Kërko

 Betlehemi në Kishën e Shën Anës, në Vatikan Betlehemi në Kishën e Shën Anës, në Vatikan 

Duke soditur Shpellat e Betlehemit…

Një nga vizitat më të dëshiruara për të krishterët këto ditë, është ajo nëpër Shpellat e Betlehemit…

R. SH. - Vatikan

Një nga vizitat më të dëshiruara për të krishterët këto ditë, është ajo nëpër Shpellat e Betlehemit, që soditen në shtëpitë e miqve e të dashamirëve e  kryesisht, nëpër Kisha. Është si të shëtisësh muzeumet më në zë, sepse Betlehemet janë shpesh kryevepra arti, që të mahnisin me bukurinë e tyre e, çka është më me vlerë, të ftojnë ta dëgjosh lajmin engjëllor, që del prej tyre: “Lumni i qoftë Zotit në qiellët e larta, e paqe mbi tokë njerëzve, që Ai i ka për zemër”. Këtë paqe e ndjen në shpirt, kur mediton para kryeveprave të këtij arti kaq të veçantë, që të çon, me kujtime, dymijë vjet mbrapa. Vjet, të cilat të kujtojnë se njeriu mbetet gjithnjë, ai që ishte kur lindte Krishti, pavarësisht nga përparimet, të cilat i vëren edhe në Betlehemet, që sodit: në mekanizimin e shtatoreve, të cilat lëvizin si të ishin njerëz të gjallë të kohëve tona; në ujërat, që rrjedhin e në dritën që të duket se zbret nga qiejtë e larta, për ty, nëse je njeri vullnetmirë!

Betleheme të bukura, realizuar me fantazi, ka kudo në botë. E ndër më të bukurit, sigurisht, janë ata të Romës. Duke nisur nga Shpella vigane, me kornizë shtyllat e Berninit, në zemër të Sheshit të Shën Pjetrit, që ndryshon pamje çdo vit e që sivjet është ndërtuar me rërë. Për të vijuar, vetëm dy hapa më tutje,  me atë të Kishës së vogël të Shën Anës, që i ngjet një peshtafi arkitektonik, stolisur me vepra të shquara arti. E, për Krishtlindje, edhe me një nga Betlehemet më të bukura. Një Betlehem, ku ndjehet fort prania  e Krishtit në jetën e përditshme të njeriut.

Të duket sikur shikon vetë Zotin

E shikon, e të duket sikur e shikon Zotin, kah mishërohet në jetën e Betlehemit të dymijë vjetëve më parë. Në një shpellë të shkretë - por  edhe të sajuar aq bukur, sa të duket sikur do të hysh brenda saj e do të kesh fatin ta prekësh vetë Fonshnjen hyjnore, Birin e të Tejetlartit, paralajmëruar nga Kryeengjëlli Gabriel, zënë për virtyt të Shpirtit Shenjt. E ndjen dëshirën të ngarendësh pas barinjve, të hysh në shtëpitë e banorëve, që duken si shtëpi të vërteta… Betlehemi i Shën Anës të kujton se Krishti lind edhe në të përditshmen tënde, në shekulin tënd, në gjithë shekujt e në gjitha vendet. Sepse lind për mbarë njerëzimin. Është i pranishëm në jetën e njeriut të të gjitha kohëve.

Katër skena, për ta kuptuar më mirë Krishtlindjen

Autorë të skenografisë së Betlehemit të Shën Anës janë tre artizanë nga Tolentino, që vit për vit realizojnë skena të ndryshme. Sivjet menduan të realizojnë katër skena: në të djathtën, shijojmë skenën e lajmërimit të Kryeengjëllit Gabriel, që e ndryshon rrjedhën e historisë, ndërsa jeta vijon; në të majtën, lindjen tradicionale të Zotit, me barinjtë, punëtorë të përvujtë, njerëz të thjeshtë, të fundmit nga të varfërit. Pas tyre, në sfond, Tempulli i Jeruzalemit mbi të cilin, një qiell me ngjyra në lëvizje, me harkun e ylberit përmbi, simbol i Besës së lidhur ndërmjet njerëzve e Jezusit, Mesisë. Në qendër, lumi Jordan - që na kujton rilindjen në Krishtin, përmes Pagëzimit.

Gjithçka lidhet me Jezusin

Kjo kryevepër e vogël, na bën ta rijetojmë Lindjen e Krishtit, përmes një mori hollësish prekëse: nga peisazhi, me banesa prej guri, me kodrina të vogla, kullota e barinj, deri tek kometa. Hollësia, që nuk duhet t’i shpëtojë syrit të vizitorit, është vetë Krishti Fëmijë, Fjala e mishëruar, Zoti, që u bë njeri ndërmjet njerëzve. Gjithçka që rijeton në hapësirat e këtij Betlehemi, të çon tek Jezusi, shenjë, përmbi tokë, e dashurisë së pambaruar të Hyjit për krijesat e veta!

Nga Betlehemi i Shën Anës, tek 100 shpellat, ardhur në Romë, nga mbarë bota!

Si e ke soditur Betlehemin e Shën Anës, ndjen dëshirën të shikosh edhe Shpella të tjera. Mund ta plotësosh menjëherë këtë dëshirë. Dy hapa më tutje, në Via della Cociliazione të pret një mrekuli tjetër: pas 43 vjetësh ekspozita “100 Shpella Betlehemi”, nga Sallat e Bramates, zhvendoset në Vatikan, promovuar nga Këshilli Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri.

Imzot Fisichella:  Shpella e Betlehemit, mesazh paqeje e dialogu

Kryetari i Dikasterit vatikanas, imzot Rino Fisichella, duke e përuruar, kujtoi se “Shpella e Betlehemit është një nga simbolet, që mund t’i sjellin njerëzimit mesazhin e paqes, të dialogut, të mikpritjes, duke i ftuar të gjithë të punojnë për një botë më të mirë”.  

Shpella Betlehemi nga mbarë bota

Ndërsa shtegtari që shkel shpirtërisht mbi Tokën Shenjte, edhe pse fizikisht në Romë, sodit i emocionuar pa masë, nëqind e njëzet e gjashtë Shpella Betlehemi të pranishme. Shtegtim i vërtetë në traditat e botës: nga arti i Betlehemeve napoletane, tek Krishtlindja në burg, realizuar nga të burgosurit e bashkësisë Villa Maraini. Në ekspozitë mund të soditësh edhe  Shpella Betlehemi dhuruar nga disa ambasada, ndërmjet të cilave, ajo e Panamasë, e Polonisë, e Republikës Çeke, Sllovenisë. Madje është edhe një Shpellë kineze, sepse Krishti natyrisht, lind çdo vit edhe në Kinë! Fantazia e mjeshtrave të Betlehemit duket edhe në materialet e përdorura, si brum letre, korale, brum mielli, thupra mbledhur në plazh, guaska deti… Ekspozita është e hapur deri më 13 janar. Mund  të hyni, falas, në jetën e 100 Betlehemeve…  

 

26 dhjetor 2018, 17:56