Kërko

Paolo Ruffini Paolo Ruffini 

Deklaratë nga Paolo Ruffini, Andrea Tornielli, Andrea Monda

Mbi emërimet e drejtorit editorial të Dikasterit për Komunikimin dhe drejtorit të ri të Osservatore Romano, po botojmë, në vijim, deklaratën e Paolo Rufinit, prefekt i Dikasterit; Andrea Torniellit e Andrea Mondas.

R. SH. - Vatikan

Deklaratë e Prefektit të Dikasterit për Komunikimin, doktor Paolo Ruffini:

“Emërimi i Drejtorit Editorial dhe Drejtorit të ri të gazetës ‘L’Osservatore Romano’ janë dy hapa të rëndësishme të procesit të reformës së mediave vatikanase, që m’u besua pak muaj më parë nga Ati i Shenjtë, me emërimin si Prefekt i Dikasterit të Komunikimit".

Siç ka thënë Papa, nuk duhet pasur frikë nga fjala reformë!

“Reformë nuk do të thotë t’i sherbetosësh gjërat, por t’i organizosh në një mënyrë tjetër”.

Ta njëjtësosh pluralitetin e gjuhëve, pa e humbur asnjë nga veçoritë e tyre  e nga historitë e tyre, është detyra e përditshme, që na besohet. Punë,  që e gjen kuptimin, rrënjën, limfën, në misionin e kumtimit. “Veprimtaritë janë të ndryshme, po një i vetëm është Zoti, që bën gjithçka, në gjithkënd”(Letra  drejtuar Korintianëve 12, 6).

Prej këndej duhet të nisemi. Kjo, busola jonë!

Andrea Tornielli dhe Andrea Monda kanë të përbashkët syrin e mprehtë të gazetarit, i cili i shikon sendet përtej dukjes e di ta shkrijë pluralitetin e gjuhëve, që karakterizojnë kohën tonë, me unitetin e mendimit të njerëzve. Të dy, dinë të thellojnë, dinë të dëgjojnë. E të dy janë diçka më shumë se gazetarë-shkrimtarë. Të dy dinë t’u flasin të gjitha breznive, domethënë, edhe të rinjve. Të dy janë ndërtues urash!

Me Andrea Torniellin, Drejtoria Editoriale (me detyrë, koordinimin e të gjitha mediave vatikanase) do të ketë një prijës të sigurt, autoritar e largpamës; të vetëdijshëm si për historinë e madhe të mediave vatikanase, ashtu edhe për ardhmërinë, që vetëm pa frikë, mund të ndërtohet së bashku; e jo menjëherë!

Me Andrea Monda-n “L’Osservatore Romano” do të mund të vijojë udhën, duke i shartuar projektet e reja, në trungun e lavdishëm të historisë së saj shumëshekullore.

E përditshmja e Selisë së Shenjtë është një nga shtyllat e komunikimit tonë, e thirrur për të dhënë ndihmesën e vet në procesin e integrimit të sistemit informativ vatikanas, me kërkesën e Atit të Shenjtë, përmes Motu proprio-s me të cilën themeloi Dikasterin për Komunikimin.

Andrea Monda: nis një aventurë

Nis, kështu, një aventurë e madhe, që jam i lum ta filloj së bashku me Drejtorin e ri editorial, Andrea Tornielli-n dhe me të gjithë kolegët. Do ta luaj rolin tim deri në fund të fundit, për ta vijuar me sukses punën e kryer nga Profesor Vian dhe pararendësit e mi. “Më ngushëllon fakti se Zoti di të punojë e të veprojë edhe me mjete të mangta”.

Detyrat e Drejtorisë Editorale

Detyrat e Drejtorisë Editorale, besuar Andrea Tornielli-t, si Drejtor Editorial, mbi bazën e nenit 9 të Statutit të Dikasterit për Komunikimin:

Neni 9:

Drejtoria Editoriale ka për detyrë:

1. Drejtimin dhe koordinimin e të gjitha linjave editoriale të kompetencës së Sekretarisë për Komunikimin;

2. zhvillimin strategjik të formave të reja të komunikimit;

3. integrimin efikas të mediave tradicionale me botën dixhitale, me vëmendje të vazhdueshme ndaj përmasës universale të komunikimit të Selisë së Shenjtë.

18 dhjetor 2018, 17:31