Cerca

Vatican News
Predikimi i dytë i Kohës së Ardhjes Predikimi i dytë i Kohës së Ardhjes  (Vatican Media)

Atë Cantalamessa: kundrimi i Trinisë Shenjte ndihmon t’i kapërcejmë mosmarrëveshjet

Në predikimin e dytë të Kohës së Ardhjes, atë Raniero Cantalamessa e përqendron reflektimin e tij mbi Trininë Shenjte, duke përdorur edhe ngjashmërinë me tinguj e pamje.

R.SH. - Vatikan

“Trinia Shenjte është si një nga ata trekëndëshat muzikorë, të cilët, nga çdo anë që t’i prekësh, vibrojnë dhe japin të njëjtin tingull”. Në këtë treshe, Ati, Biri e Shpirti Shenjt i thurin lavde njëri-tjetrit. Pikërisht, rreth kësaj “simfonie trinitare” shtjellohet predikimi i dytë i Kohës së Ardhjes i atë Raniero Cantalamessa-s. Predikatari i Shtëpisë Papnore, si gjithnjë, flet para Papës Françesku dhe kardinajve të Kuries Romake, në Kapelën “Redemptoris Mater” të Pallatit Apostolik, në Vatikan. “Ka një vend të vetëm në botë – shpjegon – ku rregulla ‘duaje të afërmin tënd porsi vetveten’ zbatohet në kuptimin absolut të saj”. Ky vend është Trinia Shenjte.

Ikona e Rublëvit

         Atë Cantalamessa kujton se “modeli i të gjitha paraqitjeve të Trinisë Shenjte” është ikona e Rublëvit, pikturuar në vitin 1425 për Kishën e Shën Sergjit dhe riprodhuar në mozaikun e Kapelës “Redemptoris Mater”. Dogma e Njinisë dhe e Trinisë së Zotit, vëren predikatari, shprehet nga fakti se “figurat janë tre e dallohen fare mirë nga njëra-tjetra, por ngjajnë jashtëzakonisht”. Idealisht, përfshihen “në një rreth, që nxjerr në dritë bashkimin e tyre”. Nga ikona shpërthen “një britmë e heshtur”: “Të jeni një gjë e vetme, ashtu si ne jemi një gjë e vetme”.

Trinia dhe bashkimi

         Trinia na tregon “udhën e vërtetë drejt bashkimit”: “tri Vetjet janë të bashkuara, pa u ngatërruar me njëra-tjetrën: çdo Vetje ‘identifikohet’ tek tjetra, i dhurohet tjetrës dhe e bën tjetrën të ekzistojë”. “Të gjithë – vëren predikatari i Shtëpisë Papnore – e dëshirojmë bashkimin ‘nga thellësitë e zemrës’. Atëherë, pse është aq e vështirë të arrihet? Sepse – pohon françeskani – duam që të arrihet bashkimi, por sipas këndvështrimit tonë”. “Problemi është se tjetri, që kam përballë, bën saktësisht të njëjtën gjë… Prandaj, me këtë rrugë, nuk do të arrihet kurrë asnjë bashkim. Përkundrazi, ecim mbrapsht”.

T’i kapërcejmë mosmarrëveshjet

         Trinia është “realitet i gjallë, që pulson”. Është manifestim absolut i dashurisë: “çdo Vetje hyjnore – shpjegon atë Cantalamessa – e do tjetrën pikërisht si vetveten”. “Kundrimi i Trinisë Shenjte na ndihmon t’i kapërcejmë mosmarrëveshjet e botës”. “Mund të jemi të ndarë mendërisht, për gjithçka mendon çdokush mbi çështjet doktrinore, ose baritore, për të cilat akoma ka debat të ligjshëm në Kishë, por kurrë të mos jemi të ndarë me zemër: ‘in dubiis libertas, in omnibus vero caritas’ (Liri në çështjet e dyshimta, dashuri në të gjitha). Kjo – nënvizon atë Cantalamessa – do të thotë të imitosh ‘unitetin e Trinisë Shenjte’. Me të vërtetë, ajo është ‘unitet në larmi’”.

Të hyjmë në Trininë Shenjte

         “Ka diçka edhe më të lume, që mund të bëjmë me Trininë, përveç kundrimit dhe imitimit të saj”. “të hyjmë në të”. “Krishti – përfundon atë Cantalamessa – na ka lënë një mjet për ta bërë këtë: Eukaristinë. Në çastin e Kungimit realizohet, në kuptimin e ngushtë të saj, fjala e Krishtit: unë në ta e ti në mua”. Në Eukaristi na ofrohet hiri për “t’u ulur në të njëjtën tryezë me Trininë Shenjte”.

14 dhjetor 2018, 12:34