësitë e veta”.

Risitë e Sinodit kushtuar të rinjve

         Sinodi kushtuar të rinjve qe i pari, ku u zbatuan normat e reja të Kushtetutës apostolike “Episcopalis communio”. Nga ngjarje e takim i veçantë, ai u shndërrua në proces me pjesëmarrjen e ipeshkvijve, por edhe të krejt popullit të Zotit. Në fillimin e tij, Ungjilli u vu në krye të sallës, i dukshëm për të gjithë, në mënyrë që t’u kujtonte pjesëmarrësve se “magjisteri nuk është më i lartë se Fjala e Zotit, por në shërbim të saj”. Pastaj, iu dha më tepër hapësirë diskutimeve në rrethet e vogla dhe u zbatuan normat e reja për zgjedhjen e organizmave sinodale. Sinodi, nënvizon kardinali Baldisseri, në intervistën për “L’Osservatore Romano”, dha një mesazh të fuqishëm besimi e shprese. Besim në të rinjtë, në aftësitë e tyre, në dëshirën për të jetuar një jetë kuptimplote, në dashurinë e sinqertë e në të mirën, që banon në zemrën e tyre. E duke analizuar vështirësitë, me të cilat ndeshen sot të rinjtë, Sinodi pa me shpresë drejt së ardhmes, duke vërejtur në ta dëshirën e jashtëzakonshme për të kontribuar në ndërtimin e një bote më të mirë, më humane e më hyjnore.

Sinodi i ardhshëm mbi Amazonën: misioni dhe ekologjia

         Nga kjo përvojë, përgatitet tani Sinodi i ardhshëm mbi Amazonën, shpallur nga Papa në nëntor 2017. Tema do të jetë: “Amazona: udhë të reja për Kishën e për një ekologji të gjithanshme”. “Ajo – sqaron kardinali Baldisseri – prek dy aspekte shumë të rëndësishme e njëkohësisht, kuptimplote. Së pari, tërheq vëmendjen mbi misionin e Kishës në rajonin amazonik, mbi reflektimin për problematikat kishtare, që shkojnë nga katekizmi tek formimi i krishterë, nga jeta sakramentore liturgjike tek jeta e kushtuar e ajo meshtarake, nga inkulturimi tek përshpirtëria popullore. Së dyti, përqendrohet mbi aspektin e ekologjisë së gjithanshme, që propozohet si alternativa e vërtetë ndaj krizës së pyjeve amazonike, mushkëri me rëndësi të jashtëzakonshme për planetin dhe për mbrojtjen e popullsive, që banojnë në atë territor pa fund. Natyrisht, - thekson sekretari i përgjithshëm i Sinodit të ipeshkvijve – tema përfshin ekologjinë ambientale, shoqërore, kulturore, politike dhe ekonomike të planetit, çështjen e indigjenëve, edukimin dhe përshpirtërinë ekologjike”.

Bergoglio pati shkruar Dokumentin e Aparecidës

         Vetë Papa, që nga koha kur ishte kryeipeshkëv i Buenos Ajresit, është kujdesur vazhdimisht për këtë zonë. Dokumenti i Aparecidës, në vitin 2007, ku vihet në dukje dramaticiteti i problemeve të Amazonës, është shkruar nga Bergoglio. Si Papë, janarin e kaluar, gjatë vizitës në Puerto Maldonado, Françesku theksoi me forcë urgjencën për të marrë parasysh mendimin dhe kontributin e popullsive amazonike, pasi urtia e tyre mund t’u mësojë shumë edhe atyre, që nuk i përkasin asaj kulture.

28 dhjetor 2018, 18:24