Cerca

Vatican News
 Predikimi I i Kohës së  Ardhjes Predikimi I i Kohës së Ardhjes  (Vatican Media)

Atë Cantalamessa: Zoti është mes nesh, mos të kërkojmë jashtëtokësorë

Predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Cantalamessa, mbajti sot predikimin e parë të Kohës së Ardhjes, në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit të Pallatit Apostolik, në praninë e Papës Françesku. Tema, në sfond të reflektimeve kushtuar kohës, që na çon drejt Krishtlindjes, ishte verseti i Psalmit: “Shpirti im ka etje për Zotin e gjallë”.

R. SH. - Vatikan

Të zënë me detyrat, që duhen kryer; me problemet, që duhen zgjidhur; sfidat, që duhen përballuar, rrezikohemi ta humbasim nga sytë, ose ta lëmë mënjanë lidhjen tonë personale me Zotin. E pra pikërisht ky është kushti i parë për t’i përballuar të gjitha situatat e problemet, pa e humbur paqen, as durimin. Me këto fjalë e nisi atë Raniero Cantalamessa, predikatar i Shtëpisë Papnore, predikimin e parë të Kohës së Ardhjes, në praninë e Papës Françesku, në Kapelën e Nënës së Shëlbuesit të Pallatit Apostolik. Reflektimet, që na shoqërojnë në udhën drejt Krishlindjes, janë si “një banjo”, që na freskon, para se të nisim ditën e punës – kujtoi.

Të kërkojmë Zotin, jo jashtëtokësorët

Prekatari i Shtëpisë Papnore “i la mënjanë” sot të gjitha problemet aktuale, për t’iu kushtuar plotësisht “sinjaleve” të Zotit të gjallë, prani e vazhdueshme, qetësuese. Njerëzit e kohës sonë - kujtoi - kërkojnë etshëm sinjale të ekzistencës së qenieve të gjalla e inteligjente në planetet e tjera. “Kërkim i ligjshëm, ndonëse krejt i paqartë; ndërsa pak, shumë pak i kërkojnë e i studiojnë sinjalet e Qenies së gjallë, që krijoi Universin, që hyri në të, në historinë e tij, që jeton në të”.

E kemi të Gjallin mes nesh – saktësoi atë Cantalamessa - por e harrojmë, për të kërkuar qenie të gjalla të hamendësuara që, në rastin më të mirë, do të mund të bënin pak e aspak për ne! Nga vdekja, sigurisht, nuk do të na shpëtonin.

Duruesi, fituesi

Biri i Zotit nuk na premton të na japë  thërrimet, që i kërkojmë: na premton vetveten. Duke e mbajtur gjithnjë e gjithkund këtë premtim. “Kush e kërkon - e gjen; atij, që troket, ia hap menjëherë portën. E pas portës së hapur njeriu gjen Zotin! E si ta ketë gjetur, gjithçka tjetër kalon në plan të dytë. Sepse u krijuam për të vrapuar krahëhapur drejt Atit Qiellor, duke zbuluar se nuk është abstraksion. Është realitet!”. Ndërmjet ideve tona për Zotin - e Zotit të gjallë - ngulmoi predikatari i Shtëpisë Papnore - ekziston i njëjti ndryshim, që ekziston ndërmjet qiellit të pikturuar mbi një copë letër e qiellit të vërtetë!

Kërkimi i fytyrës së Zotit të gjallë

Për ta konkretizuar mendimin e tij, Atë Cantalamessa solli një mori shembujsh, kujtoi ngjarje të jetuara e citoi njerëz, që duke hyrë thellë në shqyrtimin e ekzistencës, patën “shkëndijën e intelektit”, që u solli “ndriçimin”. E ekzistenca e Zotit iu zbulua papritmas, në një farë pike, pasi e patën injoruar e deri mohuar gjithë jetën”. Kjo i ndodhi, për shembull, gazetarit francez André Frossard, vdekur më 2 shkurt 1995, i cili, duke hapur papritmas sytë, pati një hop ndërgjegjeje, e  pa Zotin!

Një portret simbolik

Kapuçini tërhoqi vëmendjen për t’u ruajtur nga rreziku i përpjekjes për ta përmbyllur hyjnoren në një përkufizim, qoftë edhe duke u mbështetur tek Bibla. “Çka mund të bëjmë - sqaroi - është t’i thyejmë guaskat e vogla të ideve tona për Zotin, ose vazot prej alabastri, ku e mbajmë të mbyllur, në mënyrë që parfumi i Tij të përhapet e ta mbushë përplot shtëpinë. Hyjnorja është kategori krejt e ndryshme nga çdo gjë tjetër. Nuk mund të përkufizohet! Mund të flitet për Të vetëm përmes analogjive e kundërvënieve. Një figurë e Biblës e quan Zotin shkëmb:

“Shkëmb është titull abstrakt; nuk thotë vetëm kush është Zoti, por edhe kush duhet të jemi ne. Shkëmbi është bërë për t’u ngjitur në të, për të kërkuar strehë, jo vetëm për ta kundruar nga larg. Shkëmbi të tërheq, të apasionon”.

Zoti është, e kjo mjafton!

Predikatari i Shtëpisë Papnore e përfundoi predikimin e Kohës së Ardhjes, duke kujtuar një nga çastet e zymta në jetën e Shën Françeskut të Asizit, për shkak të shqetësimit që i krijonte stili primitiv i jetës së fretërve të tij. Pikërisht në mes të sticimit, e qetësoi siguria se “Zoti është, e kaq mjafton!”. T’i përsërisim - nxiti prediktari - këto fjalë kur, në Kishë ose në jetën tonë, ndeshemi me situata, që u ngjajnë atyre të Shën Françeskut: “Zoti është, e kjo na mjafton!”.

07 dhjetor 2018, 14:34