Kërko

Gezuar Vitin e Ri 2019 Gezuar Vitin e Ri 2019 

Gëzuar Vitin e Ri nga redaksia shqipe e Vatican News

Me Ty, o Zot, do të ecim çdo ditë/ Ja, Viti i Ri/ shtigje të reja na hap përpara,/ e ecim, pa ditur ku shkojmë,/ e presim plot shpresë/ ditët e reja./Me ty, o Zot, do të ecim përsëri,/ deri te drita e ditës së re, / e Vitit tjetër të Ri.

R.SH. - Vatikan

Gëzuar Vitin e Ri, të dashur dëgjues të Radio Vatikanit dhe shqiptarë kudo që ndodheni, le të ecim së bashku me Zotin e Mëshirshëm e, kështu ky Vit, të jetë i mbarë dhe i lumtur.

Gëzuar Vitin e Ri, që hap para çdo njërit prej nesh e para mbarë njerëzimit një kohë të re. T’i lutemi Zotit të na ndihmojë për të bërë në këtë kohë, atë që na dhuron, atë që dëshiron Ai vetë!

Koha e jetës sonë është e çmuar për t’i dhënë kuptim asaj e të tjerëve, për të medituar se kush jemi e ç’duhet të bëjmë, për të njohur e për të kërkuar, për dashur e për të kuptuar se çdo ditë e Vitit të Ri, që sapo filloi, është një dhanti e një mrekulli!

Ta gëzojmë, pra, ditë për ditë këtë mrekulli që fillon sot! E, së bashku t’i lutemi Hyjit të na japë bekimin hyjnor e t’i kërkojmë, me ndërmjetësi të Marisë Virgjër, Nënës së Zotit, dhuratën e paqes: për familjet tona, qytetet e fshatrat tona, për Atdheun e botën mbarë.

Për shumë vjet! 

Me Ty, o Zot, do të ecim çdo ditë

Ja, Viti i Ri

shtigje të reja na hap përpara,

e ecim, pa ditur ku shkojmë,

e presim plot shpresë

ditët e reja.

 

Ç’na pret këtë vit, o Zot?

si do t’i prijmë

karavanit të gjatë të ditëve

e të netëve?

Ç’do të na dhurojnë

e sidomos

çfarë kanë ndër mend të na mohojnë?

 

Veç Ti e di, o Zot,

prandaj na fol, e zemrat do t’i hapim

për të pritur Fjalën tënde,

si pritet drita në terr

e zjarri në vatër të fikun.

 

Na fol, sidomos,

në të ftohtë e nëpër natë,

që shtigjeve të këtij viti të vështirë

të ecim me kujdes,

për të parë në shenjat

që Ti na kumton,

për të shkelur mbi gjurmët e Tua:

për të gjetur shenjat e shpresës sate,

të mirësisë, të paqes, të dashurisë.

E drita jote të na ndrisë,

kur të bëhet natë.

 

Me ty, o Zot, do të ecim përsëri,

deri te drita e ditës së re,

e Vitit tjetër të Ri.

31 dhjetor 2018, 17:04